Berisha: S’ka asnjë fishek të trafikuar, PS të ngrejë komision.
“Në qershor të 2013 respektoj verdiktin e qytetarëve”
“Do ndryshojmë Kushtetutën vetëm për imunitetet, s’do ta bëjmë si vegun e Penelopës”
Në daljen e parë për mediat që pas zgjedhjes së Presidentit, Kryeministri Sali Berisha u dha përgjigje dje çështjeve më të nxehta të aktualitetit. Berisha ka hedhur poshtë akuzat e opozitës për trafik armësh dhe përgjime të deputetëve të majtë. Kreu i qeverisë kërkoi nga opozita të ngrejë komision hetimor parlamentar nëse kërkon të faktojë akuzat, që sipas Berishës janë shpifje dhe paranojë e liderit të opozitës. Shefi i maxhorancës iu përgjigj dhe temave të tjera, për marrëdhëniet me aleatët, reformën zgjedhore, nismën e heqjes së imunitetit dhe ndryshimit të Kushtetutës. Duke iu referuar pretendimeve të ngritura nga Partia Socialiste, për sa i takon hetimit parlamentar ndaj ministrit të Mbrojtjes Imami dhe Ministrisë së Mbrojtjes për çështjen e një trafiku të armëve. Pyetja ime është e drejtpërdrejtë: a ka pasur trafik të armëve dhe përgjime për opozitën e diplomatët e huaj, siç pretendon opozita?
Ju garantoj ju dhe të gjithë shqiptarët se në mënyrë kategorike, absolute, nuk ekziston qoftë edhe një fishek i trafikuar nga ky vend. Procedurat e eksportit të armëve, në përputhje me ligjet e vendit dhe ato ndërkombëtare, janë plotësisht transparente. Pra, këta zotërinj kërkojnë teatralitet para mediave. A mund t’u shtroni pyetjen: kush i pengoi të paraqesin kërkesë për komision hetimor parlamentar dhe përse nuk e paraqitën? Kontrolli parlamentar, kontrolli administrativ, kontrolli i shtetit, që të gjitha kanë procedurën e tyre ligjore dhe asgjë nuk mund të bëhet jashtë tyre. Ata e dinë që nuk ka trafik, por nuk u intereson kjo, u intereson shpifja. Ata e dinë që nuk ekziston në mënyrë kategorike, absolute, asnjë praktikë e tillë, por kjo nuk ka rëndësi për ta. Për sa i përket regjistrimit, duhet të them se ky është një sindrom i tmerrshëm obsesiv i Edi Ramës, i cili çdo mëngjes, kur shkon në zyrë, kthen përmbys kolltukët. A mund të udhëhiqet një parti nga obsesione të tilla?! Ushtria shqiptare ka zbatuar e zbaton rregulla të plota si institucion i depolitizuar. Ushtria shqiptare ka pasur, ka e do të ketë të gjitha mjetet që asaj i duhen për të përmbushur detyrat e detyrimet e saj kombëtare e ndërkombëtare. A jeni penduar që nuk e pranuat propozimin e zotit Rama, kur një nga katër propozimet e tij ishte heqja e imunitetit, kur negocionit për Presidentin, sepse PS-ja duket se do ta shtyjë këtë projekt pas këtij sesioni?
E garantoj zotin Rama se edhe në ligjin tjetër, të 2016-s, sërish do t’i bëhet çdo lëshim që ai ka nevojë, pasi ne ndahemi në dy koncepte. Përveç asaj që thashë se i takon qeverisë të japë siguritë, unë besoj tërësisht se nuk është ligji që të jep fitoren, por janë qytetarët shqiptarë, janë zgjedhësit. Zoti Rama beson se fiton nëpërmjet ligjit. Unë e vlerësoj faktin se ai është i kënaqur me reformën, por më trishton pak fakti që ai kënaqësinë më të madhe e ka për ndryshimet që u bënë për Tiranën, pasi gjuha shkon ku dhemb dhembi. Na vunë kusht ose të kontrollohen një më një zgjedhësit në Tiranë, ose s’bëhet. Unë e mirëkuptova dhe vumë kontrollin e kartës së identitetit, njëlloj si në kufi. Zgjedhësit do të futen në qendrën e votimit, sikur po hyn në një pikë kalimi kufitar. Por ai e kërkoi dhe unë e pranova. Ju e të gjithë shqiptarët jeni dëshmitarë se Partia Socialiste kundërshtonte heqjen e imunitetit nëpërmjet ndryshimit të ligjeve organike dhe kërkoi ndryshimin e Kushtetutës, edhe pse kjo ishte rekomanduar nga Komisioni i Venecias. Është shumica ajo që bëri lëshimin. E kam thënë edhe më parë se zoti Rama e ka shumë të vështirë të dallojë fitoren nga disfata. Ai po fiton, pasi para të gjithë shqiptarëve kërkoi heqjen e imunitetit me Kushtetutë dhe ne, që më parë e kishim kundërshtuar këtë, tani po themi po. Zoti Rama thotë se këshilli i miliarderëve është në anën time. Atëherë e pyes, zoti Rama, ti po mbron këshillin tim të miliarderëve, ministrat e mi? Nuk mund të ndodhë kurrë që një lider opozite të mbajë qeverinë me imunitetit. Ndaj uroj e dëshiroj ta kalojmë. Ajo që opozita po tenton, është jo vetëm të ndryshojë Kushtetuta për imunitetin, por edhe për çështje të tjera. Do të ishit i gatshëm për këtë? A ka nevojë Kushtetuta për ndërhyrje të tjera?
Unë gjykoj se për Kushtetutën e Shqipërisë nuk ka në mënyrë kategorike veçse komente e vlerësime ndër më pozitivet. Në vitin 2008, me zotin Rama, ne bëmë një reformë kushtetuese që unë do ta quaja të një rëndësie shumë të madhe për vendin. Por ai është si puna e haxhi pishmanit, pendohet për çdo veprim që bën. Unë nuk pendohem. Kur del gabim, unë mbaj përgjegjësi. Pendimi nuk shërben. Tani, ai thotë se është ngutur. Sërish nuk është i sinqertë. Nuk u ngutëm, por është punuar katër muaj për to, me grupet e mirëbesimit. Mund të ketë qenë procedura në fund, por puna ka qenë shumë mujore. Kushtetuta me ato ndryshime ju garantoj se është sot një nga dokumentet më të shkëlqyer ligjor për të drejtën kushtetuese moderne. Por që ta bëjmë Kushtetutën si vegun e Penelopës, e kam deklaruar këtë nuk mund ta bëj. Po, imuniteti është një standard i tepërt në Kushtetutë, sepse imuniteti ka ardhur duke u hequr progresivisht, derisa sot ka vende që kanë zero imunitet. Nuk mund të kërkosh tani për ta shpërbërë Kushtetutën mbi bazën e pendesës, që në fakt ia induktojnë të tjerët, sepse thellë në vetvete ai nuk mund të ketë. Unë besoj se ai ka qenë një akt shumë mirë i medituar. Pyetja ka të bëjë me reformën zgjedhore, lidhur me kërkesat e partive të vogla, aleate si të Partisë Socialiste, ashtu edhe të Partisë Demokratike. Bashkëkryetari socialist i Komisionit për Reformën Zgjedhore ka thënë se ishte PD-ja ajo që nuk donte të merrte parasysh kërkesën për korrektimin e sistemit zgjedhor. Si qëndron e vërteta?
Po e shpjegoj me një shembull. Gjatë periudhës së dialogut për Presidentin, u ula me zotin Rama dhe zotin Ruçi. Një bisedë e shtruar dhe gjykoj se ai proces i shërbeu shumë vendit. Në mënyrë të papritur, kur, sapo zoti Shpëtim Idrizi përmendi emrin e Fatos Nanos, Gramoz Ruçi kërcen e më thotë mua se nuk isha dakord me Nanon. I them se qëndrimin tim e kam bërë publik, se zoti Nano është lider historik i së majtës dhe po të jetë për këtë, votoja një figurë historike të së djathtës e nuk mund të votoja figurë të së majtës. Ti, i them zotit Ruçi, para një jave drekove 4 orë me zotin Nano. Po, më thotë Ruçi, por atij (Nanos) i thashë se çfarë shërbimesh i ke bërë PS-së dhe çfarë shërbimesh i ke bërë Berishës. Këtë shembull e përmenda për të nxjerrë në pah të vërtetat e deklaratave të tyre, pasi e kanë më të lehtë të akuzojnë Berishës për gjithçka. Për sa i përket kërkesës së partive të vogla për korrektimin kombëtar të sistemit, ka mundësi të merret parasysh në vjeshtë të këtij viti apo vitin që vjen?
Por a kam unë tagër të flas për një reformë që mezi e kryem, për shkak të një atmosfere, ku çdo germë shihej me lupë? Unë jam shumë i kënaqur që u përfundua, por nuk ka qenë proces i thjeshtë. Ishte një proces hektik. Me gjithë dëshirën që mund të kem, unë nuk kam tagër të them se do të hapet sërish reforma. Po ta kisha shkruar unë atë ligj, do ta shkruaja dhjetë herë ndryshe. Partitë e vogla, midis të cilëve edhe aleatë tuaj, e kanë cilësuar pazar këtë marrëveshje, që nuk sjell përmirësime, por është bërë për t’u hedhur hi syve ndërkombëtarëve. Duke pasur parasysh që çelësi i suksesit në procesin zgjedhor varet shumë nga madhësia e koalicioneve, mendoni se do keni probleme?
Aleatët i garantoj se u përpoqa të bëj më të mirën e mundshme, por kapitulli i aleancës me ta është një kapitull luajaliteti, besnikërie e mirëkuptimi. Që nga dita e parë që jam në politikë e gjer më sot, po t’u referohesh mediave kundërshtare dhe jo vetëm, nuk do të gjeni kurrë në to një fjali të vetme se Sali Berisha na tradhtoi. Unë kam besimin tek aleatët dhe jo tradhtinë ndaj tyre, ndaj do të bëj gjithçka për të konsoliduar koalicionin më të shkëlqyer në zgjedhjet e ardhme. Ju folët për një koalicion të shkëlqyer në 2013-n, a do të jetë partia e zotit Topi pjesë e tij?
Historiku i krijimit të kësaj force është një ëndërr e Edi Ramës. Unë nuk mund t’ia marr ëndrrën Edi Ramës, se jam njeri që i respektoj ëndrrat. E dëgjuat kur tha se më dukej si byro politike, por kur ishte vetë zëvendëskryetar i Byrosë politike, nuk i dukej e tillë dhe kur nuk ishte më, tha aty më dukej si byro politike. Të mos ia prekim ëndrrën Edi Ramës! T’ia lëmë siç e ka! Zoti Kryeministër, po lidhur me reformën parlamentare a do pranohen kërkesat e Partisë Socialiste?
Të gjitha kërkesat e PS-së janë pranuar, përveç një kërkese. Zoti Rama kërkon që lideri i opozitës të sanksionohet në Kushtetutë me të njëjtën të drejtë me Kryeministrin. Por këtu ka një problem. Për shembull në Shqipëri, lideri i opozitës nuk është në Parlament. Kryetari i Grupit Parlamentar nuk është lideri i opozitës, është kryetar i Grupit Parlamentar. Ndaj në rast se ai e gjen një vend që e ka të sanksionuar në Kushtetutë, një të drejtë të tillë, unë edhe këtë do ta pranoj. Në të kundërt, unë nuk mund të krijoj Kushtetutë “sui generis”, sipas llojit. Më kërkon që të ndryshojmë Kushtetutën për Gramozin, gjë të cilën nuk e kërkon vetë Gramozi. Megjithatë janë bërë lëshime të shumta. Zoti Kryeministër, si i gjykoni zërat kritikë së fundmi, të dy deputetëve tuaj, për një rithemelim të PD-së dhe kërkesën për ndryshime të thella në qeveri?
PD-ja është parti e fjalës së lirë. Nuk ekziston kurrë në këtë parti dhe nuk do të ekzistojë tendenca më e vogël e trysnisë mbi mendimin e fjalën e lirë. Ne e kemi faktuar këtë. Ju e dini të gjithë se kur vjen puna për të folur, në krahun tjetër, një përgjigje pa leje nuk jua japin. Unë ju ftoj ta kundërshtoni këtë në emër të respektit për fjalën e lirë. Nëse në zgjedhjet e 2013 ne do të kemi mundësi të vëzhgojmë humbësin që do të urojë fituesin dhe sigurisht pranimin e rezultateve, kjo pyetje është në titullin e Kryeministrit. Ndërsa në atë të kryetarit të Partisë Demokratike, pas zgjedhjeve të 2013-s, që sigurisht ju i parashikoni të fituara, në rast humbjeje, çfarë do të bëjë Sali Berisha?
Së pari, edhe si Kryeministër, edhe si kryetar partie, unë shkoj në këto zgjidhje me vendimin e parë të pandryshuar, të pranoj verdiktin e qytetarëve shqiptarë. Së dyti, kur njeriu imagjinon të paimagjinueshmen është puna e tij, por të garantoj se në politikën e këtij vendi, çfarëdo që të votojnë qytetarët shqiptarë, unë do t’u them faleminderit, sepse jam shumë, shumë i detyruar ndaj tyre. Jam i bindur se do votojnë për vazhdimin e projektit që kemi përpara, për një mandat të paprecedent në histori, por çdo verdikt që do të japin do të respektohet me vendosmërinë më të madhe. Deklaratat tuaja për rivlerësimin e figurave historike dhe të vetë historisë, zoti Kryeministër, kanë ngjallur jo pak reagime e debat publik. Ju jeni akuzuar për revansh. Pyetja ime është e drejtpërdrejtë: revansh në emër të kujt, në rast se ka dhe a është revanshi qëllimi juaj?
Këtyre zotërinjve, që u duket se po jua prekin pavarësinë, ju garantoj se asgjë nuk mund të më pengojë, qoftë si Kryeministër, intelektual apo qytetar, për të mos mbrojtur ato të vërteta që besoj. Ne erdhëm si komb me histori të ndaluar, me histori të falsifikuar. Ne kemi përgjegjësi para vetes, por, mbi të gjitha, para fëmijëve tanë, të mësojmë të vërtetat. Nuk ka diskutim që kjo Shqipëri është bërë nga patriotët. Ata që e kanë dashur e kanë bërë këtë vend dhe pa dashurinë, përkushtimin e sakrificën e tyre, ky vend nuk do të ishte sot 100-vjeçar. Por kjo nuk mund të na pengojë të shohim të gjitha dritëhijet e historisë sonë. Ata të cilët duan ta shohin historinë me gjyzlykët e hoxhizmit, harrojnë se ato janë me syzet e falsifikimit. Ideja se Berisha po nxjerr në pah figura nga Veriu e Kosova është thellësisht e kryekëput antikombëtare. Nëse dikush mendon se Veriu e Kosova duhet të përjashtohen nga historia kombëtare, nuk ka qëndrim më antikombëtar se ky. Unë jam i bindur se Enver Hoxha e përjashtoi Ahmet Zogun se ishte nga Mati. Jo! Por sepse ai e errësonte çdo ditë pushtetin e tij mizor dhe e kërcënonte. Hoxha bëri gjithçka për të hedhur një mal shpifjesh e trillimesh ndaj tij e luftëtarëve që vazhduan luftën dhe ne duhet të themi se ishin agjentë të këtij apo atij. Të themi se Enver Hoxha, i cili bëri gjithçka për ta shndërruar Shqipërinë në republikë të 7-të jugosllave; Nuk bëri këtë, por e bëri Abaz Kupi se u thirr nga Stambolli në Beograd, për t’u mbështetur në rezistencën e tij të armatosur. Historia duhet të gjykohet në kontekstin e kohës e të rrethanave.
Gjoni: Duam kontroll parlamentar te Mbrojtja, jo komision hetimor
Reagon deputeti socialist pas deklaratave të Kryeministrit
Ilir Gjoni në konferencë për shtyp
Nënkryetari i Komisionit parlamentar të Sigurisë, deputeti socialist Ilir Gjoni, iu përgjigj deklaratave të Kryeministrit Berisha përmes adresës së tij në Facebook. Sipas tij, Komisioni i Sigurisë, PD dhe PS kërkon mbikëqyrje parlamentare në Ministrinë e Mbrojtjes dhe jo komision hetimor parlamentar. “Sali Berisha, një demagog i keq e bajat, përsëri sot u rrek t’u mbushte mendjen shqiptarëve se ai është burri me qibar i këtij vendi. I zënë ngushtë me mbikëqyrjen parlamentare ndaj Ministrisë së Mbrojtjes të kërkuar nga opozita dhe të miratuar me konsensus e pa asnjë debat dhe nga përfaqësuesit e tij në Komisionin e Sigurisë, ai dëshpërimisht dhe pafytyrësisht, si gjithmonë, fajtorin e kërkon te opozita. Qëllimisht ngatërron opinionin publik me komisionet hetimore. Komisioni i Sigurisë i Parlamentit nuk ka kërkuar komision hetimor, por në bazë të Rregullores të Kuvendit ka kërkuar mbikëqyrje në institucionin e Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo i është njoftuar ministrit dy herë me shkresë zyrtare nga kryetari i Komisionit, i cili është deputet i partisë ku Saliu është kryetar”, shprehet Gjoni në adresën e tij. Deputeti socialist akuzoi Kryeministrin se përgjimet e kundërshtarëve janë gjë e zakonshme në jetën e kreut të qeverisë. “Sa për përgjimet, ai e ka treguar se e ka mënyrë jetese dhe meny të përditshme. Rasti i degjenerimit publik që i bëri Artan Hoxhës, flet vetë dhe tregon qartë se çfarë soj politikani është ky”, shprehet Gjoni.
Balla: Zyla dha dorëheqjen pas fakteve për trafik armësh
Taulant Balla
Deputeti socialist Taulant Balla si reagim ndaj deklaratave të Kryeministrit ndaj akuzave për tregti armësh në Ministrinë e Mbrojtjes, tha se duhet t’u japë shpjegime shqiptarëve. “Sali Berishën e tradhtoi fytyra e tij sot, kur u mundua të mohonte dyshimet për trafikun e armëve dhe skandalin e përgjimeve. Prandaj ai duhet t’u japë përgjigje shqiptarëve, se nëse nuk paska trafik armësh dhe përgjime të paligjshme, përse drejtori i Shërbimit Informativ të Ushtrisë, Ylli Zyla, dha dorëheqjen pas publikimit të dokumenteve zyrtare të lidhjes së tij dhe bashkëshortes së tij me shitjen dhe me trafikun e armëve. Sali Berisha i di mirë arsyet, sepse ish-drejtori i SHIU-t, Ylli Zyla, është një ndër të paktët njerëz që hyn pothuajse çdo ditë në zyrën e tij në Kryeministri”, tha Balla. Deputeti socialist solli në vëmendje një fakt të bllokimit të një projektligji në Kuvend të hartuar nga ekspertë britanikë. “Më lejoni të bëj publik gjithashtu një fakt të ri, që përbën në vetvete një skandal tjetër shumë të rëndë në keqpërdorimin e Kuvendit dhe të kryetares së Kuvendit nga Sali Berisha. Ka më shumë se 1 vit që në sirtarët e Jozefinës mbahet peng një projektligj i përgatitur nga ekspertë britanikë, në kuadër të një projekti të posaçëm të financuar nga OSBE, për mbikëqyrjen parlamentare të institucioneve të inteligjencës. Sali Berisha duhet të sqarojë se përse ai dhe kryetarja e Kuvendit mbajnë peng miratimin e këtij projektligji që përbën një domosdoshmëri në kuadër edhe të angazhimeve që Shqipëria ka si vend anëtar i NATO-s”, u shpreh Balla.
Në Twitter, Rama: Berisha i përket të shkuarës Kryesocialisti Edi Rama ka reaguar dje nëpërmjet rrjetit “Twitter” pas konferencës për shtyp të Kryeministrit Sali Berisha, i cili hodhi poshtë akuzat e opozitës për trafik armësh dhe përgjime të deputetëve. Berisha deklaroi në konferencë se Rama do t’i fitojë me ligj zgjedhjet, kurse Kryeministri i fiton me vota. Në reagimin e tij në “Twitter”, Rama shkruan se Berisha është e shkuara që synon të mbajë shqiptarët peng të dasive. Por, sipas Ramës, ata do të ndërtojnë një të ardhme pa dasi e sherre. “Kryeministri është e shkuara, flet në emër të së shkuarës. Me gjuhën e së shkuarës. Për t’i mbajtur shqiptarët peng të dasive e mendësive të shkuara. Sfida jone është e ardhmja që duam të ndërtojmë. Pa dasi e sherre dhe me një gjuhë e mendësi të re, duke thënë ç’do bëjmë, e bërë ç’do themi,” shkruan Rama.
Arvizu: Votojeni brenda 6 gushtit
Ambasadori amerikan në Tiranë kërkon angazhimin e forcave politike për heqjen e imuniteteve “Nëse s’ndodh, zhgënjim shumë i madh për SHBA-të”
Ambasadori Arvizu
Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu, deklaroi dje se në rast se partitë politike nuk finalizojnë në datën 6 gusht heqjen e imunitetit me anë të ndryshimeve kushtetuese, kjo do të krijonte një zhgënjim të madh në sy të ndërkombëtarëve. Diplomati i SHBA-ve këtë deklaratë e bëri dje nga qyteti i Gjirokastrës, ku u shpreh se pas imunitetit po fshihen shumë gjyqtarë dhe politikanë hajdutë, dhe për këtë arsye partitë parlamentare duhet të arrijnë një marrëveshje. “Mendoj që janë duke qarkulluar versione, drafte të ndryshme. PD ka përgatitur një draft, po ashtu edhe LSI-ja, kështu që qartazi të gjithë duan të bëjnë diçka për heqjen e imunitetit, ndaj mendoj se kjo është jetike dhe e rëndësishme, sepse ka gjyqtarë të mirë, ka parlamentarë të mirë, po gjithashtu ka edhe hajdutë mes tyre. Atëherë duhet të ketë një marrëveshje për heqjen e imuniteteve. Bashkësia ndërkombëtare dëshiron të ndihmojë në këtë drejtim dhe ne jemi të vendosur ta bëjmë këtë gjë, por në fakt aksioni, veprimi i vërtetë, do të qëndrojë, do të mbetet me partitë. Por, presim që më 6 gusht të kalohet diçka, duhet patjetër të miratohet diçka, sepse nëse nuk ndodh, atëherë ky do të jetë një zhgënjim shumë i madh për SHBA-të, prandaj ata duhet ta realizojnë këtë”, u shpreh i prerë ambasadori amerikan. Një tjetër apel për arritjen e një marrëveshjeje për çështjen e imunitetit erdhi dje dhe nga diplomatja gjermane, Karola Muller Holtkemper, e cila nga qyteti i Korçës theksoi: “Me sa di unë është formuluar një draft dhe po shoqërohet me debate të mëtejshme. Mendimi im është që drafti të kalojë në Parlament më 6 gusht dhe të miratohet”. Reforma Zgjedhore
Dy diplomatët e akredituar në Tiranë kanë lëshuar dje mesazhe për politikën, që të vijojnë punën për plotësimin e rekomandimeve të mbetura. Ambasadori i SHBA-ve theksoi se marrja e statusit të vendit kandidat kërkon punë serioze dhe jo një proces fasadë. “Në fakt, SHBA-të nuk kanë votë që vendi juaj të marrë statusin e kandidatit në BE, por qartësisht ne mbështesim qëllimin e thënë nga të gjithë drejtuesit e Shqipërisë, që vendi juaj të bëhet pjesë e BE-së”, u shpreh Arvizu. Edhe diplomatja gjermane theksoi se palët duhet të vijojnë plotësimin e 12 kritereve. “Për momentin mund të them se është bërë progres në disa prej tyre, por ka edhe shumë për t’u bërë, veçanërisht në fushën e ligjit dhe gjykatave, luftën kundër krimit dhe korrupsionit’, tha Holtkemper.
Arvizu për KQZ
Diplomati i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu, shprehu dje kënaqësinë e tij për paktin PD-PS për reformën zgjedhore dhe veçanërisht për rikompozimin e KQZ-së. “Jam veçanërisht i kënaqur që palët kanë arritur një marrëveshje për Kodin Elektoral. Kjo ka qenë shumë e rëndësishme, sepse në thelb të tij ka qenë KQZ-ja dhe duke parë performancën në të shkuarën të KQZ-së, është e qartë që ishte i nevojshëm një mekanizëm i ri që t’i jepte besim njerëzve. Ndaj jam i kënaqur që ka një format të ri për këtë”, tha Arvizu
Partitë e vogla
Ambasadorja gjermane u shpreh dje se ankesat e partive të vogla për reformën zgjedhore janë të kuptueshme, por ato duhet ë trajtohen në një fazë të dytë. “Jemi të kënaqur që Kodi Elektoral u reformua brenda afatit të përcaktuar, edhe pse kjo ndodhi në limitet e fundit. Megjithëse është e kuptueshme që partitë e vogla të kenë pakënaqësi dhe këto ankesa duhet të diskutohen më vonë, por për momentin e rëndësishme është baza për zgjedhje të qëndrueshme në 2013”, u shpreh Holtkemper.