Berisha: Rama e kishte braktisur Ardian Klosin

May 15, 2012 | 13:01

Ardian Klosi

Kryeministri akuzon Ramën për skenar manipulimi.

“Titulli i editorialit duhej të ishte ‘Papafingoja e klithmës së braktisur’”

Kryeministri Berisha e mbylli mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar të PD-së duke hapur një debat të ri: sjelljen e miqve të ngushtë të Ardian Klosit para dhe pas aktit të vetëflijimit. Shefi i qeverisë e akuzoi indirekt kundërshtarin politik, kreun socialist Edi Rama, se ai ishte shkaktari i vdekjes së publicistit të njohur, pasi e la në harresë.
“Dua ta mbyll fjalën time me trajtimin e një problemi tjetër, të cilin e kam ndjekur me vëmendje. Para disa ditësh u nda nga jeta në mënyrë tragjike një oponent i qeverisë dhe qeverisjes, që ishte përkthyesi, publicisti, aktivisti i shoqërisë civile, Ardian Klosi. E vërteta është se unë kam pasur një vlerësim të palëkundur për përkthimet e Ardian Klosit, i cili edhe në vitet ‘90 kishte shkruar shumë shkrime për gjuhën, të cilat unë i lexoja me dëshirë, edhe pse nuk isha gjuhëtar. Por, në vlerësimin tim, në fjalë ai ishte një përkthyes i zoti, i kompletuar, i talentuar, që kontribuonte në pasurimin e shqipes. Ishte një zë i shoqërisë civile me të cilin nuk isha dakord në shumë raste, por, absolutisht kjo nuk më pengonte të kisha vlerësim për të dhe për të gjithë aktivistët mjedisorë, se edhe vetë jam njëri prej tyre. Por çfarë bëri z. Rama? Krijoi skenarin tipik të manipulimit. Meqenëse nuk e ktheu dot historinë Kosta Trebickës, çka u përpoq aq shumë, shkroi një editorial, ju garantoj, fund e krye asnjë fjalë nga zemra, një hipokrizi totale. Titulli i atij editoriali nuk duhet të ishte “Papafingoja e krismës së thatë”, por “Papafingoja e klithmës së braktisjes”. Kjo duhet të ishte e vërteta dhe kjo e vërtetë nuk mund të fshihet me asnjë manipulim e makinacion mediatik që mund të bësh. Unë nuk ndërhyra, e ndoqa me përçmim qëndrimin e tyre. Pashë vetëm një moment

Berisha e Patozi dje në mbledhjen e Grupit të PD

sinqeriteti kur dikush deklaroi se ‘nuk e ndihmuam z. Klosi’. Por, ama, njeriu që e kishte braktisur më shumë se kushdo tjetër është Edi Rama, që i thoshte asaj zonjës thuaj: ‘Ju përgjërohem, mos na vrisni’”. Më pas, Kryeministri iu referua intervistës së mikeshës së ngushtë që nga fëmijëria të Ardian Klosit, aktivistes së njohur për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, Kozara Katit, të botuar në gazetën “Panorama”, ku ndër të tjera ajo rrëfeu me sinqeritet se “miqtë nuk i kishin qëndruar pranë Klosit aq sa duhet”. Duke komentuar këtë intervistë, si dhe duke shpjeguar se përse zgjodhi që ta komentonte vetëvrasjen e Klosit pas kaq kohësh, Berisha theksoi: “I them zotit Rama të lexojë mirë intervistën e Kozarës dhe të shohë se ku e gjen ai veten në atë intervistë, ku gjendet ai në të dhe pastaj le të bëjë pamflete hipokrite, ashtu siç bëri. Ai ishte i tëri një pamflet i thatë që ia kushtoi publicistit dhe gjuhëtarit. Ju mund të më pyesni me shumë të drejtë se përse unë, si Kryeministër, flas kështu. Por, kur kërkon t’i japësh një nuancë politike një ngjarjeje dhe shkon e deklaron te varri me gojën e ‘zëdhënëses’ tënde: ‘Ju përgjërohem mos na vrisni’, unë u them miqve të zotit Rama: Lutjuni të mos shkruajë asnjë fjalë për ju, mos e lejoni të shkruajë asnjë fjalë për ju, sepse atij që ndahet nga jeta, hipokrizitë nuk i duhen kurrë”.

R e a g i m e t
Lame: Janë marrëzira sa herë përgatiten pazare

Refuzoj të merrem me marrëzitë dhe përdhosjet që nxjerr nga goja zoti Berisha, por përfitoj nga rasti që të tërheq vëmendjen e opinionit publik për një çështje tjetër. Kini parasysh se Sali Berisha sa herë del e flet për ndonjë gjë pa lidhje, që nuk ka pikën e kuptimit, kini mendjen se është duke përgatitur ose duke e bërë një pisllëk. Duke folur kodra pas bregut, ai tërheq vëmendjen e publikut me çështje të ndjeshme, në mënyrë që të kalojë pa zhurmë diçka tjetër të rëndësishme. Të kalojë pa u vënë re ndonjë pazar apo ndonjë maskarallëk që vetëm Sali Berisha di t’i realizojë me mjeshtëri. Kjo është strategjia e tij, ndaj unë them të injorojmë bashkërisht marrëzitë që shpik çdoherë Berisha.

Ferruni: Miqësi e vërtetë mes Ramës dhe Klosit
Ndërhyrja e Berishës në miqësinë e Ramës me Klosin,  nëse nuk është diabolike, atëherë është krejt e pakuptimtë. Klosi ishte pranë Ramës në një takim publik te hotel “Tirana” më 4 prill të këtij viti, kur vragat e plagës së tij në kyçin e dorës së djathtë ishin akoma të freskëta. Kur Rama u ul në krye të tavolinës në sallën plot e përplot me njerëz, pasi përshëndeti të gjithë pjesëmarësit me një tundje koke, i foli vetëm Klosit. Ajo që kuptova (dhe jo vetëm unë) nga mënyra e komunikimit të të dyve, ishte se midis tyre ekzistonte një miqësi e vërtetë. Aty Ardiani mori dhe fjalën, e fundit fjalë e tij publike, ku bëri një apel gati përgjërues për mbrojtjen e mjedisit shqiptar.

Baze: Klosi edhe vdekjen e zgjodhi larg Berishës
Berisha donte të dukej sikur e kishte tmerruar funerali i Klosit dhe nderimi që iu bë një intelektuali nga shoqëria. Paqja e ditës së fundit të jetës së armikut të tij e paskësh goditur më shumë se sa gjithë jeta e tij. Njësoj pat qenë tërbuar dhe nga varrimi i Dritan Hoxhës, themeluesit të Top Channel-it dhe desh ta ringrinte nga varri për ta poshtëruar. Unë vetë dyshova dhe u thashë miqve të mi se Klosi zgjodhi atë ditë për vetëflijimin, edhe për faktin se Berisha ishte larg Shqipërisë. Ishte në SHBA dhe nuk ia prishi dot varrimin. Ai nuk e pranon dot nderimin që prodhoi ikja e heshtur e Klosit, nuk pranon dot që Klosi vdiq në opozitë me të, ndaj kërkon të prishë kujtimin e bukur për përcjelljen e tij.

Braçe: Berisha nuk ua di as kuptimin sharjeve
Sali Berisha është një “sharës” kampion, por i paditur edhe në këtë aspekt. Shan këdo, grua apo burrë, i gjallë apo i vdekur, prind apo njeri i lirë. E shan. Nuk ka turp. Por Sali Berisha është i vetmi sharës që nuk i di kuptimin sharjes që artikulon. Unë di që atij i ka dhembur fort ajo klithma e Rudinës mbi varrin e të ndjerit, njeriut të madh të letrave, Ardian Klosi: “Mos e lënçim këtë vend të na vrasë!”. Sot e dëshmoi. Por është fort i çoroditur. Shan, por nuk i di përmbajtjen. Duke kërkuar në fjalor gjeta një fjalë puro shqipe që i shkon për shtat. Po e shaj dhe unë: Sali, je KALLËKEQ! Fusnotë – Që do të thotë: “Që nxit dikë për të keq, që shtie kalla; ngatërrestar. Njeri kallëkeq.

Kozara Kati: “Dani s’kishte nevojë për lot, donte mbështetje”
Ai paralajmëroi dy herë për vetëvrasjen. Në mbrëmjen e 26 prillit e kreu. Publicisti Ardian Klosi e kishte menduar aktin prej muajsh. Fiks gjashtë muaj, kohë në të cilën iu qasën tri probleme njëkohësisht. Humbi nënën në nëntor, u pushua pas 8 vitesh kontribut nga puna në janar dhe sakaq, jeta private duket se nuk i eci dhe aq mirë. Për këtë të fundit, Kozara Kati, mikja e tij e fëmijërisë, por edhe e kauzave të përbashkëta, nuk dha detaje gjatë intervistës së saj për gazetën “Panorama”. Ajo zgjodhi që të heshtë për problemet familjare, por ngriti zërin për atë që bënë dhe nuk bënë shokët dhe kolegët e Klosit, në mënyrë që ta ndihmonin të shpëtonte nga vetëflijimi. Gjatë homazheve dhe funeralit, shumë miq të publicistit të ndjerë u shfaqën duke lotuar dhe me shenja pendese. Po a bënë aq sa duhet për të sa ishte gjallë? “Mendoj se nuk bënë aq sa duhet për Danin sa kohë ai ishte gjallë. Shumë njerëz u përlotën, por Dani nuk kishte nevojë për lot, por për mbështetje. Nuk kishte nevojë Dani për psherëtima, por për këshilla dhe kujdes. Dani kishte nevojë për shokët e tij të fëmijërisë që ta shihnin me dashuri. Ta shihnin si mik dhe jo si armik”, tha gjatë intervistës Kozara Kati. Ndërkaq, pyetjes sonë se cilëve shokë u referohej, ajo u përgjigj: “Politika e politikëbërësit u shprehën post-mortum për Danin. Vlerat e një kombi, me sa duket, nuk bashkëjetojnë dot me kohën. U dashka që të vdesësh që të njihesh. Fatkeqësisht!”.

ELISABETA ILNICA

© Panorama.al

Te lidhura