BERZH, 500 mijë € për Terminalin Multimodal

Feb 23, 2012 | 16:36
Nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, Jorida Tabaku

TIRANE- Bashkia e Tiranës njoftoi sot për marrjen e një fondi prej 500 mijë eurosh, financim nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për realizimin e projektit të Terminalit Multimodas të trenit, linjave urbane dhe interubane dhe të tramit.

Njoftimi u bë gjatë një konference për shtyp, nga nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Jorida Tabaku, e cila theksoi se, kjo është shenjë besimi që një prej institucioneve më të rendësishme financiare europiane ka tek Bashkia e Tiranës projektet dhe politikat e saj financiare.

“Dhënia e “dritës jeshile”, për të filluar këtë projekt është shumë e rëndësishme, duke pasur parasysh fillimin e ndërtimit të një bashkëpunimi shumë të mirë me BERZH, me një institucion ndërkombëtar, i cili ka besim tek projektet tona, por nga ana tjetër për të treguar edhe qëndrueshmërinë e politikave që ne kemi ndërmarrë deri tani, politikave fiskale që Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë, rëndesinë e projekteve strategjike , që ne i fillojmë sot, por që do të ndikojnë në jetën e qytetarëve të Tiranës, besoj për 20 vitet në vijim”, tha Tabaku.

Hapësira prej 80 mijë metrash katrorë, e cila i ka kaluar Bashkisë së Tiranës vetëm pak ditë më parë me vendim qeverie, pranë tokës së ish-Doganës është parashikuar të ketë edhe një qendër tregtimi.

Sipas Tabakut, Terminali i ri Multimodal do të akomodojë atje pothuajse 10 linja autobusësh, mbi 400 mikrobusë të cilët vijnë nga veriu dhe nga jugu do të akomodohen atje, por njëkohësisht edhe rreth 350 taksi.

© Panorama.al

Te lidhura