Ngjarjet që janë lënë në harresë, ripozicionimi i Kongresit të Lushnjes në histori, evidentimi i përpjekjeve për bashkim kombëtar, ishin në qendër të fjalës së kryeministrit, Sali Berisha në mbledhjen e rradhës së Komitetit për 100 vjetorin e Pavarësisë.
Kryeministri kërkoi që zhvillimet e mëdha historike të sillen në podiumin e 100 vjetorit me barazpeshë, objektivitet, jashtë trajtesave ideologjike.
“Historinë ne e kemi patur të vështirë dhe të dhimbshme, dhe do të ishte një gabim fatal për ne që në emër të korrigjimit të padrejtësive dhe manipulimeve të lejonim manipulime të reja. Kjo përbën një rrezik, do ishte një gjë e pafalshme për ne. Në të gjitha rastet, dhe një asnjë rast asnjë komb i qytetëruar nuk kursen atë që quhet tradhti kombëtare.”- tha kryeministri.
Kryeministri e vuri theksin tek Kongresi i Lushnjes, të cilin duke huazuar një thënie të studiuesit Aurel Plasari, e quajti një “mrekulli shqiptare”
“Në mënyre të veçantë dua të sjell në vëmendje një përqëndrim më të madh të ngjarjet, tek aktet, zhvillimet të cilat për arsye politike, ideologjike, apo të tjera janë vendosur në një harresë për kohë të gjatë dhe ato ngjarje të cilat kanë përjetuar harresën për kohë të gjatë, për fat të keq nuk janë të pakta. Harresa për kohë të gjatë ka mbuluar zhvillime ndër më madhoret në historinë tonë kombëtare, në Shqipëri, por harresa për kohë të gjatë ka mbuluar përpjekje të mëdha luftra dhe kryengritje, të trevave shqiptare ne ish Jugosllavi, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, dhe rikthimi i këtyre ngjarjeve, rivendosja e tyre në piedestalin e merituar në këtë 100 vjetor duhet të jetë dhe një nga objektivat madhore.”- tha Berisha.
Kreu i qeverise tha se këtë viti duhet të evidentohen edhe përpjekjet e shqiptarëve për bashkim kombëtar, pasi sipas tij, ato kanë qenë përpjekje të shoqëruara me sakrifica mbinjerëzore, nga njerëz të cilët për flamurin e tyre, u ngritën me të gjithë mundësinë, trimërinë dhe potencialin kundër padrejtësive historike që ju bënë shqiptarëve.
© Panorama.al











