A duhet të ishin angazhuar besimtarët në fushatën zgjedhore? Kjo pyetje duket me rëndësi të shtrohet gjatë këtyre ditëve, teksa kemi parë politikanë që synojnë të bëjnë premtime, sidomos po të kemi parasysh rastin e myslimanëve, ku çështja e ndërtimit të xhamisë në kryeqytet apo simbolet fetare kanë qenë një debat i pastër politik që prej disa muajsh, duke synuar kështu qartë edhe afrimin e votës së myslimanëve, gjithsecili në strofkullën e partisë së vet.
Tashmë që thuajse të gjithë drejtuesit fetarë bënë thirrje për dalje në votim, duhet parë edhe modeli i përafrimit politik që kanë zgjedhur këta liderë, e më pas edhe pasuesit e tyre, që në këtë rast nuk kanë mbetur në kufijtë e pasuesve të besimit, por edhe të qëndrimeve politike.
Paraprakisht, dëshiroj të theksoj se personalisht pjesëmarrjen në votim e konsideroj si një e drejtë themelore e garantuar nga kushtetuta e këtij vendi dhe një vendim qytetar që tregon angazhimin e kujtdo. Për këtë arsye, jam rreshtuar gjithnjë pro figurave fetare që e kanë konsideruar pjesëmarrjen në votim një domosdoshmëri shoqërore, sepse myslimanët janë qytetarë të këtij vendi, ku jetojnë e punojnë, ndaj dhe ku duhet të kërkojnë zgjidhjen e problemeve, duke nisur me një nga të drejtat më thelbësore në demokraci: në pjesëmarrjen në të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.
Si qytetarë të këtij vendi, por fatmirësisht të pajisur me moralin që na mëson feja, ne jemi të edukuar për të qenë shembull në jetën e përditshme. Sepse një njeri që beson, e di mire që një komshi i mirë, një lagje e mirë është garancia e një jetë më të mirë në të ardhmen. Ndaj interesat e një besimtari lidhen ngushtë me interesat e komunitetit, qytetit dhe atdheut. Nuk është e rëndësishme se cilës përkatësi fetare i takojnë komuniteti që ne si mysliman ua mbrojmë të drejtat, sepse ne jemi të porositur të jemi të kujdesshëm dhe të drejtë ndaj njerëzve në përgjithësi, ndaj kafshëve, ndaj bimëve dhe gjthçkaje që na rrethon.
Në këtë kuadër angazhimi, besimtarët kanë pritur një interesim nga përfaqësuesit e tyre jo vetëm për sistemime pronash apo ndërtim xhamie, por të jenë zëri publik ndaj fenomeneve shoqërore, duke përçuar pikërisht atë që ne e besojmë se është e shëndoshë për shoqërinë. Ndaj, më shumë se sa angazhimi për pjesëmarrje politike, përfaqësuesit e besimtarëve duhet të kërkonin nga të gjithë kandidatët qëndrimet ndaj sistemit arsimor e shëndetësor, gjyqësorit, zgjidhjen e çështjes së pronës, luftën kundër drogës apo krimit në familje, që besimtarët të ishin shumë më të orientuar ndaj atyre që duhej të votonin. Përndryshe, prezantimi i shumë myslimanëve brenda kornizës së ndërtimit të xhamisë apo çështjes së shamisë në shkolla (edhe pse shamia është pjesë e besimit) po i fut myslimanët shqiptarë në kurthin e një plaçke politike për ankand në ç’do prag zgjedhjesh.
Xhamitë janë të të gjithë besimtarëve dhe vota e gjithkujt duhet të jetë e lidhur me parimet që mbështeten në këtë fe, e jo në njohjet individuale të momentit. Dhe vendet e faljes duhet të jenë shtëpitë e para ku dallimi politik lihet jashtë dere dhe e vetmja gjë që duhet të rrezatojë është shembulli i mirë që vjen nga prania në dyert e besimit.
Përfaqësuesit e sotëm të myslimanëve kanë përpara tyre shembullin e hoxhallarëve patriotë, që mbi të gjitha mbronin interesat e besimit të vendit, shoqërisë dhe ishin kontribues në komunitet. Rastet e shumta që shumë njerëz të komunitetit mosmarrëveshjet i zgjidhnin me hoxhallarë, edhe pse në atë kohë kishte gjykata, tregon më së miri se besueshmëria ndaj tyre dhe përfaqësimi i interesave të shoqërisë ishte esenca e marrëveshjes morale që kishin këta njerëz me Zotin dhe njerëzit. Prandaj dhe sot duhet të kuptojmë se nuk jemi një klub gjahtarësh që kërkojmë leje-gjahu në zona të papopulluara, por njerëz që mbrojnë interesat e të gjithë shoqërisë, pavarësisht përkatësisë fetare. Ky është shqetësimi i shumë besimtarëve dhe besojmë që këto kanë qenë edhe kërkesat e përfaqësuesve tanë drejtuar politikës, duke filluar nga hierarkia jonë institucionale, deri tek imamët tanë….
© Panorama.al












