E vetmja gjë për të cilën nuk më kanë akuzuar, është se mund të jem gei. Që të jem i qartë, nuk kam asgjë kundër homoseksualëve. Përkundrazi: sa më shumë homoseksualë të jenë vërdallë, aq më e vogël është konkurrenca”, tha ish-kryeministri italian, Silvio Berluskoni, në një intervistë me revistën prestigjioze të përmuajshme amerikane, “The Atlantic”. Në një artikull të titulluar “Berlsukoni në dimër” ka folur për të gjitha, duke nisur që nga hyrja e tij në politikë, duke theksuar rrezikun e vjetër komunist. “Hyra në politikë jo sepse e doja, por sepse duhej. Kisha frikë se komunistët do të merrnin pushtetin në vendin tonë”, tha ai. Më pas, vlerësimi për veten: “asnjë politikan nuk ka qenë në gjendje të lëvizë masat siç e kam bërë unë”. Sipas ish-kryeministrit italian, më shumë hileqarë e përfitues takohen në politikë sesa biznes. Ende sot, Berluskoni mohon që në Itali të ketë krizë. “Europa e ka ekzagjeruar: shteti italian mund të jetë në borxh, por qytetarët, familjet dhe sipërmarrjet janë të pasura”. Berluskoni ritheksoi se nuk do të garojë më për Kryeministrinë, por do të mbështesë Angelino Alfanon. “Jam i kënaqur me veten. Një e treta e italianëve më do deri në çmenduri. Nëse hyj në restorant, ngrihen në këmbë, duartrokasin dhe nuk më lënë kurrë ta paguaj llogarinë”, është shprehur më tej. Sa për aventurat me bukuroshet dhe skandalet e tij të njëpasnjëshme: “Më vjen keq për italianët, por unë nuk kam gabuar për të kërkuar falje. Çdo gjë që kam bërë, ka qenë plotësisht normale, plotësisht e ligjshme”. Dhe në fund: “Nuk jam një playboy, por një play-burrë”. Kundër Berluskonit Gjykata e Milanos hapi dje një proces për zbulimin e sekreteve zyrtare. Avokati i tij e cilësoi këtë proces një grusht tjetër për gjykatën.











