Berisha: Të garantohet vota e emigrantëve

Aug 22, 2012 | 12:19
Kryeministri me shoqatat e emigrantëve

Kryeministri Berisha shprehu dje vullnetin e qeverisë që drejton për të garantuar të drejtën e votës për emigrantët shqiptarë në vendet ku ata jetojnë e punojnë. Këtë qëndrim, kreu i qeverisë e shprehu gjatë një takimi që pati me përfaqësues të Unionit të Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë të Greqisë. “Kryeministri Berisha rikonfirmoi qëndrimin e palëkundur të tij, të qeverisë shqiptare e të Partisë Demokratike që emigrantëve shqiptarë t’u garantohen kushtet e nevojshme si për pjesëmarrjen në jetën politike në Shqipëri, ashtu edhe për ushtrimin e të drejtës së votës në vendet ku ata jetojnë”, thuhet një njoftimin e zyrës së shtypit të Kryeministrisë pas këtij takimi. Sipas të njëjtit burim, përfaqësuesit e Unionit të Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë të Greqisë rikonfirmuan dëshirën e tyre për ta mikëpritur në mes tyre, në çdo kohë që Kryeministri Berisha do të kishte mundësi. Kreu i qeverisë i ka njohur ata me përgatitjet që po bën qeveria për të festuar 100-vjetorin e pavarësisë. “Kryeministri Berisha i njohu gjithashtu me përgatitjet që qeveria shqiptare po bën për festimin me dinjitet të jubileut historik të 100-vjetorit të pavarësisë si në Shqipëri, ashtu edhe në vendet ku jetojnë e punojnë emigrantët shqiptarë, por edhe në diasporën shqiptare në përgjithësi”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë. Përfaqësuesit e Unionit të Emigrantëve në Greqi kanë përgëzuar kreun e qeverisë për lehtësirat që atyre u janë krijuar si me liberalizimin e vizave, ashtu dhe përmes zhvillimeve infrastrukturore në Shqipëri. Kryeministri Berisha u ka premtuar atyre përpjekjet e qeverisë për të bashkëpunuar me qeveritë e vendeve ku ata jetojnë, për të lehtësuar shërbimet ndaj tyre. “Në këtë kontekst, qeveria shqiptare ndodhet në kontakt të vazhdueshëm me qeveritë e vendeve fqinje, Greqisë e Italisë, por edhe të vendeve të tjera dhe në një frymë mirëkuptimi e bashkëpunimi po punohet për të adresuar të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me aspektet sociale, si pensionet, arsimi, hapja e qendrave kulturore etj.”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

© Panorama.al

Te lidhura