Që paradigmat e shtet-ndërtimit demokratik parakuptojnë një zinxhir të pafundmë konsensusesh, ky është një leksion që politologët nuk ngurrojnë të ta thonë pas çdo parashtrimi. Nuk harrojnë të ta thonë këtë rëndomë edhe zyrtarët e të gjitha rangjeve, sadopak t’u jepet mundësia të flasin për pikëpamjet e shteteve të tyre të mëdha, rreth punëve të ndonjë shteti të vogël si ky yni. Një ndër temat e ditës është zgjedhja e kreut të shtetit. Aspak e parakohshme duke parë rendin e gjërave kësaj ane. Realisht loja ka filluar ende pa rënë bilbili.
Që konsensusi të përfillet, së paku si praktikë ndër më të mirat që vetes ia kemi ofruar me pikatore, ai lipset të përforcojë sensin e së drejtës në grup. Kjo është autoritare. Anasjelltas, që konsensusi të shpërfillet, ai lipset ose të ndryshojë sensin e së drejtës, ose të humbasë unanimitetin e grupit, klasës a rendit që e kërkon atë. Edhe kjo është po aq autoritare.
Nëse i referohemi aksiomës së parë, të gjithë pranojmë se konsensusi është domosdoshmëri. Jo thjesht si produkt a mënyrë të vepruari sipas filozofisë konstitucionale të shtet-ndërtimit. As edhe në përvijim të modelit të ri këtu e 200-300 vjet të shkuara të ndarjes dhe baraspeshës së pushteteve. As edhe në funksion të bashkërendimit institucional të gjërave që tashmë konsiderojmë se i kemi të ngritura. Realisht kjo është më e rëndësishmja. Por jo, jo thjesht për këtë. E pikërisht këtu më duket se ne zhytemi thellë për të kapur diçka që pluskon mbi sipërfaqe. Shumë më thjesht se sa ky parashtrim, gjithçka sillet rreth një arsyeje tejet pragmatiste, për ndokënd edhe banale po të duam, por gjithsesi tejet të domosdoshme për mesazhin që do të jepet. Qoftë edhe sepse na sugjerohet, na këshillohet, tërthorazi edhe na kërkohet. Nuk na pëlqen e as nuk ka përse të ekzistojë fjala “imponim”. Realisht mendoj se kemi më shumë nevojë për “vetimponim”, mjaft që ky të jetë mesazhi i duhur për anëtarët e klubit ku vdekësisht duam të futemi. Por edhe ata nuk ka gjasë të dalin nga vetja. Boll e kanë bërë këtë me 12 përparësitë. E më shumë se për ta, për stabilitetin tone të brendshëm. Romancën e rraskapitur Bruksel-Uashington po e përjetojmë secili sipas qejfit. Trojka këtu brenda po e dëshmon këtë trokthi, përditë, vend e pavend. E pra, sensi i së drejtës në grup ekziston, dhe thënë këtë, le të themi edhe se aksiomës së parë i dhamë përgjigje. Aksioma e dytë ka përbërësin tjetër: unanimitetin e grupit që e kërkon këtë. Ky është përbërësi i munguar. Duket sikur loja këtu fillon e po këtu mbaron. Qëllimi i pafshehur është: kush do të marrë Presidentin? Presidenti na takon ne! Në fakt, historia e kësaj pune ka dëshmuar se loja e vërtetë, ajo frymëpezullmbajtësja, ajo sfiduesja a balancuesja fillon jo përpara, por pas zgjedhjes së Presidentit. Një lojë pesëvjeçare ku palët do të kenë kohë kushtimisht deri edhe për të ndryshuar kahen e përkrahjes momentale apo edhe penduar, sikurse ka ndodhur së paku me nja dy krerë shteti. E nëse mund të ndodhë kështu, sa rëndësi i bie të ketë emri? Vazhdojmë: meqë edhe emri nuk paska rëndësi, ku qëndron rëndësia? Te mënyra e zgjedhjes? Po, mund të thotë pakica. Po, mund të të thotë edhe shumica, edhe të dyja bashkë në parim. Por, le ta dyshojmë edhe këtë, tekembramja omnibus dubitantum est. E ky dyshim i natyrshëm dhe kudondodhur të orienton drejt asaj që ka rëndësi. Rëndësi ka qëllimi, qëllimi i konsensusit. Si proces!!! Uff, i mërzitshëm edhe ky “procesi”. U bë bajat si fjalë. Në fakt, është produkti që na intereson. Produkti real i bie të mos jetë personazh konkret a një emër nga “tanët a tuajt”, që nuk do të jetë “as yni, as juaji”. Produkti i kërkuar i bie të jetë besimi që një proces prodhohet. Jemi në një proces politik apo ekleziastik? I bie sikur po presim entitetin e shenjtë të së ndjerës Eleonorë, dhe jo një burrë a grua në krye të vendit. Po më kujton kjo puna e “procesit” institutin e auspiciumit të lashtë, kur ekleziastët, për të davaritur dyshimet për zgjedhjen e patriarkut, prisnin mesazhet edhe nga zogjtë apo yjet, një proces ky që legjitimonte më pas konsakrimin e të parit dhe të vetmit princ të ligjshëm (Princeps legibus solutus). Dyshimi konfirmon besimin. Besimi, ky përbërës limfatik aq i munguar i lojës politike, i proceseve elektorale, i procedurave përzgjedhëse, i gjithçkaje aq energjikonsumuese që shpesh na ka shtyrë në zgrip. Sa e sa agregate zgjedhjesh a përzgjedhjesh ka komprometuar mungesa e tij? Është mallkim që karizma e liderëve, në vend që të na tërhiqte natyrshëm drejt optimizmit të një kombi me moshë lakmueshmërisht të re, na lë pezull në pezmin e të paparashikueshmes, ku të mirënjohurat 12 përparësi na duken si 12 unazat e patejshkuara ende nga shigjeta e Odisesë së magjepsur nga Çirçja e pushtetit. Itaka kësaj here është jo këtu, por në Bruksel. Kjo është çështja. Prandaj dhe e gjej të mirëpritur një proces, nga kushdo qoftë të niset, propozohet, por dhe pranohet ai. Dua të besoj se tek e ardhmja hipotekon më shumë ai që lëshon më shumë. Edhe emri ka rëndësi sigurisht, përndryshe na rroftë forma. Por jo kushte e kushtëzime, jo bllokim të sistemit. E meriton pushtetin ai që lëshon më shumë. Pretendim naiv? Mundet, por besimi si i tillë do të kish bërë të panevojshme edhe vetë mënyrën e zgjedhjes, pra edhe vetë procesin, që nuk do të kish arsye të kryhej si qëllim në vetvete. Moralin mënjanë, arbitrarisht apo konsensualisht, askush nuk mund të garantojë pritshmërinë e “yllit me bisht” pas zgjedhjes. Jo vetëm për shkak të të përzgjedhurit, por edhe për shkak të përzgjedhësve, domosdo. Është dëshmuar se nuk na ka munguar Presidenti, as proceset, por besimi. Prandaj ka rëndësi konsensusi, sensi i së drejtës që ai kultivon dhe unanimiteti i vullnetit sovran rreth tij. Këtu presionin e bën morali ndaj ligjit dhe jo e kundërta. Së paku këtë e dikton vakuumi mes legalitetit dhe legjitimitetit, ende i pambushur me moral dhe frymë, që një Kushtetute referendare ia asfiksuan do ndryshime parlamentare. Që ligjet janë të hierarkizuara, këtë e dimë. Po hierarki ndryshimesh, a ka, për analogji? Këtë ia vlen të negociosh në proces. Në një proces politik. Ky moment më kandis të pajtohem me pohimin se “emri vjen i fundit”, sado që jo për nga rëndësia. Më shumë se kaq, më e sinqertë dhe serioze më rezulton karusela e fotove dhe komenteve déjà vu tek “Zonë e Lirë”, se sa spërdredhjet medemek etike, kur vjen puna për emra a personazhe konkretë të hedhur tashmë në mejdan. Kjo, falë drejtuesit, por edhe aftësisë së të ftuarve të tij jo pa emër, Fuga, Zheji, Bushati, Nazarko, Haxhiu… Doni më emra? Procesi pret. Pret të zhvillohet e të prodhojë besim. Besim që vlen dhe vlerësohet më shumë se një emër, sado i padiskutueshëm të na duket ai para, apo edhe të rezultojë i tillë pas zgjedhjes. Por, edhe pse pajtohem me këtë, nuk besoj se kam arsye të mos ndjek me interes dhe mbështes Fatos Nanon, teksa ka filluar edhe ai një proces. Mendoj se historia kësaj here ka ndryshuar orientim dhe “i vjen nga para”. Ky proces mund të mbyllej frytshëm dhe natyrshëm me një Po ose Jo, pa spërdredhje. Sepse, dreqi e mori, t’i përmendësh kriteret presidenciale Fatos Nanos është si të thuash “hajde baba të të tregoj arat”. E pikërisht për këtë them se “procesi” në fakt, më shumë pritet t’u japë kredite “zgjedhësve të mëdhenj”, Berisha, Rama, Meta & Co, se sa do të arrijë të na bëjë peshqesh “Shpëtimtarin”. Për aq sa ne i kemi legjitimuar, duke u deleguar vullnetet tona. Fifty-fifty, kjo duhet kuptuar dhe nga kjo bazë fillon negocimi. Për ngritjen e besimit, këtij përbërësi të munguar.
© Panorama.al












