BESA: Do më pëlqente një bashkëpunim me “Scorpions

Jul 23, 2011 | 13:13

Energjike muzika dhe të trishtuara vargjet. Shkruar mbi fabulën e një ndarjeje të dhimshme dashurie, kënga me titull “Always on my mind” e Besa Kokëdhimës, vjen në një klip me detaje të rralla dhe tingujt “house”.
Këngëtarja e njohur rrëfen emocionet e këngës që i dedikohet mendjes dhe shpirtit, jetën e saj, dhe planet jashtë muzikës.

Besa sapo ke realizuar klipin e këngës së re “Always on my mind”. Si do të vish në këtë këngë pas “Kalorësi i natës”?
Në këtë këngë unë vij shumë ndryshe! Atmosfera e këtij klipi është në kontrast të plotë me atë të “Kalorësi i Natës”.

Kjo është një këngë e gëzuar, apo ka trishtim? Si është konceptuar videoklipi dhe ku janë realizuar xhirimet?

Kjo është një këngë e zhanrit “house”, sidoqoftë ka edhe pak melankoli në tekst dhe melodi. E megjithatë, kryesisht qëndron në ritmet e gëzuara të verës, kështu është trajtuar edhe klipi. Xhirimet janë realizuar në Kosovë
me “Entermedia”-n.

Bëhet fjalë për një këngë vere, ndërkohë që nga titulli kuptohet për një person që ekziston pambarimisht në mendje. Pse një fabul e tillë me një fiksim dashurie, nëse do ta quanim kështu?
Në fakt edhe teksti është shkruar nga kompozitori, i cili është i frymëzuar nga një histori në jetën e tij sentimentale. Fabula trajton një ndarje të padëshiruar për të, përpjekja për të mbledhur copëzat pas dëshpërimit, dhe pamundësia
për t’ia dalë pasi dashuria e tij është “gjithnjë në mendjen e tij” pra “Always
on my mind”.

Po nëse flasim për ty, mund të na e thuash se kush është në mendjen e Besës gjithmonë, çfarë i ke shtuar nga jeta jote kësaj kënge?
Në mendjen time janë gjithnjë dashuritë e mia, pra njerëzit e mi të shtrenjtë.

Ndërkohë që pas kaq vitesh në skenë, shumë dimë për muzikën dhe pak për jetën tënde private? Çfarë të lumturon dhe çfarë mund ta largojë frymëzimin në të përditshmen tënde?
Më lumturon dhe frymëzon çdo ndodhi e gëzuar në jetën time, kënaqësitë e vogla të jetës, harmonia në dashuri, miqtë e mi, njerëzit e veçantë, veprat
e mëdha, suksesi, muzika e mirë, kafshët, melodia e një peizazhi, natyror,
etj. Jeta më frymëzon! Më largojnë frymëzimin dhe pezmatojnë vështirësitë apo pengesat artificiale në jetët tona, padrejtësitë, pabarazitë, indiferenca,
arroganca, kudo i shoh ato.

Nisur nga fabulat e këngëve të tua, është dashuria një motiv i fortë për të jetuar?
Po për të kënduar? Mendoj se dashuria është motivi më i madh për të jetuar,
gjithë ekzistenca jonë është e bazuar në dashuri! Sidoqoftë me “dashuri” nuk i referohem vetëm asaj romantike. Mendoj se njerëzit në çdo rast janë të dashuruar, me njerëzit, natyrën apo kafshët, me pasionet apo qoftë me sendet e tyre! Gjithçka rrotullohet rreth dashurisë!

Çfarë planesh të tjera ke në muzikë pas këtij klipi, ke planifikuar një koncert apo album?
Album-album-album! (Qesh) Përveç tij, kam dëshirë të publikoj edhe
një singëll tjetër shumë shpejt. Gjithashtu do të marr përsipër
drejtimin e Radio +2 në të ardhmen e afërt, kështu që angazhimi im kryesor muajt në vijim do të jetë pikërisht kjo media. Shumë nga këngëtarët shqiptarë
të momentit, me muzikën, këngën bëjnë vërtet biznes.

Ti fiton nga muzika, ose më saktë si arrin të ruash balancën mes  profesionalizmit dhe komercit?
Nuk nisem me idenë për të bërë këtë, thjesht bëj atë çka më pëlqen, atë çka flet “gjuhën” time emocionale duke shpresuar se do të “flasë” edhe atë të publikut. Në çdo rast, diçka që publiku ndjen në mënyrë të pakushtëzuar
është sinqeriteti artistik.

Ndërkohë që je këngëtarja e ftuar sa herë në koncertet e këngëtarëve të njohur botërorë që ndalojnë në Tiranë me turet e tyre. Cili është këngëtari apo grupi që e ke çmitizuar tashmë, dhe me cilin ëndërron të kesh një bashkëpunim?
Të gjithë artistët, suportin e të cilëve e kam bërë unë, si “One Republic”, Melanie Fiona, Planet Funk etj. kanë qenë të mrekullueshëm. Nëse do më duhet te zgjedh mes tyre, do më pëlqente një bashkëpunim me Uli Jon
Roth të “Scorpions”.

Tashmë këngëtaret sot konkurrojnë jo vetëm me zërin por me pamjen, po Besa si e kuron bukurinë e saj?
Ushqehem mirë, mundohem të fle mirë (edhe pse nuk është ekzaktësisht pika
ime më e fortë), pi shumë ujë, dhe përpiqem të mbaj veten të lumtur! Sigurisht që vizitoj herë pas here edhe tempujt e bukurisë moderne,  parukeritë.

Klotilda Harka

© Panorama.al

Te lidhura