
Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje i gatshëm të bashkëpunojë me pushtetin vendor për të ndarë të ardhurat fiskale. Gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e fillimit të projektit të USAID-it “Për planifikimin dhe qeverisjen vendore në Shqipëri”, si dhe nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit për këtë projekt, kreu i Ekzekutivit e vuri theksin edhe te problemet e bashkëpunimit me pushtetin lokal. “Shpreh kënaqësinë që në këtë projekt do të ridimensionohet decentralizimi fiskal, si një kusht themelor për konsolidimin e decentralizimit në tërësi. Jam sot këtu për t’u zotuar se qeveria është e gatshme të ndajë me ju të ardhurat fiskale mbi bazë ligjesh transparente. Nuk mund të mos them këtu se eksperimenti i parë i bërë me taksën e biznesit të vogël nuk mund të konsiderohet i suksesshëm. Një nga hendeqet e krijuara në mosrealizim vjen pikërisht nga mosvjelja e mosadministrimi si duhet i taksës së biznesit të vogël”, u shpreh Kryeministri. Por, nga ana e pushtetit vendor, kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, tha se institucionet lokale përballen me mungesë fondesh për investime të mëdha. “Sado e mirë të jetë performanca e qeverisjes vendore në mbledhjen e të ardhurave, ato përsëri janë të pamjaftueshme për të përballuar projekte që kërkojnë buxhete të konsiderueshme, siç janë ato të rinovimit të sistemeve të ujësjellës-kanalizimeve, ndërtimi i sistemeve të integruara të menaxhimit të mbetjeve etj.”, u shpreh Peleshi. I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i cili theksoi se “të ecurit përpara kërkon dialog të hapur mes pushtetit lokal dhe qendror, kërkon që transferimi i burimeve nga qeveria qendrore në atë lokale të jetë transparente dhe e besueshme. Të ecurit përpara kërkon që shërbimet publike të përmirësojnë menaxhimin e shërbimin e tyre në mënyrë që të kenë financimet e tyre dhe të mos bëhen barrë për qeveritë qendrore. Qytetarët duhet t’u kërkojnë llogari të zgjedhurve të tyre në pushtetin qendror apo atë vendor, dhe ata të jenë tërësisht të angazhuar në përcaktimin e përparësive dhe për marrjen e vendimeve që ndikojnë në jetët e tyre”.
Projekti
Bashkëpunimi me USAID-in synon katër fusha kryesore: mbështetjen e qeverisë për decentralizimin; përmirësimi i qeverisjes vendore përmes trajnimit të personelit në 15 bashki të përzgjedhura; përmirësimi i menaxhimit të shërbimeve vendore dhe asistencë për qeverinë shqiptare dhe pushtetin vendor për planifikimin dhe administrimin e rritjes urbane dhe rajonale.











