Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në një konferencë të posaçme për shtyp se raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet lokale i vlerëson ato si transparente. “Raporti, me një kthjelltësi të kristaltë, i vlerëson zgjedhjet vendore të majit në Shqipëri si zgjedhje kompetitive, si zgjedhje transparente dhe si zgjedhje, aspektet pozitive të të cilave kanë hedhur bazat e progresit të ardhshëm. Por, kompetiviteti në Kartën e Kopenhagës ka një element thelbësor tjetër, barazinë në burimet financiare, materiale të maxhorancës dhe opozitës. Ekipi i ODIHR-it vlerëson zgjedhjet transparente dhe kjo i bën një nder të madh tërë sistemit zgjedhor. Kjo është një meritë e veçantë e këtij sistemi dhe në qoftë se e para dëshmon, mbi të gjitha, një vullnet të hekurt politik, e dyta dëshmon një funksionim të shtetit ligjor. Shteti ligjor funksionoi. Çdo votë u hodh, u numërua, u vlerësua, u llogarit në mënyrën më transparente. Ndaj, këto zgjedhje merituan të vlerësohen si zgjedhje transparente”, deklaroi Berisha, i cili shtoi për gazetarët se “raporti thotë anët pozitive të këtyre zgjedhjeve, që shërbejnë si bazë për progres të ardhshëm. Po ta përkthejmë me gjuhën tuaj, nëse ishte një hap para apo prapa, ishte një hap para. Në rastin konkret, po ta lexoni më tej raportin, ai thotë se dy kolegjet zgjedhore i dhanë të drejtë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në vendimin e tij. Pra, raporti nuk thotë tamam ashtu siç thatë ju, ka shprehjen se baza për ne është e paqartë, por kur vjen te çështja, thotë se gjykata mbështet vendimin e KQZ-së, sikundër thotë se gjykata rrëzoi dy vendime të KQZ-së që kishin të bënin me median a diçka të kësaj natyre”. Ai e ftoi kreun e opozitës për të bashkëpunuar për reformën zgjedhore në bazë të rekomandimeve të raportit, ndërsa rrëzoi çdo mundësi për ndryshime në Kushtetutë. “U garantoj se nuk do të kishte asgjë më qesharake dhe jo serioze në këtë vend, sesa të ndryshojë Kushtetuta çdo tre vjet, siç mendon ai që i vjen për shtat. Nuk po e personalizoj aspak çështjen me zotin Edi Rama, por e them për cilindo person. Kurrë, Kushtetuta nuk mund të ndryshojë në këtë mënyrë dhe nuk do të ishte më qesharake dhe jo serioze për një vend, në qoftë se do të tallej me themelet e shtetit të vet në këtë mënyrë. Kam njëzet vjet që marr pjesë në samite. Nuk më ka rastisur kurrë të shoh President të zgjedhur nga Parlamenti që të shtyhet në foton familjare me Kryeministrin e vendit të tij. Këtë e kam parë me ata që zgjidhen nga populli, ndonëse simbolikë. Unë nuk jam as për zgjedhjen nga populli”, tha ai.











