Berisha: Rritje 18% në katër vjet

Feb 6, 2012 | 10:16

Berisha në Konferencën e Sigurisë në Mynih

Kryeministri vlerëson nga Mynihu modelin ekonomik që ka ndjekur Shqipëria nga viti 2005

“Modeli ynë, rritja ekonomike më e lartë në Europë”

Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe në Europë në katër vitet e fundit të mbledhura bashkë. Kështu u shpreh dje Kryeministri Sali Berisha në përfundim të Konferencës së Sigurisë, të mbajtur në Mynih. Në një prononcim për televizionin publik, kreu i qeverisë tha se: “Ajo që spikat në këtë sfond, sërish dua të theksoj, është modeli i ekonomisë në Shqipëri, model i cili është bazuar kryekëput, para së gjithash, në nxitjen e rritjes ekonomike, për rrjedhojë nxitjen e punësimit, rritjen e të ardhurave. Faktikisht, Shqipëria në katër vitet e fundit, të marra së bashku, ka pasur një rritje ekonomike prej 18 për qind, rritje në distancë më të lartën në Europë. Ky model ka nevojë të përsoset më tej”. Sipas tij, modeli që po ndjek aktualisht Shqipëria mund të përmirësohet vetëm me rritjen e lirisë për biznesin dhe jo nëpërmjet rritjes së taksave për këtë kategori, siç kërkon Partia Socialiste përmes taksës progresive. “Natyrisht, jo me masa që godasin në palcë rritjen dhe biznesin, jo me masa të cilat nëpërmjet rritjes së taksave shkatërrojnë qindra dhe mijëra vende pune, por me standarde të tjera liberale të cilat zgjerojnë hapësirën e iniciativës së lirë dhe nxisin bizneset”, tha Kryeministri. Sipas tij, “në këtë kontekst, analizohen dy modele: një model i bazuar në një faturë shumë të madhe sociale dhe taksat të larta, i cili përjeton vështirësi serioze, dhe një model tjetër i bazuar në nxitjen e rritjes ekonomike, i cili i qëndroi krizës dhe nuk njohu recesionin. Vizioni apo mësimi që nxirret është që të bëjmë gjithçka për të nxitur rritjen ekonomike, për të shfrytëzuar të gjitha potencialet që kemi në vend për ta nxitur atë, për të zgjeruar hapësirën, për të vazhduar përpjekjet për një zhvillim jeshil të vazhdueshëm të Shqipërisë”.
Konferenca
Sa u takon punimeve dyditore të konferencës, kreu i qeverisë shqiptare tha se në të u debatua gjerësisht mbi masat e deritanishme me rritje taksash, të cilat kanë qenë të paefektshme. Sipas Berishës, presidenti i Bankës Botërore, Robert Zoellick, Kryeministri italian, Mario Monti dhe George Soros, së bashku me presidentin e “Deutsche Bank”, zotin Ackermann, theksuan se përqendrimi duhet të mbahet vetëm te rritja ekonomike. “Natyrisht, parashikimet për daljen e eurozonës nga kriza nuk ishin dhe aq optimiste. Besohet se kjo do të jetë një krizë nga e cila do të duhen jo pak vite për të dalë, por e rëndësishme është se për herë të parë në këtë konferencë ndërkombëtare u diskutua për krizën, u kërkua që të ndryshohen qëndrimet e deritanishme për daljen prej saj. Masat e ashpërsisë dhe paketa e tyre duhet, detyrimisht, të mos cenojnë rritjen ekonomike. U diskutua për borxhin dhe krizën greke”, u shpreh më tej Kryeministri. Sipas Berishës, “disa zhvillime, veçanërisht të dhënat që vijnë nga Irlanda, njëlloj stabiliteti apo moskeqësimi i Spanjës, masat që po merr Italia, janë lajme pozitive të cilat premtojnë për një mundësi kthese gjatë kohërave që vijnë”.

18 për qind
Sipas Kryeministrit Sali Berisha, rritja ekonomike e Shqipërisë në katër vitet e fundit të mbledhura bashkë është 18 për qind, më shumë se në çdo vend tjetër të Bashkimit Europian.

takimet
Gjatë qëndrimit në Mynih të Gjermanisë, kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi takime me sekretaren amerikane të Shtetit, Hilari Klinton dhe sekretarin e Mbrojtjes, Leon Paneta. Duke folur në një prononcim për mediat, Berisha tha se i ftoi dy zyrtarët e lartë amerikanë të vijnë në Shqipëri, ftesë që sipas tij u pranua nga ata.

Kreu i PS kritikon Kryeministrin
Rama: Berisha, fjalime groteske për rritje 18%

Kreu i PS, Rama

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka reaguar menjëherë pas deklaratave të Kryeministrit Sali Berisha nga Gjermania lidhur me rritjen ekonomike në vend. Lideri i opozitës ka zgjedhur sërish komunikimin përmes faqes së tij në ‘Twitter’ për ta quajtur fjalimin e kreut të qeverisë grotesk dhe një turp të pamerituar për vendin tonë. “Kryeministri vijon ta bëjë qesharak vendin tonë, duke eksportuar jashtë shtetit fjalimet e tij groteske për ekonominë. Turp i pamerituar për Shqipërinë!”, shkruan Rama në faqen e tij zyrtare. Në të njëjtën kohë, ai ndalet edhe te deklarata e Kryeministrit, sipas të cilit rritja ekonomike e Shqipërisë në katër vitet e fundit, të mbledhura së bashku, është 18 për qind. “Flet në mes të Gjermanisë për 18% rritje ekonomike e për një model suksesi imagjinar që e bën Shqipërinë të duket si s’ka më keq nëpër botë! Këto shfaqje brutale të marrëzisë në pushtet janë alarm për ndryshimin e domosdoshëm! Shqiptarët meritojnë një qeveri të denjë e të drejtë”, shkruan më tej kryetari i Partisë Socialiste. Prej disa javësh, Rama i ka kushtuar një vëmendje të veçantë debatit politik. Gjatë vizitës së fundi në Austri ai u takua me sekretarin e shtetit austriak për Financat, ku kundërshtoi taksën e sheshtë. “Sot ne folëm për ekonominë, në veçanti në lidhje me krijimin e një sistemi taksimi më të favorshëm e më të drejtë. Unë besoj se aplikimi i një takse të sheshtë në nivel të ulët nuk është një ide e mirë, pasi vetëm favorizon të pasurit dhe u merr paratë njerëzve të varfër. Sistemi i taksave duhet të jetë i drejtë dhe i paanshëm. Kjo do të thotë: taksa progresive; çështjet e taksave që lidhen me të ardhurat; gjithashtu aplikimi i tatimit mbi fitimin kapital etj.; kjo sepse duhet të sigurohemi që shoqëria jonë të mos ndahet, por të qëndrojë e bashkuar. Kjo është e rëndësishme”, u shpreh Rama.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura