Berisha priti sot kreun e PDSH, Menduh Thaçi

Jul 26, 2011 | 16:53

TIRANE- Kryeministri Berisha priti sot, në takim, kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë (PDSH), Menduh Thaçi, ku në qendër të bisedës së tyre ishte çështja kombëtare si dhe zgjedhjet në Maqedoni e Shqipëri.

Në njoftimin e kryeministrisë thuhet, se kryeministri Berisha e uroi zotin Thaçi për rezultatin e arritur në zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoni dhe vlerësoi qëndrimin konstruktiv dhe pro integrimit euroatlantik që PDSH, por edhe partitë e tjera shqiptare demonstruan gjatë fushatës elektorale në Maqedoni.

Ndërkohë, Thaçi ka uruar kryeministrin Berisha për përmbylljen me sukses të procesit zgjedhor të zgjedhjeve vendore të 8 majit, si dhe për fitoren në Tiranë.

Vetë kryeministri Berisha theksoi se ky ishte një proces tërësisht transparent, bazuar mbi parimin themelor se vota e lirë e çdo qytetari duhet numëruar, parim që u konfirmua edhe nga vendimet e gjykatës.

Thaçi e falënderoi kryeministrin edhe për kontributin e rëndësishëm në shërbim të çështjes kombëtare që Shqipëria dhe qeveria shqiptare kanë luajtur dhe vijojnë të dëshmojnë në të gjitha zhvillimet si në Maqedoni, ashtu edhe në rajon.

Në takim u ripohua se integrimi euroatlantik është dhe mbetet ideal kombëtar dhe interesi më i mirë i jetës dhe të ardhmes së shqiptarëve, kudo ku ata jetojnë, që përcakton një detyrim madhor, për të cilin duhet të punojnë me vendosmëri të gjitha forcat politike shqiptare.

© Panorama.al

Te lidhura