Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në çeljen e ekspozitës “Amerika për Kosovën”, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, nga ku deklaroi se shqiptarët mbijetuan në histori si armëmbajtës. “Kombi ynë ka pasur, ndofta pas kombit hebre, historinë më të vështirë, më të dhimbshme, më të mundimshme. Mbi të, ndaj saj u formuluan dhe u projektuan doktrinat më çnjerëzore, të cilat si në kohërat e hershme dhe gjer në kohërat më të vonshme kishin një dhe vetëm një synim, eksterminimin e tij, zhdukjen e tij mbi bazën e faktit të njohur se historia e njerëzimit është histori e dhimbjes, lulëzimit, por edhe histori e zhdukjes së kombeve. E vërteta është se shqiptarët janë sot këtu ku janë, sepse në të gjitha kohërat, të gjitha librat e shkruar për ta kanë thënë shumë gjëra, u kanë vendosur shumë epitete, por një nuk ka munguar t’ua thonë të gjithë. Çfarë janë këta shqiptarë? Armëmbajtës. Kjo ka qenë përgjigjja që i kanë dhënë pyetjes ata që na kanë dashur, por edhe ata që nuk ka kanë dashur. Edhe realiteti është se në të gjitha kohërat, shqiptarët mbijetuan e mbijetuan së pari si armëmbajtës. Por, kohërat e reja ishin dhe kohërat më të vështira për shqiptarët. Kohëra, në të cilat u bënë dhe projektet më ogurzeza për copëtimin e shfarosjen e tyre”, tha Berisha. Sipas kreut të qeverisë, në pavarësinë e Kosovës luajtën rol të madh diaspora shqiptare dhe SHBA. “Diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara luajti një rol të jashtëzakonshëm. Ajo grupoi rreth çështjes së drejtë të shqiptarëve në Kosovë personalitetet më të shquara të Senatit, Kongresit e mediave amerikane. Fakti është se Kosova dhe qytetarët e saj çdo ditë po fitonin zemrat e mendjet e shtetarëve, ligjvënësve dhe qytetarëve amerikanë”, tha Berisha, duke shtuar se Kosova “në themelin e pavarësisë së saj ka gjakun e bijve e bijave të saj, ka lumenjtë e gjakut dhe sakrificave të gjeneratave të tëra, të burrave dhe grave të saj që nuk u pajtuan kurrë me pushtimin barbar. Ne çelim këtë ekspozitë në kuadrin e një ngjarjeje tjetër të madhe, Lidhjes së Prizrenit. Ideali i Prizrenit është ideali suprem kombëtar i çdo shqiptari, është ideali i unitetit kombëtar, ideali i lirisë kombëtare, ideali i të ardhmes europiane të shqiptarëve”.











