Gjatë javës mes 20-27 qershorit, qeveria e Silvio Berluskonit do të përballet me “verifikimin” në Dhomën Përfaqësuese, me kërkesën e Presidentit italian, Xhorxho Napolitano. Vendimi u mor në Konferencën e Kryetarëve të grupeve parlamentare të drejtuar nga Xhanfranko Fini. Opozita kishte kërkuar që për besimin e mëtejshëm në qeverinë e Berluskonit, pas humbjes marramendëse në zgjedhjet vendore në Itali, të votohej që javën e ardhshme për t’i lënë kohë dhe Senatit që të votonte pas Dhomës. Por, kreu i Senatit, Renato Shifani, tha se nuk mund të kryente “verifikimin” para referendumit dhe proceseve të tjera në radhë. Duke komentuar rezultatin e votimit në zgjedhjet vendore, Silvio Berluskoni tha se nuk ka faj dhe ka përjashtuar mundësinë për të lënë detyrën. Më pas ka ironizuar, për të evituar humbjen e rëndë dhe pasojat e saj mbi Ekzekutiv, se “bëra një takim, doja të caktoja datën e funeralit tim, por në ditët e ardhshme jam shumë i zënë. Kështu që vendosëm ta shtyjmë…”, tha ai nga Bukureshti, ku ndodhej për një vizitë zyrtare. Sapo ka mbërritur në Itali, në Kryeministri, e kanë pritur katër fëmijët e tij: Marina dhe Piersilvio nga martesa e parë dhe Barbara e Luixhi, dy nga tre fëmijët që pati me Veronika Larion. Takimi zgjati rreth dy orë. Ndërkohë opozita vazhdon thirrjet për dorëheqjen e Berluskonit, pasi pothuajse e gjithë Italia votoi të majtën, përfshirë edhe dy pikat e forta të qendrës së djathtë të Berluskonit, Milanon dhe Napolin.











