
TIRANE- Nëpërmjet një komunikimi për shtyp, kryeministri Sali Berisha ka dhënë mbështetjen e tij të plotë për qëndrimin e qeverisë së Kosovës ndaj referendumit të paligjshëm të serbëve në Komunat e Veriut të Mitrovicës.
“Ky akt i pavlerë dhe pa konsekuencë, për sa i përket integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, është vepër e strukturave paralele dhe qarqeve të Beogradit që i mbështetin ato. Ai ka si qëllim mbajtjen në rend dite të një skenari të rrezikshëm, që synon ndryshimin e kufijve ekzistues, sipas linjave të pastërta etnike në rajonin tonë.”- thuhet në deklaratën e kryeministrit.
Sipas Berishës, respektimi i kufijve aktual të Ballkanit, është i një rëndësie themelore për paqen, stabilitetin, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin Euroatlantik dhe Europian të kombeve dhe vendeve tona.
Një ditë më parë në Kuvendin e Kosovës u miratua një rezolutë që e shpallte të pavlefshëm referendumin e mbajtur në veri të vendit. Në 82 vendvotime raportohet të kenë votuar 75.28 për qind e qytetarëve, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të bëhen publike të dielën.
© Panorama.al











