ROMË- Zhvillimi i Shqipërisë dhe bashkëpunimi i ngushtë në fushën e sigurisë kanë qenë në qendër të bisedës mes kryeministrit Sali Berisha dhe Zëvendëssekretares për Çështjet e Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jane Lute.
Biseda është zhvilluar sot gjatë drekës së shtruar në nder të pjesëmarrësve në takimin mbi sigurinë globale, në Romë.
Sipas njoftimit të kryeministrisë, Lute tregoi interes të veçantë për zhvillimin e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, duke i treguar Kryeministrit Berisha se ka qenë në Shqipëri në fillim të vitit ‘92 dhe se ndjehet një admiruese e vendit tonë.
Kryeministri Berisha e njohu me zhvillimet e vrullshme dhe transformimet e rëndësishme që kane ndodhur në vend gjatë kësaj periudhe dhe e ftoi përzemërsisht Zëvendëssekretaren Lute të vizitojë sërish Shqipërisë, si mike e vërtetë e vendit tonë dhe e kombit shqiptar.
“Gjatë bisedës, Kryeministri Berisha dhe znj. Lute rikonfirmuan vullnetin e të dy qeverive e vendeve për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë në fushën e sigurisë. Zëvendëssekretarja Lute e falenderoi Kryeministrin, në emër të qeverisë dhe SHBA-së, për bashkëpunimin shumë të mirë e shumë të frytshëm në të gjitha aspektet e sigurisë”- thuhet në njoftim.
Më tej, ata u ndalen edhe në zhvillimet e fundit në rajonin e Mesdheut dhe Afrikës Veriore e më gjerë, për sa i përket çështjeve të sigurisë, pas ndryshimeve rrënjësore që vijuan pas “Pranverës arabe”, por edhe për situatën në rajonin e Europës juglindore.
© Panorama.al











