Berisha zhvillon një vizitë ngushëllimi në familjen e Kapiten Feti Voglit

Feb 21, 2012 | 16:45

TIRANE- Kryeministri Sali Berisha ishte sot në shtëpinë e familjes së Kapiten Feti Voglit, efektiv i forcave të kontingjentit “Eagle 4” në Afganistan, i cili ra dje, në krye të detyrës, në Kandahar.

Kryeministri u shprehu prindërve, bashkëshortes dhe të afërmve ngushëllimet për humbjen e jetës së njeriut të tyre të dashur, por edhe nderimin për sakrificën e Kapiten Voglit, në emër të paqes dhe lirisë.

Gjatë një prononcimi për mediat, kreu i qeverisë u shpreh se; “Kapiten Feti Vogli, ra për t’u bërë i pavdekshëm, në një mision fisnik paqeje, në Kandahar, Afganistan. Cilido që e ka njohur, ka njohur tek biri i kësaj familje, tek Kapiten Feti Vogli virtytet më të arrira të një njeriu të mrekullueshëm, të një ushtaraku të përgjegjshëm, një bashkëshorti dhe djali shembullor.

Duke vlerësuar lart kontributin e të ndjerit, Berisha tha se “ky burrë i dha nder çdo shqiptari, me sakrificën e tij sublime, në emër të paqes, jetës e lirisë, për të cilën u sakrifikua.”

Kryeministri foli edhe për gjendjen shëndetësore të Nëntetar Aleksandër Peçit, ku njoftoi se; “Informacionet e fundit janë që brenda një kohe të shkurtër do të transportohet nga spitali, në të cilin ndodhet në Kandahar, në një spital të posaçëm në Gjermani dhe uroj që të ketë një ecuri sa më të mbarë dhe shërim të shpejtë. Gjendja e tij shëndetësore, natyrisht, ka problemet e veta, por mjekësia amerikane do të bëjë gjithçka për t’i shpëtuar jetën Aleksandrit”

© Panorama.al

Te lidhura