Si mund ta sigurojë njerëzimi që vrasja në masë e minoriteteve vulnerabil të mos ndodhë kurrë më? Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja përkujtuan Holokaustin në ceremoni të ngjashme në të njëjtën ditë. Liderët e këtyre vendeve ofruan përgjigje plotësuese – veprim i koordinuar qeverisës dhe zgjedhje morale individuale. Të dyja përgjigjet janë të sakta dhe asnjëra nuk mund të jetë efektive pa tjetrën.
Në një fjalim në Muzeun Përkujtimor Amerikan të Holokaustit, i shoqëruar nga një i mbijetuar i kampeve të përqendrimit Elie Wiesel, Presidenti Obama në mënyrë elokuente e quajti holokaustin nazist si një “krim unik në historinë e njerëzimit” dhe i bëri thirrje botës të njohë se “përkujtimi pa zgjidhje është një gjest bosh” dhe se “ndërgjegjësimi pa veprim nuk ndryshon asnjë gjë.”
Obama propozoi se “shumë mjete – diplomatike dhe politike, ekonomike dhe financiare, inteligjenca dhe zbatimi i ligjit dhe bindja jonë morale” duhet të synojnë parandalimin e krimeve në masë në të gjithë botën. Ai krijoi në Shtëpinë e Bardhë njësinë e parë dedikuar kësaj çështjeje, Bordi i Parandalimit të Krimeve, për të mbledhur burimet e çdo agjencie qeveritare në parandalimin e akteve brutale përpara se të ndodhin. Në masa të tjera, Obama inicioi sanksione të reja kundër abuzuesve të të drejtave të njeriut, të cilët përdorin teknologjinë e informacionit, kërkoi një vlerësim të inteligjencës kombëtarë të riskut të krimeve në masë, drejtoi Departamentin e Thesarit të dislokojë mjete financiare kundër krimeve dhe urdhëroi ushtrinë të përfshijë parandalimin e krimeve në doktrinën e saj.
Ndërkohë, në Muzeun kanadez të Luftës, Kryeministri Stephen Harper diskutoi se si, edhe në një vend të vogël, njerëzit mund të gjejnë guximin dhe dhembshurinë për të ndihmuar fqinjët e tyre nga krimet në masë. Duke prezantuar një ekspozitë fotografike lëvizëse nga Muzeu izraelit i Holokaustit Yad Vashem në Muzeun Kanadez të Luftës, Harper shpjegoi si shqiptarët – 70% e të cilëve janë myslimanë – shpëtuan 2000 hebrenj kur nazistët pushtuan kombin e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ndërkohë që njerëzit në vende të tjera me kurajë fshihnin hebrenjtë në papafingot ose bodrumet e tyre, shumë shqiptarë shkuan një hap më tej, duke u dhënë hebrenjve rroba të reja, dokumente të reja identifikimi dhe emra shqiptarë, dhe i trajtuan ata si anëtarë të familjeve të tyre. Ngaqë njerëzit e zakonshëm shfaqën heroizëm të jashtëzakonshëm, Shqipëria jo vetëm shpëtoi banorët e saj hebrenj, por gjithashtu shpëtoi shumë më tepër refugjatë hebrenj nga kombet fqinjë. Ndërsa përpara Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri numëroheshin rreth 200 hebrenj shqiptarë, në përfundim të konfliktit kishte rreth 2000.
Harper pyeti: “Cila është arsyeja e këtij shembulli të mrekullueshëm?” Ai ia atribuoi heroizmin e shqiptarëve kodit të tyre kombëtar të nderit – “besës”, e cila fjalë për fjalë do të thotë “të mbash premtimin.” Por për shqiptarët, nga Kryeministri tek një punonjës i postës, fjala “besë” përfaqëson kodin më të lartë etik në vendin tonë. “Besa” do të thotë mbajtja e fjalës dhe kujdesi për burrat e gratë, cilado qoftë prejardhja e tyre ose besimi, në mënyrë që njerëzit në nevojë mund të na besojnë neve me jetën e tyre.
“Besa” shpëtoi jetën e më shumë se 2000 hebrenjve në Shqipëri në mes të holokaustit nazist dhe i gjithë njerëzimi mund të përftojë shpresë nga heroizimi që i shpëtoi ata nga e keqja. Si Kryeministër i Shqipërisë, unë nuk dua të sugjeroj se virtytet dhe vlerat që bashkatdhetarët dhe bashkatdhetaret e mia shfaqën, janë unike për traditën tonë. Historia tregon se në shumë vende – midis tyre Polonia, Holanda, Norvegjia, Franca, Italia, Greqia dhe vetë Gjermania – kanë pasur njerëz të drejtë që shpëtuan hebrenjtë dhe anëtarë të minoriteteve të tjera të pambrojtura nga tmerret e Holokaustit.
Shembujt e këtyre heronjve nga kaq shumë shoqëri duhet të na drejtojnë neve, ndërsa ne përpiqemi sot – individualisht dhe kolektivisht – t’i përgjigjemi thirrjes së Obamës se “kurrë më” është një sfidë e kombeve. Në emër të Shqipërisë, një vend i dhunuar egër nga pushtimi nazist dhe tirania komuniste dhe i traumatizuar nga krimet etnike gjatë viteve 1990, unë jam dëshmitar i historisë dhe shpresës se krimet më të këqija kundrejt njerëzimit ende mund të zbulojnë më të mirën në shpirtin njerëzor.
E zbuloftë dhe e ndjektë çdo komb “besën” e tij!
* Marrë nga gazeta
amerikane “THE HILL”