Besimtarë katolikë janë mbledhur në kryeqytet për të kremtuar Vigjiljen e Pashkës, një nga momentet më të rëndësishme të kalendarit të krishterë, ku kujtohet ringjallja e Jezu Krishtit.
Mesha solemne nisi rreth orës 22:00 në Katedralen “Shën Pali” në Tiranë, ku dhjetëra besimtarë morën pjesë në lutje, reflektim dhe rite fetare.
Kjo festë vjen pas periudhës 40-ditore të Kreshmës, gjatë së cilës besimtarët kanë ndjekur traditën e sakrificës dhe përmbajtjes, duke kufizuar ushqimin dhe duke u përkushtuar më shumë ndaj besimit.
Me rastin e Pashkës, besimtarët marrin pjesë edhe në meshën e mëngjesit dhe ndjekin zakonet tradicionale, si thyerja e vezëve të kuqe dhe shkëmbimi i urimeve festive.
Pashka mbetet gjithashtu një festë e rëndësishme familjare, e cila shënon momente bashkimi, faljeje dhe pajtimi, ku familjet mblidhen për të festuar së bashku.
© Panorama.al












