
Kryeministri është ndalur dje në Bulqizë dhe Dibër për të parë nga afër punën për hapjen e rrugëve.
“Përballojmë dimra më të mëdhenj, tek ne 1 i vdekur, në Europë 560”
Kryeministri Sali Berisha është ndalur dje në Bulqizë dhe Dibër, për të parë nga afër punën për hapjen e rrugëve nga bora. Gjatë takimeve me Shtabin e Emergjencës në këto dy qytete, kreu i qeverisë tha se kjo situatë e gjeti shtetin të përgatitur për ta përballuar atë. Sipas tij, reshjet e borës me një intensitet kaq të madh nuk kishin rënë në Shqipëri gjatë 27 viteve të fundit. Kjo ndikoi edhe në faktin se brenda tri ditëve u mbuluan nga bora 106 komuna me rreth 800 mijë banorë. “Vendi është plotësisht i përgatitur për t’u përballur me dimra si ky, e më të mëdha se ky. Dua t’ju rikujtoj vetëm një moment. 5-6 vjet më parë, kur pati bllokim në Qafë të Buallit, me vështirësi kemi gjetur një apo dy borëpastruese për të ardhur në ndihmë, ndërsa sot, prefekti raportoi se janë 40 mjete të ndryshme, në të katër anët e qarkut, duke hapur rrugët. Në rast se një javë më parë ishin totalisht të bllokuara 106 komuna e bashki të vendit, sot kanë mbetur 17 dhe shpresoj që në darkë të mos jenë më shumë se 10-12”, u shpreh kreu i ekzekutivit. Ai tha se provë e gatishmërisë së shtetit është edhe fakti se gjatë gjithë kësaj periudhe është shënuar vetëm një viktimë, ndërsa në Europë numërohen 560. “Në rast se vende të tjera numërojnë dhjetëra të vdekur, ne kemi bërë gjithçka që të shpëtojmë jetë. Dhe ju keni meritën e madhe që ia dolët të hapnit rrugët në qendër të komunës. Ne kemi angazhuar fonde që ju të hapni rrugët e fshatrave. Natyrisht, në një emergjencë, ne ecim gjithnjë me praktikën sa më të studiuar, por ne disponojmë çdo mjet për t’iu përgjigjur pa asnjë vështirësi të gjithë problematikës së krijuar nga emergjenca e borës apo të tjera”, tha Berisha. Sipas tij “Në tërësi, bashkëpunimi ka qenë i shkëlqyer, pavarësisht nga përkatësia partiake, por ndonjë tek-tuk e ka mbajtur Kasandra e së keqes, i cili mendoi se ra bora dhe ‘mbinë votat’, si p.sh. atë të Kalasë së Dodës, me siguri e ka mbajtur kryetari i tij”.
© Panorama.al“Pastroni çatitë nga bora”
Nga Bulqiza dhe Dibra, kreu i qeverisë ka bërë sërish thirrje për pastrimin e çative. “Të pastrojmë e zbulojmë çatitë! Nënvlerësimi i tyre përbën një rrezik serioz mbi kokën tuaj e të fëmijëve tuaj. Kjo është e vërteta. Dy janë problemet më të mëdha të dëborës: çatitë dhe ortekët. Këto janë edhe rreziqet më imediate. Ndaj u bëj thirrje kryepleqve dhe kryetarëve të komunave të këtij qarku dhe të të gjitha qarqeve të tjera ta marrin me seriozitetin më të madh këtë problem”, u shpreh kreu i qeverisë.











