Kryeministri e cilësoi 20 shkurtin si një nga ngjarjet më kulmore të historisë: Enveri, Hitleri i pasluftës.
“I solli nga emigracioni, duke u premtuar majën që humbën etërit”
Kryeministri Sali Berisha ka kujtuar dje 21-vjetorin e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës në qendër të Tiranës. Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e Grupit Parlamentar demokrat, kreu i qeverisë tha se ajo ditë do të mbetet në historinë e vendit si një nga ngjarjet më kulmore. Sipas kreut të qeverisë, numri i madh i të vrarëve, kampet e përqendrimit dhe burgjet bënë që Europa ta cilësonte Hoxhën si Hitlerin e pasluftës. Ndërsa në Shqipëri, tha më tej Kryeministri, sistemi që ai vendosi, ende nuk ka marrë atë që meriton. “Ai përdori dobësinë e tmerrshme që krijon mjerimi, për të mbajtur të gjunjëzuar një popull të tërë. Shfarosi në kampe dhe burgje, dy herë më shumë se të gjitha vendet ish-komuniste të marra së bashku, shfarosi me sëmundje dhe uri disa herë më shumë, sesa me kampet dhe burgjet e tij. Dhe ky ishte i vetmi diktator i Europës ish-komuniste, që u cilësua si Hitleri i pasluftës. Mjerisht, duhet të them se qëndrimi ndaj tij, qëndrimi ndaj sistemit që ai vendosi, ende nuk ka marrë përmasat që ai meriton”, tha Berisha. Sipas tij “Gjatë diktaturës gjithçka projektohej dhe vendosej në bllokun famëzi, në bunkerin e tij. Më 20 shkurt, qytetarët e zemëruar të Tiranës u vërsulën drejt tij. Në një moment kritik, Partia Demokratike ia doli të përmbajë zemërimin e tyre, në përputhje me platformën e saj të ndërrimeve paqësore. Sot, pas 20 vjetësh, Blloku është shndërruar në një nga lagjet e haresë së qytetit, por sërish janë mbledhur çunat apo bijtë e Bllokut”.
Akuzat për Ramën
Në mbledhjen e përjavshme me deputetët, kreu i qeverisë akuzoi Ramën se ka mbledhur në Partinë Socialiste të gjithë bijtë e ish- drejtuesve të Partisë së Punës dhe gjatë dy viteve tentoi të bllokojë integrimin e vendit. “Historia dhe zhvillimet duhen parë drejt e në sy. Kjo nuk ndodhi pas vitit ‘92. Kjo është e vërteta, ndonëse ne kurrë nuk i mbajmë përgjegjës bijtë për eterit. Kjo nuk ndodhi as edhe në vitin 2000. Ky rikthim i bijve në krye të Partisë Socialiste përbën vepër kryekëput të Edvin Ramës. Dhe kjo është e vërteta. I mblodhi ku ishin dhe ku nuk ishin, madje i solli edhe nga emigracioni, duke u premtuar majën që humbën etërit. Cili është qëndrimi?”, tha Berisha. Sipas tij “Pozita ka dhe do të ketë të gjithë gatishmërinë tonë për bashkëpunim, por absolutisht asgjë jashtë kuadrit kushtetues të këtij vendi, asgjë jashtë shtetit ligjor dhe funksionimit të tij. Sot, pas 21 vitesh, nderimi më i madh që ne mund t’i bëjmë guximit, trimërisë, kurajës së atyre që përmbysën në rrugët dhe sheshet e Tiranës diktaturën më barbare të Europës, është të konsolidojmë vlerat e lirisë, demokracisë, shtetit ligjor”.
20 shkurti, FRPD feston në Pallatin e Kongreseve
Forumi Rinor i PD-së ka festuar dje në Pallatin e Kongreseve rënien e bustit të diktatorit Enver Hoxha. Të pranishëm në këtë aktivitet kanë qenë edhe ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu dhe ai i KE-së, Etore Sekui. Ndërsa Kryeministri Sali Berisha ka shfrytëzuar këtë takim për të shpërndarë kartën e re dixhitale të anëtarësisë. Të pranishëm gjithashtu kanë qenë edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, si dhe ministra të kabinetit qeveritar. “Një ditë po drekoja me disa miq të mi. Tek po flisnim për disa episode të asaj kohe, një bashkëmoshatare juaja i drejtohet të atit të saj me pyetjen: Po ju pse duruat? Mos reshtni kurrë së bëri këtë pyetje, në çdo vatër shqiptare. Vetëm duke shtruar këtë pyetje, ne do të garantojmë se histori të tilla nuk do të përsëriten më kurrë, për vendin dhe kombin tonë”, tha Berisha.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











