Berisha takon Gordon: Klinton në Tiranë

Jul 8, 2012 | 11:59
Berisha dhe zv.sekretari Filip Gordon

ekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas ftesës së Kryeministrit Sali Berisha, ka rikonfirmuar dëshirën për të vizituar Shqipërinë me rastin e festimeve të 100-vjetorit. Kjo dëshirë e Klinton është përcjellë nëpërmjet zëvendëssekretarit të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, Filip Gordon, gjatë takimit të zhvilluar me kreun e qeverisë, Sali Berisha, në Dubrovnik në samitin e kryetarëve të qeverive, ku morën edhe personalitete të fushës së politikbërjes, me temë “Shtet- ndërtimi dhe eksperienca europiane”. Në këtë takim mësohet se Kryeministri Berisha ka ripërsëritur ftesën për zonjën Klinton, duke e quajtur atë si një mike të madhe të shqiptarëve. Për këtë takim, Këshilli i Ministrave njofton se Gordon ka përgëzuar Kryeministrin Berisha edhe për procesin e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit, Bujar Nishani. “Zv.sekretari i Departamentit të Shtetit, Gordon, shprehu kënaqësinë e veçantë që takohej me Kryeministrin Berisha dhe i përcolli Kryeministrit përshëndetjet më të përzemërta të sekretares së Shtetit Klinton, duke i rikonfirmuar dëshirën e saj për të vizituar së shpejti Shqipërinë. Zv.sekretari Gordon shfrytëzoi rastin për t’i transmetuar Kryeministrit Berisha urimet dhe përshëndetjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Presidentin e ri të Republikës. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha shprehu gjithashtu kënaqësinë e veçantë që takohej me z, Gordon dhe i kërkoi atij t’i ripërsërisë sekretares Klinton se shqiptarët do të jenë shumë të lumtur e krenarë ta presin atë, si mike të madhe e të shquar të Shqipërisë dhe kombit shqiptar, në këtë vit jubilar e historik të 100-vjetorit të pavarësisë”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Ministrave. REFORMAT Në takimin e zhvilluar në Dubrovik, Kryeministri Berisha e ka njohur zv.sekretarin e DASH me nismën më të fundit për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë, nismë e cila, sipas Berishës, gëzon dhe mbështetjen e të gjitha forcave politike. “Kryeministri Berisha e njohu zv.sekretarin Gordon me hapat e rëndësishëm të ndërmarrë gjatë kësaj periudhe, në veçanti për përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Europian, ecurinë pozitive të reformës zgjedhore, por edhe nismën shumë të rëndësishme të deputetëve të koalicionit qeverisës për heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët, e cila vlerësohet si një reformë jashtëzakonisht e rëndësishme e thelbësore në luftën kundër korrupsionit”, thuhet në deklaratën e KM.

© Panorama.al

Te lidhura