
Besart Berisha ka rinovuar edhe për dy vite të tjera kontratën e tij me Brisbane Roar në kampionatin australian të futbollit. Lajmi është konfirmuar nga vetë lojtari në një prononcim për mediat e këtij vendi, duke sqaruar edhe arsyet e zgjatjes së kontratës me këtë skuadër. Sipas Berishës, shkaku kryesor është djali i tij 20-muajsh, Amar, i cili pëlqen shumë motin e nxehtë dhe detin. “Nuk e kam parë asnjëherë djalin tim kaq të lumtur. Ai dashuron detin, aq sa harron të hajë ose të flejë dhe dëshiron veçse të qëndrojë në plazh. Sapo ka mësuar të flasë dhe e vetmja gjë që më thotë, është: shkojmë te uji. E kam shumë të vështirë që ta nxjerr atë nga uji, ndaj nuk mundem ta privoj tim bir nga ky vend”, ka theksuar sulmuesi shqiptar. Berisha po kalon një moment shumë të mirë në Australi, përderisa ka shënuar 13 gola në 20 ndeshje. Por ai është shquar edhe për karakterin e gjaknxehtësinë në fushën e lojës. “Njerëzit gabojnë. Sakaq edhe unë nuk jam perfekt. Kam gabuar në dy raste, por kjo më së shumti sepse e ndiej këtë fanellë, ndaj edhe nuk kam ndër mend që të largohem. Unë luftoj për skuadrën time dhe bëj të pamundurën për ta mbrojtur”, ka theksuar Berisha.











