TIRANË- Kryeministri Sali Berisha i ka propozuar sot Presidentit të vendit Bamir Topi lirimin nga detyra të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral Brigade Maksim Malaj. Sipas njoftimit zyrtar të kryeministrisë, shkak për lirimin bëhet mbarimi i mandatit. Ndërkohë që në vend të tij, kreu i qeverisë ka propozuar emërimin në këtë detyrë të Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi.
“Gjeneral Brigade Maksim Malaj, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për arsye të mbarimit të mandatit, më datë 28.7.2011, të lirohet nga kjo detyrë. Në vend të tij, sipas Berishës të emërohet Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi”- thuhet në propozimin e Berishës.
Propozimi është mbështetur në pikën 3, të nenit 169, të Kushtetutës, të neneve 7, pika 5, 16, pikat 2 e 3, dhe 30, pika 3/a, të ligjit nr.8671, datë 26.10.2000, “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 1/a, të nenit 22, të ligjit nr.9171, datë 22.1.2004, “Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.











