Berisha: Tirana blu, gëzim edhe për të djathtët europianë

Jun 24, 2011 | 10:34

Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur nga Brukseli fitoren e Lulzim Bashës me 95 vota ndaj Edi Ramës për Bashkinë e Tiranës.Në një prononcim për mediat, pas takimit të Partive Popullore Europiane, kreu i qeverisë tha se Tirana blu u shtua në hartën e vendeve që kanë votuar të djathtën në Europë. “Natyrisht, nuk mund të mohohet gëzimi që lajmi krijoi tek të gjithë bashkëbiseduesit e mi që Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, u bë blu. Pra u shtua në hartën e fitoreve të qendrës së djathtë në Europë. Dhe fitorja e qendrës së djathtë në Shqipëri në tërësi dhe në Tiranë në veçanti”, u shpreh Kryeministri. Në të njëjtën kohë, Berisha tha se gjatë takimit me liderët e partive të djathta europiane diskutoi për garën e ngushtë në Tiranë dhe procesin e ankimimit. “Pata rastin të informoja gjerësisht bashkëbiseduesit e mi me transparencën absolute të numërimit, të nxjerrjes së çdo vote në televizion. Diskutuam gjerësisht. I njoha me vendimet e Kolegjit Zgjedhor, me zbatimin me përpikëri të këtyre vendimeve dhe provën e shkëlqyer në të cilën kaloi shteti ligjor. Garat e ngushta, për çdo vend e çdo demokraci, janë, para së gjithash, provë e shtetit ligjor. Mendoj se shteti ligjor në Shqipëri dëshmoi funksionalitet të plotë, dëshmoi maturi të plotë”, theksoi më tej Berisha. I pyetur për hapin e ri të opozitës, e cila pritet t’i drejtohet sërish Kolegjit Zgjedhor për rezultatin e Tiranës, kreu i Ekzekutivit kërkoi që të kihet besim ndaj Gjyqësorit. “Aspak nuk më shqetëson. Opozita dhe çdo qytetar ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës. E rëndësishme është që duhet t’i shprehim besim gjykatës, jo njëri vendim që na pëlqen e duartrokasim, vendimin tjetër e anatemojmë. Opozita ka të drejtë t’i drejtohet në përputhje me ligjin. Është normale”.
Ligjet me 3/5
Berisha i bëri thirrje sërish opozitës të paraqesë amendamentet e saj për ligjet me shumicë të cilësuar si dhe të propozojë kandidatët që kërkojnë 84 vota. “Unë mendoj se përdorimi i fuqisë i pushtetit që të kanë dhënë zgjedhësit për të bllokuar dhe jo për të votuar, sigurisht që ka një çmim për vendin, por çmimin më të madh e ka për atë që e përdor në këtë mënyrë. Uroj dhe dëshiroj që në ofertën e bërë nga qeveria edhe para tri ditësh, dhe që sërish do të përsëritet, opozita të përfitojë për të dhënë kontributin e saj real në proceset e integrimit. Shteti ligjor është kushti më themelor për funksionimin e një shoqërie të lirë, është kushti më themelor për veprimtarinë normale të një opozite, por është njëkohësisht dhe kushti i të gjitha kushteve për suksesin e reformave”, tha Berisha. Sipas tij, “në kuadrin e këtij parimi të madh mendoj se të gjitha zgjidhjet janë të mundshme. Opozita është e ftuar të bëjë të gjitha amendamentet, e ftuar të bëjë të gjitha propozimet e të gjitha kandidaturave që janë me 3/5. Uroj dhe dëshiroj që ta lexojnë mesazhin siç duhet. Opozita e lexon, por ca të tjerë që donin të përfitonin nga kjo lloj oferte ngatërruan edhe mediat, mirë të tjerat”.

Ditëlindja e PPE-ve

Kryeministri Berisha mori pjesë në 35-vjetorin e themelimit të Partive Popullore Europiane. “Është një ngjarje e jashtëzakonshme 35-vjetori i themelimit të forcës promotore që ndërtoi Europën, Partisë Popullore Europiane, që me vlerat që mbrojti dhe zhvilloi u shndërrua në një faktor përcaktues të përmbysjes së perdes së hekurt dhe lirisë së kombeve të shtypura nga diktaturat totalitare”, u shpreh Kryeministri.

Kriza

I pyetur mbi krizën ekonomike në Greqi dhe situatën në Shqipëri, Berisha tha se “ekonomia shqiptare, në të gjitha vlerësimet, nuk ka njohur dhe nuk do të njohë recesionin. E vërteta është që kriza aktuale e borxheve, le ta quajmë kështu, është një krizë shumë problematike. Një krizë, e cila në samitin që sapo përfundoi mori një pjesë të gjerë të diskutimit, por shqiptarët dhe Shqipëria, në sajë të modelit ekonomik të aplikuar nga qeveria, janë tërësisht jashtë krize”.

Takimet

Sipas zyrës së shtypit, gjatë qëndrimit në Bruksel, Kryeministri u takua me Kancelaren gjermane Angela Merkel, me Kryeministrin italian, Silvio Berluskoni, me Presidentin e Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, me Kryeministrin hungarez, Viktor Orban. Gjithashtu, kreu i qeverisë pati takime me Presidentin e PPE-së, Ëilfried Martens, me zëvendëspresidentin e Komisionit Europian, Antonio Tajan, me kryetarin e grupit të PPE, Joseph Daul, me kryetarin e Parlamentit Europian, Buzek.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura