Kreu i maxhorancës pret për 40 minuta në zyrën e tij ish-kryeministrin socialist.
Kryeministri: Maxhoranca do zgjedhë një personalitet të PD.
Ish-kryeministri Fatos Nano rikthehet në zyrën e tij në selinë e Këshillit të Ministrave shtatë vjet pasi e shkeli atë për herë të fundit. Këtë herë ai u prit nga Kryeministri aktual, Sali Berisha, dhe temë kryesore ishte çështja e Presidentit, post për të cilin Nano ka shpalosur edhe një platformë. Gjatë bisedës prej 40 minutash, ish-kryeministri socialist i paraqiti kreut të maxhorancës kërkesën për të kandiduar për pasardhës të Bamir Topit, ndërkohë që Berisha, nga ana e tij, përsëriti edhe një herë qëndrimin se shumica do të mbështesë një personalitet të PD-së. Takimi
Në orën 14:30, tamam ashtu siç ishte parashikuar, makina tip “BMW” me targë AA 007 AA, e drejtuar nga vetë Nano, hyri në selinë e Kryeministrisë. Në krah të tij ishte këshilltari Ilir Kulla. Në hyrje të godinës, ish-kryeministrin e priste, si dikur, shefja e protokollit e këtij institucioni, ndërsa në katin e dytë drejtori i kabinetit, Oerd Bylykbashi dhe zëdhënësja Erla Mëhilli. Pasi ngjiti shkallët, pak metra më larg ai iu drejtua zyrës së Kryeministrit, i cili e priti te dera, ku shtrënguan edhe duart dhe pozuan për fotografin e Kryeministrisë. Në njoftimin për shtyp të Këshillit të Ministrave thuhet se pasi parashtroi kërkesën për të kandiduar, Nano ka shprehur bindjen se bashkëpunimi në kuadrin kushtetues do të ishte i dobishëm për vendin dhe objektivat e tij, si dhe duke evokuar disa nga marrëveshjet e arritura në të shkuarën në zgjidhje të sfidave të vendit. Duke u ndalur pikërisht në marrëveshjet e së kaluarës, Berisha vlerësoi të gjitha paktet mes tyre, të cilat kanë qenë në interes të mirë të vendit dhe zgjidhjes së sfidave problematike. Por, gjatë takimit, Kryeministri ka përforcuar qëndrimin se shumica do të mbështesë një nga personalitetet e PD-së. “Nga ana tjetër, Kryeministri theksoi se qëndrimi i bërë tashmë publik në mënyrë të përsëritur prej tij ndaj kandidaturës së zotit Nano për President të Republikës, ka lidhje tërësisht me spektrin politik, detyrimet që rrjedhin nga përkatësitë e ndryshme në këtë spektër dhe se ai mbështet dhe do të mbështesë një personalitet të shquar të Partisë Demokratike në postin e Presidentit të Republikës”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë. Berisha deklaroi gjithashtu se pasi të kthehet nga Samiti i Çikagos, do të hapë negociatat me aleatët, pa përjashtuar edhe faktorë të tjerë, “i bindur se maxhoranca aktuale i ka të gjitha mundësitë për t’i dhënë vendit Presidentin e ardhshëm të Republikës”. Në përfundim të takimit, ish-kryeministri Nano nuk është ndalur të komunikojë me mediat, por vetëm i ka përshëndetur nga timoni.
Nano hyn në Kryeministri nga dera që u sulmua në 21 janar
Nano duke hyrë në Kryeministri
Në takimin mes kreut të qeverisë Sali Berisha dhe kandidatit për President, Fatos Nano, nuk shpëtoi pa rënë në sy edhe një detaj i vogël, dera nga e cila ish-kreu i PS-së do të hynte në godinën që ka punuar deri në vitin 2005. Nga katër variantet e mundshme (hyrja nga dera pranë Ministrisë së Financave, hyrja nga dera ku hyn edhe Kryeministri Berisha, hyrja nga përpara, që përdoret zakonisht për delegacionet dhe hyrja nga dera përballë Kullave), ajo zgjodhi pikërisht këtë fundit. Ishte pikërisht kjo derë që u bë objekt i sulmeve të protestuesve të Partisë Socialiste më 21 janar, ku pasi u shkatërrua, kabinës së Gardës aty pranë iu vu edhe zjarri. Por dje, rreth 16 muaj pas asaj ngjarjeje, asnjë shenjë nuk kishte ngelur në derën nga e cila kaloi kandidati i vetëshpallur për President.
Emrat Ish-kryeministri Fatos Nano është i vetmi deri tani që është vetëshpallur si kandidat për President të vendit, por nuk është i vetmi emër i lakuar publikisht. Pak ditë më parë, Partia Aleanca Demokratike, përmes një mbledhjeje të forumeve të saj, propozoi kryetarin Neritan Ceka për President. Kreu i PAD-së aktualisht mban postin e këshilltarit të Kryeministrit Berisha, por nuk e ka për herë të parë që propozohet për figurën më të lartë të shtetit shqiptar. Ai u propozua edhe në vitin 2007 dhe votat që mori nxorën jashtë loje Fatos Nanon. Ndërsa Partia Aleanca Demokristiane e Zef Bushatit, ish-zv.ministër Integrimi dhe aleat i PD-së, propozoi kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli.
Nano mori votat e Dules dhe Idrizit Në më pak se tri javë që nga shpallja publike e platformës së tij për President të vendit në emisionin “Top Story” në Top Channel, ish-kryeministri Fatos Nano u takua me të gjithë krerët e partive parlamentare në vend. Dy ditë pas intervistës, Nano u takua me kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrimin, Ilir Meta. Më pas ai u prit në ish-zyrën e tij nga kryetari aktual i Partisë Socialiste, Edi Rama. Në përfundim të atij takimi selia rozë shpërndau një njoftim për shtyp, sipas të cilit: “Gjatë takimit i është thënë zotit Fatos Nano se Partia Socialiste synon krijimin e kushteve për një proces politik, ku publiku të mos ndjehet i përjashtuar dhe ku të gjitha palët parlamentare të përfshihen në një dialog konstruktiv. Socialistët do të jenë të angazhuar për t’i dhënë Republikës sonë një President me votat e më shumë se një pale, si edhe vetë Shqipërisë një argument bindës në mbështetje të kërkesës për statusin e vendit kandidat për Bashkimin Europian”. Pas takimit me Ramën erdhën edhe dy takimet më të frytshme për Nanon, me Shpëtim Idrizin dhe Vangjel Dulen, të cilët konfirmuan votën e tyre pro. Takimi i fundit ishte me kreun e PR-së, Fatmir Mediu, i cili zgjati rreth 60 minuta.
Konferenca e Kryetarëve do mblidhet brenda 20 majit Axhenda, Kuvendi do caktojë datat e votimit
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dy ditë më parë se do t’i nisë konsultimet me aleatët vetëm pasi të kthehet nga Samiti i Çikagos më 22 maj. Megjithatë, Kuvendi do të jetë ai që do të përcaktojë në mënyrë të detajuar se çfarë do të ndodhë nga 24 maji, kur nisin zyrtarisht procedurat (60 ditë përpara se Topit t’i përfundojë mandati). Burime pranë Parlamentit bëjnë të ditur se brenda 20 majit pritet të ketë një mbledhje të Konferencës së Kryetarëve për këtë qëllim. Konferenca do të veprojë njësoj si me rastet kur miratohen buxhetet vjetore, kur do të përcaktojë në detaje se kur zhvillohet raundi i parë i votimit, kur do të depozitojnë kandidaturat firmat dhe kur do të mblidhet Komisioni i Ligjeve për shqyrtimin e emrave të propozuar. Sipas Kushtetutës, tri raundet për të zgjedhur Presidentin e ri të vendit kërkojnë 84 vota, ndërsa në raundin e katërt mjaftojnë vetëm 71 vota.