Berisha: Të heqim imunitetet

Jul 5, 2012 | 13:47
Mbledhja e djeshme e Qeverisë

Kryeministri Sali Berisha i kërkoi dje sërish kundërshtarit të tij politik, Edi Rama, për të miratuar me konsensus heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë.
Duke folur nga mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave, ku u diskutuan disa ligje që kanë të bëjnë me deklarimin e pasurive, Gjykatën e Lartë dhe Konferencën Gjyqësore, kreu i Ekzekutivit tha se Ramën nuk e lënë deputetët që të votojë ndryshimet ligjore. “Unë e ftoj nga kjo mbledhje zotin Rama, i cili është përcaktuar në mënyrën më të përsëritur këto muajt e fundit të mos e dëgjojë më këshillin e miliarderëve të partisë, por zërin e socialistëve të thjeshtë, të mos dëgjojë më nënkryetarin në hije të PS që mbron pasuritë e tij dhe aspak interesat e qytetarëve shqiptarë. Pasuritë e tij le t’i mbrojë në mënyrë ligjore, por jo me imunitetin e të tjerëve. Të bëjë zgjidhjen zoti Rama, midis imunitetit të Tom Doshit dhe interesave të ngushta të socialistit që ka 20 vjet që e voton dhe robtohet pas tij dhe që është jo një, por qindra mijëra”, u shpreh Berisha. Sipas tij, “të mos dalë nga tribuna në tribunë, të vajtojë e ligjërojë për varfërinë. Korrupsioni është faktori kryesor në një vend të lirë që nxit varfërinë. Ai vetë nuk ka imunitet. Nuk mund të them se e ka për veten e tij, por nuk e lë këshilli i miliarderëve. Ata janë vendimmarrësit më kryesorë në PS. Janë fabrika e mendimit apo mashtrimit që i mban pas vetes. Ata janë për të blerë klikime. E morët vesh se çka ndodhur? Ata blejnë klikime. 3 euro për 1 mijë klikime. Po pse, për këtë duhen ata? Paska një qendër që shitka klikime dhe kështu na u bë dhe kryebashkiaku më i votuar. Po të fusësh 1 mijë euro, del pastaj si më i votuari, por ja që s’donin shqiptarët ashtu”.
Në rendin e ditës në mbledhjen e djeshme u shqyrtuan edhe disa ndryshime në ligjin “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. Sipas kreut të Ekzekutivit, ky ligj zgjeron rrethin e personave të cilët do të mbikëqyren sipas ligjit për pasuritë e tyre, për të verifikuar nëse ka rrjedhje apo prurje në këto pasuri nga njerëzit e tyre me pushtet. “Edhe ky ligj e bën shumë më transparente administratën publike. Ligjet i japin institucionit të kontrollit dhe deklarimit të pasurive kompetenca të reja dhe unë mendoj se me këto ligje vendoset një nga standardet më të mira që ekziston në fushën e konfliktit të interesit dhe të kontrollit të pasurive”, tha Berisha.

Ligji
Duke folur për ligjin e deklarimit të pasurive, Kryeministri tha se “ndërhyhet në ligjin ekzistues, duke thelluar dhe zgjeruar spektrin  e veprimit të tij, duke thelluar spektrin e veprimit të këtij ligji dhe kompetencat e këtij institucioni themelor në luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e standardeve etike të zyrtarëve të lartë, është fryt i një bashkëpunimi të gjerë, të gjithanshëm, të Komisionit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive, të ministrive, të agjencive përkatëse”.

Konsensus mes PD e PS, Kuvendi e bën pushim
Dita e enjte është ditë pushimi për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, për shkak të mospërfshirjes në kohë të buxhetit të rishikuar të qeverisë në komisionet parlamentare. Buxheti është ende në fazë përfundimi në Këshillin e Ministrave dhe nuk u krijua mundësia që të niste diskutimi në komisionet parlamentare dhe më pas kalimin për në seancën e programuar të ditës së enjte. Lajmi është konfirmuar edhe nga zyra e shtypit e Parlamentit, nga ku shpjegojnë se shkak për këtë “ditë pushimi” është fakti se nga qeveria ende nuk ka mbërritur buxheti i rishikuar i shtetit mbi të cilin pritej të diskutohej në seancë plenare dhe për këtë arsye, deputetët kanë vendosur unanimisht që ta kenë ditën e enjte të lirë.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura