Berisha gjatë mbledhjes së djeshme të Grupit të PD-së
Kryeministri reagon për programin ekonomik të PS: E udhëheqin Shkëlqim Cani e Cac Angjeli.
“Ofertat për Albpetrol, janë të përfshira banka serioze”
Kryeministri Sali Berisha u përqendrua dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar demokrat, në programin ekonomik të opozitës, i cili po shpaloset së fundi nga kreu i kësaj partie, Edi Rama. Për liderin e maxhorancës, tezat e këtij programi e çojnë vendin nga vetadministrimi te kaosi total. “Zoti kryetar i opozitës ka filluar fushatën elektorale, për çka e përgëzoj dhe uroj që mos t’i avullojë benzina rrugës. Por e ftoj gjithashtu që në këtë fushatë të lërë mënjanë fabrikën e trillimit, që ai i thotë ‘fabrika e mendimit’, të cilën në rrafshin ekonomik e udhëheq Shkëlqim Cani, por në hije është Cac Angjeli (Anastas Angjeli) dhe t’i referohet socialdemokracisë europiane dhe asaj botërore, e cila ka në arkivat e saj praktika, projekte, alternativa solide”, tha Berisha. Korrupsioni
Duke u ndalur te akuzat e opozitës për nivelin e lartë të korrupsionit, Kryeministri u shpreh se ai është shumë më i ulët se 7 vjet më parë, kur Partia Demokratike erdhi në pushtet. Sipas Berishës, deklaratat se korrupsioni është më i larti i këtij një shekulli shtet shqiptar, janë të rrezikshme, pasi tentojnë të fshijnë atë çka ndodhi në kohën e komunizmit. “Nuk mund të mos shprehim keqardhjen tonë për tezën e tij: ‘korrupsioni i sotëm është më i madhi i 100 viteve të fundit dhe se mjerimi i sotëm është më i madhi i 100 viteve të fundit’. Më duhet t’i them zotit Rama se në rast se përdor një terminologji të tillë, ai synon të fshijë nga memoria kombëtare periudhën më të zezë të historisë së këtij kombi, periudhën e diktaturës”, theksoi kreu i qeverisë. Albpetrol
Në të njëjtën kohë Kryeministri u ndal edhe te privatizimi i “Albpetrol”. “Ne kemi një konsulent, që në fushën e vet, përbën një nga firmat më të fuqishme të botës, i cili po punon non stop për avancimin e procesit. Po ecet në përputhje me ligjin e koncesioneve dhe të ofertës. Natyrisht, është një proces kompleks, por për ju dhe për qytetarët shqiptarë, të dhënat paraprake janë qartësisht pozitive. Janë të përfshira në operacion banka nga më seriozet në Evropë e në botë. Kjo po ndiqet. Unë që në fillim ua thashë se ne nuk kemi parashikuar qoftë edhe një qindarkë të vetme në buxhet”, tha Berisha. Ai kritikoi qëndrimin e PS-së për privatizimet duke thënë se “t’u thuash të tjerëve se a ka shtet në botë që shet të drejtën e shfrytëzimit në privatizime, kjo tregon se ti ose je i verbuar nga Çavesi, ose nuk e di se ç’do të thotë koncesion. Ndaj dhe ky qëndrim antiprivatizim, është absolutisht në kundërshtim flagrant me atë çfarë kërkohet sot në unison nga ekonomistët e mëdhenj në botë. Në qoftë se ka një rrugë për t’u mbrojtur nga kriza, ajo është privatizimi i ekonomisë, sepse privatizimi i ekonomisë rrit eficencën e menaxhimit dhe rrit konkurueshmërinë”.
Rritja e fuqisë blerëse Sipas Kryeministrit, lideri i PS-së mund t’u referohet edhe të dhënave të komunave për të parë nëse ka rënë fuqia blerëse. “Zoti Rama, shko e pyet mikun tënd dhe mikun tim njëherësh, Dhimo Kote, të cilin e ke edhe si simbol të suksesit socialist, nëse gjatë këtyre viteve i ka rënë prodhimi apo i është rritur. Shko gjithashtu në Korçë. Mos u ndry në Dardhë me Blushin, por shko në fusha e shih sa është rritur prodhimi në Devoll, Korçë, Kolonjë dhe kudo”.
Kreu i PS-së reagon pas sulmeve të Kryeministrit
Rama: Berisha është jashtë realitetit, s’ka argumente
Kreu i PS, Edi Rama
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, reagoi dje ndaj sulmeve të Kryeministrit Sali Berisha nga mbledhja e Grupit Parlamentar demokrat. Në deklaratat e tij në faqen e rrjetit social “Twitter”, lideri i opozitës tha se sulmet e Berishës janë ato të një Kryeministri në ikje. “Reagimi i sotëm i Kryeministrit ndaj opozitës mbi ekonominë ndihmon për të kuptuar se Saliu jeton jashtë realitetit të ekonomisë shqiptare. Sulmet ndaj opozitës nuk ulin taksat, nuk rrisin fuqinë blerëse, nuk ulin papunësinë. Ato tregojnë shterimin e argumenteve të Kryeministrit në ikje! Kryeministri përgjegjës për taksat e larta, përfshirë taksën e korrupsionit, e për rënien e fuqisë blerëse”, u shpreh Rama. Sipas tij, “politika e tij po e falimenton ekonominë. Ne do të ulim taksat për 95% të shqiptarëve dhe do të heqim taksën e korrupsionit për biznesin. Do të çlirojmë konkurrencën dhe rrisim punësimin. Zgjedhja është e qartë: rrënim i mëtejshëm ose Rilindje Shqiptare për të rimëkëmbur ekonominë, ripërtërirë shoqërinë, rivendosur demokracinë”.