
Nga Spitali Ushtarak, kreu i LSI-së Ilir Meta shprehu ngushëllimet për të gjithë familjarët e viktimave të aksidentit tragjik.
“Jemi këtu për të shprehur kontributin tonë në të gjitha drejtimet , për viktimat e këtij aksidenti të tmerrshëm dhe për familjarët. Që nga dhurimi i gjakut dhe gjithçka tjetër. Të vlerësojmë solidaritetin e jashtëzakonshëm njerëzor. Kjo është një ngjarje shumë e rëndë, e cila nuk mund të pranohet nga logjika, por është një fakt i cili duhet përballuar me kurajo, duke qenë pranë të gjitha familjarëve dhe të lënduarve. Tashmë është një fakt që aksidentet po marrin jetën e qytetarëve duhet të shtohet vëmendja më tepër për parandalimin e këtyre ngjarjeve”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të studentëve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, që humbën jetën si pasojë e aksidentit rrugor pranë Urës së Vishës në Himarë.
Mesazhi i plotë i Presidentit Topi
“Të dashur familjarë dhe të afërm të viktimave,
Më lejoni të shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe hidhërimin e thellë për të gjitha familjet e studentëve që humbën jetën sot në Himarë, duke ju siguruar se ndodhem pranë jush në këto çaste të rënda e të vështira! Ndihem shumë i trishtuar, ashtu sikurse edhe ju për këtë aksident fatkeq, i cili mori përmasa fatale dhe ju shkaktoi këtë tragjedi të madhe.
Duke ju siguruar që të gjitha strukturat e duhura të shtetit shqiptar janë ngritur në këmbë e janë mobilizuar duke punuar me një organizim të shkëlqyer për të administruar situatën dhe minimizuar përmasat e kësaj tragjedie të rëndë, më lejoni t’ju shpreh edhe njëherë solidaritetin njerëzor dhe institucional! Njëkohësisht u uroj shërim sa më të shpejtë studentëve të plagosur!
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka reaguar menjëherë pas tragjedisë së Himarës, ku deri në këto momente mendohet se kanë humbur jetën 11 studentë.
Mesazhi i plotë i Ramës
Në Himarë një tragjedi e tmerrshme ka mbajtur pezull frymën e mbarë kombit. Janë orë solidariteti kombëtar e përpjekjesh të gjithanshme për të shpëtuar çdo jetë njerëzore të përfshirë në këtë aksident tragjik. Jam i bindur se personeli i Spitalit Ushtarak i sprovuar në fatkeqësi me përmasa të pazakonshme dhe gjithë njerëzit e shërbimeve të tjera spitalore, policore, ushtarake, do të bëjnë çdo gjë që është në fuqinë e tyre për të shpëtuar jetët që ende mund të shpëtohen. Bashkitë socialiste të Himarës, Orikumit, Vlorës, duhet të bëjnë të pamundurën për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha strukturat shtetërore për çdo gjë që mund të ndihmojnë. Eshtë me shumë rëndësi t’u qëndrojmë pranë në këto orë të zymta familjeve të viktimave për t’u lehtësuar sadopak dhimbjen e patregueshme.
Mesazhi i kryeministrit Sali Berisha
Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha u informua për aksidentin e rëndë, me pasoja tragjike, që ndodhi në Himarë, në të cilin kanë humbur jetën një numër studentësh, si dhe u plagosën shumë të tjerë.
Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në Samitin e NATO-s në Çikago, është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet përgjegjëse në Tiranë, për operacionin e ndihmës emergjente ndaj të aksidentuarve, për të cilët po kërkon të bëhet çdo gjë, për të shpëtuar jetën e tyre.
Kryeministri shpreh dhimbjen dhe pikëllimin e tij më të thellë, për viktimat dhe ndan zinë dhe u shpreh ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave.
© Panorama.al











