
Kryeministri Berisha premtoi dje përfundimin e dy veprave të mëdha në 100-vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar, stadiumin e ri kombëtar dhe godinën e re të Parlamentit.Duke folur në mbledhjen e Grupit Parlamentar demokrat, kreu i maxhorancës hodhi idenë e ngritjes së një komisioni shtetëror me personalitete të shquara të fushave të ndryshme nga të gjitha trevat shqiptare.
“Sot do të ndalem në ngjarjen më të rëndësishme për çdo shqiptar, pasi të përjetosh një 100-vjetor është një privilegj i madh. 100-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë ishte dhe mbetet ngjarja më e madhe në historinë kombëtare të

shqiptarëve. Kjo ngjarje duhet të pritet, të festohet në mënyrën më dinjitoze dhe me të gjithë angazhimin e merituar, për një kremtim sa më të qytetëruar e më dinjitoz të kësaj ngjarjeje të madhe. Kjo është një ngjarje që shënon ditëlindjen, sepse pavarësitë konsiderohen si ditëlindjet moderne të kombeve”, u shpreh kreu i Ekzekutivit. Duke shpallur projektet e mëdha, Berisha tha se “ky është nderimi që i bëhet Shqipërisë 100-vjeçare, shtetit 100-vjeçar shqiptar, shtetit të ri”. “Paraprakisht, janë shpallur dhe janë marrë disa vendime shumë të rëndësishme. Nuk mund të kishte vendim më të drejtë, më të goditur, më të arsyetuar dhe nuk mund ta nderoje me asgjë më shumë shtetin shqiptar në 100-vjetorin e tij, sesa me ndërtimin e tempullit të demokracisë shqiptare, ndërtimin e Parlamentit, ndër më modernët në Europë; ndërtimin e stadiumit të ri të Tiranës, i cili duhet të pasqyrojë e të gërshetojë traditën, por edhe format më bashkëkohore të arkitekturës së stadiumeve sportive”, u shpreh Berisha. Kryeministri tha se ky kremtim i një ngjarjeje kaq të rëndësishme për kombin do të organizohet përmes një komisioni shtetëror të posaçëm. “Natyrisht, këto janë dy elemente, por 100-vjetori kërkon një nderim shumëplanësh në të gjitha rrafshet: historik, kulturor, shkencor, artistik. Për ta kremtuar sa më mirë dhe sa më me dinjitet ngjarjen më madhore të historisë sonë kombëtare, 100-vjetorin e pavarësisë, do të krijohet një komision shtetëror, i cili do të ketë në përbërje përfaqësues të shquar të fushave të ndryshme, por edhe përfaqësues të shquar nga të gjitha vendet, nga Kosova, shqiptarë të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe nga diaspora. Pavarësia e Shqipërisë ishte një vepër mbarëkombëtare. Kjo është universalisht dhe botërisht e njohur”, u shpreh Kryeministri. Sipas tij, Parlamenti do të luajë një rol të veçantë në këto përgatitje. “Parlamenti shqiptar ka një rol të veçantë, por edhe të gjitha institucionet. Le të ngremë këtë komision shtetëror, i cili do të ketë një sekretariat teknik, në mënyrë që ta shndërrojmë këtë në ngjarjen më të rëndësishme kombëtare të vitit 2012 dhe ta presim atë me dinjitetin më të madh”, u shpreh Kryeministri.
Rivlerësim i historisë
Kryeministri Berisha kërkoi që me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë të ketë një rivlerësim të historisë. “Është e domosdoshme që kjo periudhë të shërbeje për një ridimensionim të plotë të qëndrimeve ndaj etërve të pavarësisë, të cilët, në tërësinë e tyre, përveç Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, pothuajse u bënë të paqenë nga regjimi Hoxhist. Në përpjekjen e tij paranojake për të zëvendësuar çdo gjë me kultin e tij, faktikisht, themeluesit e Pavarësisë, firmëtarët e Deklaratës, patën si shpërblim ndëshkimet e pamerituara, fshirjen e turpshme të firmave mbi aktin madhor të ditëlindjes së kombit,
persekutimin e egër të të gjitha formave të tyre dhe familjeve të tyre”, u shpreh Berisha.











