Besim Ndregjoni: Si më vranë komunistët 5 anëtarë të familjes

Feb 13, 2012 | 12:49

Besim Ndregjoni

Flet aktivisti që u nderua me Urdhër nga Presidenti.

“Tre pjesëtarë m’i pushkatuan, ndërsa dy të tjerë m’i mbytën nëpër hetuesi

Është hera e parë që në Shqipëri jepet një urdhër i tillë, i njëjtë me atë të aktivistit dhe liderit të shquar të Lëvizjes së të Drejtave Civile, Martin Luter King.
Ndaj, mund të merret me mend entuziazmi i ish-të përndjekurit politik Besim Ndregjoni, teksa Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i akordoi vlerësimin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin “Për kontribut të rëndësishëm si aktivist i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, veçanërisht për integrimin dhe mbështetjen e shtresës së të përndjekurve politikë; për veprimtari të çmuar në evidentimin dhe demaskimin e krimeve të regjimit komunist”. Megjithatë, ende pa “u ftohur” entuziazmi, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politike të Shqipërisë, Ndregjoni, u përball me një sërë akuzash nga një e përditshme, ku sipas saj, Urdhri ishte i pamerituar dhe i bazuar me dokumente false. “Unë kam hapur proces gjyqësor, por problemi është se artikujt janë pa emër. Ndërsa në një rast që janë vënë emrat, ata janë shprehur të çuditur dhe janë mënjanuar nga shkrimet, duke kërkuar njëkohësisht përgënjeshtrimin”, thotë Ndregjoni teksa flet për gazetën “Panorama”. Ndërsa mbi tavolinën e tij të zyrës radhit një kapicë dokumentesh, ku vërteton persekutimin që nga instalimi i diktaturës në Shqipëri. Ia nis me historinë e familjes së tij, tre anëtarë të së cilës janë burgosur nga sistemi komunist, dhe pasi mbaron me ata, tregon vërtetimin e pastërtisë së figurës morale të tij nga komisioni shtetëror, në vitin 1996. “Jam gati për çdo ekspertizë ligjore që të vërtetojë autenticitetin e këtyre dokumenteve”, thekson aktivisti për të drejtat dhe liritë e njeriut që prej 21 vitesh. Më pas, dialogu me Ndregjonin rrjedh natyrshëm dhe qetë drejt politikës, por përfundon krejt turbull dhe vrullshëm në akuza konkrete. Derisa të arrini tek ato rreshta, njihuni me Besim Ndregjonin…
Në fund të janarit, në Ditën e Kujtesës, u dekoruat nga Presidenti i Republikës me një Urdhër që për nga motivi nuk e ka marrë asnjeri më parë në Shqipëri dhe konsiderohet i njëjtë me atë të Martin Luter Kingut. E ndjeni veten si ai?

Ndregjoni duke treguar persekutimin komunist në familjen e tij

Unë nuk mund të flas për veten time. Derisa mora këtë Urdhër, siç duket të tjerë kanë folur për mua. Veç di të them se jam ndjerë shumë krenar kur në Ditën e Kujtesës, e cila shërben edhe për të rritur ndërgjegjësimin për parandalimin e krimeve ndaj njerëzimit, nga Presidenti i Republikës u vlerësova me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm si aktivist i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, veçanërisht për integrimin dhe mbështetjen e shtresës së të përndjekurve politikë; për veprimtari të çmuar në evidentimin dhe demaskimin e krimeve të regjimit komunist”.
Shqipëria ka qindra aktivistë nga shoqëria civile në të njëjtën fushë. Pse u veçuat vetëm ju?
E veçanta tek unë është se kam paraqitur për 21 vite me radhë të vërtetën e traumës, torturës, të vërtetën e krimit komunist. Dhe kjo ndodhi edhe në bazë të thënies së Martin Luter Kingut: “Nuk mund të kalojë gjithkush nëse nuk i ul kurrizin”. Realisht, misioni im nuk e përkuli kurrizin përpara forcave ideologjike politike, produkt i sistemit të kaluar, por dokumentoi me fakte krimin komunist, traumat që i ndodhën kësaj shoqërie në atë krim. Në dy dekada, personalisht kam referuar tema dhe dokumentuar traumën diktatoriale në Shqipëri, duke pasur si suport krimin komunist që në familjen time fisnike, që fillon me vrasjen e çetës së Pezës më 1943-shin dhe mbyllet në vitin 1981 me kunatin tim në Psikiatrinë e Elbasanit. Në çmendinë ku, fatkeqësisht, ata që i kryen këto gjenocide, ndodhen sot në majat më të larta të shtetit shqiptar.
Cilët janë ata, më konkretisht?
Veçoj këtu, ish-hetuesin e kunatit tim, kryehetuesin e Dibrës, i cili e çoi kunatin tim në Psikiatrinë e Elbasanit në moshën 70-vjeçare. Drejtori juridik i Kuvendit të Shqipërisë për shumë vite.
Mbase kishte vërtet probleme psikike kunati juaj…
Vetëm një problem ka pasur kunati im, Destan Manuka. Problem se ishte antikomunist dhe i përkiste një rrethi familjar që më shumë kishte varre pranë shtëpisë të vrarë nga serbët, sesa të vdekur nga Zoti.
Ju akuzoni të tjerët, ndërkohë që edhe ju vetë jeni i akuzuar këto ditët e fundit. Është shkruar se për të marrë Urdhrin keni falsifikuar disa dokumente, duke filluar që nga historia e familjes suaj, që cilësohet si komuniste…
Janë deklaratat më të ulëta që kam lexuar, edhe pse nga njerëz pa emër dhe identitet, që janë fshehur pas shkrimeve pa autor. Unë, Besim Ndregjoni, vij nga një familje fisnike, që u persekutua egërsisht nga regjimi komunist; ai regjim më pushkatoi tre pjesëtarë të familjes dhe dy të tjerë m’i mbyti në hetuesi. Pra, gjithsej 5 anëtarë. Babai e tim, Imer Ndregjoni, u dënua me 17 vjet burg politik dhe persekutimi vazhdoi edhe jashtë familjes, ku nga torturat u çmend në hetuesi edhe kunati (1982). Sa për informacion, gjatë Luftës së Dytë Botërore, babai im luftoi me armë në dorë bashkë me Abaz Kupin kundër fashizmit, në prill të 1939-s. Ai ishte një nacionalist, antikomunist dhe humanist, i cili gjatë periudhës 1943-1945 shpëtoi një familje hebrenjsh nga gjenocidi nazist. Me ardhjen e sistemit pluralist, për kontributet e dhëna në shërbim të kombit, babai im është shpallur “Qytetar Nderi” i Dibrës (2003). Presidenti i Republikës, Alfred Mosiu, e ka dekoruar me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” si luftëtar antifashist dhe antikomunist (2004), me nr. dekreti 4307. Këshilli Bashkiak i Tiranës, me rastin e 60-vjetorit të gjenocidit nazist mbi hebrenjtë, ka emërtuar një rrugë në Tiranë, “Imer Ndregjoni”, me motivacionin për shpëtimin që u bëri hebrenjve gjatë okupacionit nazist, vendimi i Këshillit Bashkiak Tiranë, nr. 68, datë 10.11.2006. Gjatë kohës së atij regjimi, personalisht m’u privuan të drejtat dhe liritë themelore. Ndër to, e drejta e arsimimit, e punësimit. Gjatë atij regjimi u caktua, në bazë të një vendimi të pushtetit diktatorial, të punoja në hapje tunelesh dhe në vende të tjera, që sot konsiderohen si relikte të diktaturës së komunizmit në vend, me detyrimin që të mos lëvizja gjetiu pa urdhër të pushtetit qendror. Për të gjitha këto, disponoj dokumentet origjinale dhe jam i hapur për çdo verifikim ligjor. Akuzuesit nuk janë gjë tjetër veçse falanga të Sigurimit të Shtetit, që thirren për të tentuar mbylljen e gojës, eliminimin e zërit të së vërtetës, për të gjithë ata që duan të dëshmojnë krimin komunist në Shqipëri. Dhe unë jam një ndër personat që këmbëngul më shumë për këtë të vërtetë.
Akuza dhe kundërakuza për sigurimsa e agjentë. Si ta dallojmë të vërtetën nga mashtrimi, pasi edhe pala akuzuese thotë që disponon fakte që keni falsifikuar dokumente si ish-i përndjekur politik?
Akuzuesit kanë botuar në një media shkrime pa emër. Në një rast janë vënë dy autorë, që kur e kanë parë veten në gazetë, kanë mohuar menjëherë autorësinë dhe kanë kërkuar përgënjeshtrim. Njëri prej tyre, kryetari i Shoqatës Antikomuniste Demokrate, Simon Miraka, njoftoi gazetën që kishte botuar këtë banalitet, se distancohej nga shkrimet, duke shprehur çudinë e emrit të tij poshtë atij shkrimi. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me ish-të burgosurin Fatmir Lamja, i cili theksoi se emrin e tij e kanë vënë pa dijeni në gazetë dhe se i përbuz me neveri këto shpifje të paskrupullta të individëve anonimë. E dyta, unë ju vë në dispozicion dokumentet e mia, që nga dëshmia shtetërore për pastërtinë time morale si figurë, te shkrimet, dëshmitë dhe librat që faktojnë persekutimin e familjes sime. Mos më thoni se edhe ju besoni që edhe dhjetëra shkrimtarë e publicistë qenkan mashtruar të gjithë…. Nga ana tjetër, unë jam një nga personat që kam këmbëngulur më së shumti për miratimin e rezolutës në Parlamentin shqiptar më 2006-n për dënimin e krimit komunist. Në rast se unë isha i implikuar me falangat komuniste, pse atëherë do ta kërkoja me aq ngulm dënimin e krimeve?! Komisioni shtetëror i pastërtisë së figurës morale e ka kontrolluar dosjen time që në vitin 1996. Shtoj këtu që ky kontroll është bërë si një oponencë e fortë e asaj kohe ndaj qeverisë së asaj kohe dhe ndaj shtetit të asaj kohe. Dhe nga kontrolli dokumentar arkivor unë kam dalë i papërlyer, kam marrë certifikatën ligjore. Për gjithçka është shkruar, unë kam kërkuar hapjen e procesit gjyqësor.
Gjatë këtyre viteve ju i kritikoni të dyja forcat kryesore politike në Shqipëri, PS dhe PD. Pse bëni oponencë kur mund të kërkoni bashkëpunim?
Kam 21 vjet që punoj pa asnjë lloj shpërblimi nga dy forcat politike, PS dhe PD. Kjo dhe falë forumeve ndërkombëtare që më kanë rezervuar dhe ndihmuar që të kryej misionin tim në favor të mbrojtjes dhe lirive të ish-të përndjekurve politikë. E kam bërë oponencën me vetëdije dhe ndërgjegjësim të plotë. Sigurisht, unë akoma nuk e kam realizuar objektivin tim, por kam arritur që të sensibilizoj forumet ndërkombëtare dhe t’i vë përballë përgjegjësisë këto forca politike, që të ndërtojnë një plan kombëtar për rehabilitimin e ish-të përndjekurve politikë. Asnjë forcë politike në Shqipëri, pa bërë plan kombëtar për rehabilitim e kësaj shtrese, nuk do të ketë pajtim kombëtar në shoqërinë shqiptare. PS-ja dhe PD-ja heshtin. Por unë nuk hesht.
Sipas jush, pse heshtin?
Heshtin, sepse kanë mentalitetin ideologjik komunist, duke shkelur të drejtat dhe liritë tona. Ne, të përndjekurit politikë, e dënojmë këtë heshtje dhe e quajmë krim të dytë ndaj nesh. Heshtja e politikës ndaj krimit komunist është njësoj krim. Klasa politike shqiptare është pjesë përbërëse e krimit komunist. Dhe krimi duhet dënuar. Nëse deri dje sulmoheshim si armiq të komunizmit dhe në varr përcilleshim të vetëm, sot heshtet. Prapë sot në varr përcillemi të vetëm. Ata që dje duartrokitnin dënimin tonë, sot, të frikësuar nga demokracia, nuk duartrokasin, por heshtin. Dinastitë e kalbura të produksionit komunist mbrohen sot me paqen tonë, me mos hakmarrjen tonë. Përdorin liritë dhe të drejtat e njeriut në mbrojtje të vetes së tyre dhe aspak të qytetarëve. Kjo ndodh me pronën, kjo ndodh dhe me të drejtat dhe liritë tona. Këta politikanë nuk mund të ballafaqohen me të vërtetën, ndaj shmangin me çdo metodë mosndëshkimin e krimit komunist.
Atëherë, duke qenë se Parlamenti ende nuk e ka miratuar ligjin për këtë çështje, sipas jush, i bie që të gjithë janë të përfshirë si bashkëpunëtorë të diktaturës?
Sa kohë nuk miratohet, patjetër që po. Jemi i vetmi shtet në Europë që kemi vuajtur 45 vjet nga diktatura komuniste-staliniste – e barabartë me diktaturën e Pol Potit të Kamboxhias – që nuk e kemi dënuar krimin komunist, që nuk kemi hapur dosjet e krimit komunist, që kemi 4500 qytetarë të vrarë pa gjyq e që nuk ua gjejmë dot eshtrat. Është i vetmi shtet në Europë që nuk po promovon në institucionet e tij ish-kundërshtarët e komunizmit, siç janë të përndjekurit politikë. Sa kohë nuk përmbushen këto, unë dhe shtresa ime e të persekutuarve politike, kemi gjithë të drejtën morale që t’i akuzojmë. Siç i akuzoj.

ELISABETA ILNICA

© Panorama.al

Te lidhura