TIRANË- Kreu i qeverisë, Sali Berisha duke përsëritur sot se shqiptarët nuk njohin të vërtetat historike, ka theksuar që ky 100 vjetor i Pavarësisë së vendit, të jetë ai i të vërtetave historike.
Deklarata është bërë në mbledhjen e sotme të Komitetit të 100 vjetorit të Pavarësisë, në cilën Berisha ka bërë apel për zbardhjen e drejtë të historisë, si një përpjekje për ta bërë vendin dhe shoqërinë më të drejtë. Sipas Berishes, duhet theksuar dhe duhet bere pjese e historise e verteta sipas tij e pamohueshme per financimin e Luftes Antifashiste nga ana e Britanise se Madhe.
“Nderi më i madh që ne mund t`i bëjmë 100-vjetorit të pavarësisë është shndërrimi i tij në të vërtetat historike të Shqipërisë në këto 100 vite. Kjo është e domosdoshme sepse në 100 vjet asnjë komb dhe asnjë vend tjetër nuk kishte një deformim dhe një falsifikim të historisë siç patën dhe përjetuan shqiptarët. Asnjë vend nuk përjetoi një mohim të momentit kulmor në historinë e tij”- tha Berisha.
Ai u ndal ne disa aspekte te luftes clirimtare, qe sipas Berishes pati elemente vellavrases dhe te luftes civile, si ne cdo vend tjeter qe u perfshi ne kete rezistence antifashiste.
“Britania e Madhe financoi luftëtarët shqiptarë gjatë luftës Nacional Clirimtare. Mohimi i këtij kapitulli është një nga faqet më të zeza të diktaturës komuniste”.
© Panorama.al











