Berluskoni merr besimin e 47-të nga Dhoma, “Ok” manovrës ekonomike

Jul 16, 2011 | 9:52

Opozita italiane iu bashkua mbështetësve të Berluskonit në Dhomën Përfaqësuese për të miratuar paketën e kursimeve, e cila një ditë më parë mori “Po”-në edhe nga Senati. Me 316 vota pro dhe 284 kundër, bashkë me dy abstenime, Dhoma Përfaqësuese ka konfirmuar besimin për qeverinë e Berluskonit mbi manovrën ekonomike. Në këtë votëbesim të 47-të për qeverinë e Berluskonit, në lidhje me manovrën ekonomike, ka marrë pjesë edhe vetë Kryeministri. Në sallë ai ka takuar edhe deputetin e partisë së tij, Pdl, Alfonso Papa, për të cilin Këshilli i Lartë i Deputetëve vendosi ta miratojë kërkesën e gjykatës për arrestimin e tij. Më pas ai ka takuar pasardhësin e tij, Angelino Alfano. “Nuk kam munguar për asnjë çast. Po përpiqen të më krijojnë një figurë të keqe, sikur nuk marr fare pjesë, por nuk është kështu. Këto ditë i kam studiuar të gjitha dokumentet, kam punuar në të mirë të italianëve”, tha Berluskoni. “Do të më pëlqente që t’u jepja italianëve atë që u kam premtuar, lehtësime të mëdha fiskale, por tani kjo është pamundur”, shtoi ai. Ndërkohë, në Dhomën Përfaqësuese, pak para votimit për besimin e qeverisë mbi manovrën ekonomike qarkullonte zëri se Berluskoni kishte pësuar një incident. Konfirmimin e bëri vetë Kryeministri, i cili u paraqit në sallën e votimit me një gungë në kokë. “Mbrëmë rrëshqita, kishte diçka të rrëshqitshme në tokë dhe unë e shkela dhe përplasa kokën. Më dhemb koka dhe do të shkoj të bëj një kontroll”, tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura