
Kryeministri Sali Berisha është takuar sot me kreun e Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi. Pasi i ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Presidentit të Nderit të kësaj Partie, Arbën Xhaferri, kryeministri Berisha ka thënë se për Shqipërinë mbetet prioritare avancimi i mëtejshëm i lirive dhe te drejtave të shqiptarëve në Maqedoni si dhe paqja dhe stabiliteti në këtë vend.
“Ne mbështesim fuqishëm përpjekjet për bashkëpunim midis forcave politike shqiptare dhe midis forcave politike të etnive të ndryshme në këtë vend, si interesi më i mirë i paqes, stabilitetit dhe integrimit të Maqedonisë.”- thuhet në deklaratën e kryeministrisë.
Kreu i PDSH-së, Thaçi ka falenderuar për nderin që kryeministri dhe delegacioni qeveritar i kanë bërë, Kryetarit Arbën Xhaferri.
Thaçi mësohet se ka informuar kryeministrin Berisha për zhvillimet e fundit politike në Maqedoni, për përpjekjen e PDSH që të vendosë ura bashkëpunimi me forca politike qoftë shqiptare qoftë maqedonase, të cilat do ta përshpejtojnë procesin integrues të Maqedonisë drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
“Është një brengë e përbashkët, jo vetëm e PDSH-së, por e të gjithë dashamirësve të Maqedonisë, që ky proces duhet të ecë. Ashtu si edhe me parë garantova Kryeministrin se PDSH do të udhëheqë një politike të drejtë këmbëngulëse shqiptare dhe gjithmonë konstruktive në vijim të procesit demokratik dhe procesit rajonal që zhvillohet për ta integruar gjithë Ballkanin në Bashkimin Evropian dhe në NATO.”- ka theksuar Thaçi.
© Panorama.al











