Kryeministri Sali Berisha përjashton çdo mundësi për ndryshimin e Kushtetutës, aq më pak nenin e ligjit themeltar për zgjedhjen e Presidentit. Në një komunikim me gazetarët, ku fillimisht foli për ngjarjet në Kosovë, Kreu i qeverisë ironizoi përpjekjet e dy ish-Presidentëve Meidani dhe Moisiu për rishikimin e Kushtetutës.
“Ajo që unë do t’i këshilloja ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste dhe ish-Presidentit të Republikës, zotit Meidani, ish-Gjeneral Miosiut, ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe anëtar i kryesisë së Partisë Socialiste, zotit Mark Abdia, ish-deshendentin direkt të diktatorit Hoxha dhe me radhë, që të merren me statusin e Partisë Socialiste, meqenëse kanë vendosur të konsumojnë muajin gusht me problematika”, u shpreh Berisha.
I pyetur konkretisht nëse do të bjerë dakord me kreun e PS-së, Edi Rama për
ndryshimin e mënyrës se si zgjidhet Presidenti, Kreu i qeverisë tha se “Ju e shihni se zoti Rama e pati Presidentin. Presidenti votoi për të, kjo u faktua me votë. Unë dua të theksoj këtu se janë jo të paktë ata që më thonë, a ndiheni i tradhtuar nga ky veprim. Absolutisht, nuk ndihem aspak i tradhtuar, sepse duhet të jeni të bindur se thelbi i përpjekjeve të jetës sime ka qenë që njerëzit të votojnë të lirë. Këtë ideal nuk mund të ma errësojë as edhe një interes
tjetër i ngushtë. Jo! Njerëzit do të votojnë për atë që duan. Zoti Rama e pati Presidentin me mish e me shpirt, sepse ai që të jep votën të jep shpirtin e tij politik, ai firmos për ty me vullnetin e tij politik. Dhe çfarë i solli kjo? 140 mijë vota më pak në rang vendi, 10.999 vota më pak në Tiranë”. Lidhur me zgjedhjet brenda PD-së, Berisha u shpreh se procesi do të vazhdojë në shtator
me zgjedhjen e nënkryetarëve dhe Sekretarit të Përgjithshëm. Ndërsa për
mundësinë që Lulzim Basha të marrë postin e nënkryetarit të partisë, ai tha se “Partia Demokratike është një parti e hapur dhe postet e saj, përfshi edhe postin e kryetarit, në Kongres, janë të hapura për të gjithë anëtarët e vet. Por, dua të jem i sinqertë me ju. Me sa po kuptoj unë, preokupimi më kryesor i kryetarit të Bashkisë janë qytetarët e Tiranës. Më thonë se ai dhe drekën e ha në zyrën e tij, pasi dëshiron që t’i përkushtohet tërësisht Tiranës.
Por ai i ka të hapura të gjitha opsionet”.
Ditët e fundit kemi parë, sikundër ka deklaruar edhe z. Rama pas humbjes në zgjedhjet lokale, të artikulohet shpeshherë një çështje që duket sikur ai e ka vënë edhe si kusht për hyrjen e opozitës në Parlament, atë të ndryshimeve kushtetuese. Në fakt, flitet për një grup juristësh që është ngritur brenda selisë rozë. Sa do të jeni ju i gatshëm të ndërhyni sërish në ligjin themeltar të shtetit, në rast se zoti Rama do t’ua vendosë këtë si kusht për mbarëvajtjen e dialogut politik në Parlament?
Ajo që unë do t’i këshilloja ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste
dhe ish-Presidentit të Republikës, zotit Meidani, ish-Gjeneral Miosiut, ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe anëtar i kryesisë së Partisë Socialiste, zotit Mark Abdia, ish-deshendentin direkt të diktatorit Hoxha dhe me radhë, që të merren me statusin e Partisë Socialiste, meqenëse kanë vendosur të konsumojnë muajin gusht me problematika. Pra, unë mendoj
se do të ishte ndihma më e madhe që këta zotërinj mund t’i japin partisë së tyre. Kjo ishte përgjigjja ime për këtë proces për të cilin ju pyetët.
Fundjavën e kaluar keni mbledhur Këshillin Kombëtar të PD-së, ndërkohë që nuk janë zgjedhur ende strukturat e saj të rëndësishme si postet e nënkryetarëve dhe Sekretari i Përgjithshëm. Përse është shtyrë kjo zgjedhje? Mos ndoshta ka debate edhe brenda PD-së?
Brenda Partisë Demokratike ka pasur, ka dhe do të ketë gjithnjë debat të hapur dhe garë të garantuar. Sapo të mbyllen përfundimisht këto zgjedhje, që është data 31 në mos gaboj dhe, sapo të rikthehen njerëzit me pushime, sepse njerëzit janë me pushime ngaqë është kohë pushimesh, do të mblidhet Kryesia, do të mblidhet sërish Këshilli Kombëtar dhe do të procedohet me të gjitha zgjedhjet e strukturave. Debate ka dhe duhet të ketë, është normale. Partia Demokratike është një parti demokratike, që do të thonë definicion i mendimit të lirë.
Zoti Kryeministër, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar ju u shprehët se përveç reformës zgjedhore, që është pjesë e paketës që ju i ofroni opozitës, do të ketë edhe oferta të reja për PS-në. A do të jetë pjesë e kësaj oferte edhe zgjedhja e një presidenti konsensual në vitin 2012?
Oferta ime është zbatimi dhe respektimi i Kushtetutës. Unë nuk e bëj këtë
për interesin e maxhorancës apo të qeverisë, por e bëj këtë për interesin jetik
të çdo qytetari shqiptar, respektimi i Kushtetutës së vendit. Ju e shihni se zoti
Rama e pati Presidentin. Presidenti votoi për të, kjo u faktua me votë. Unë dua të theksoj këtu se janë jo të paktë ata që më thonë, a ndiheni i tradhtuar nga ky veprim. Absolutisht, nuk ndihem aspak i tradhtuar, sepse duhet të jeni të bindur se thelbi i përpjekjeve të jetës sime ka qenë që njerëzit të votojnë të lirë. Këtë ideal nuk mund të ma errësojë as edhe një interes tjetër i ngushtë. Jo! Njerëzit do të votojnë për atë që duan. Zoti Rama e pati Presidentin me mish e me shpirt, sepse ai që të jep votën, të jep shpirtin e tij politik,
ai firmos për ty me vullnetin e tij politik. Dhe çfarë i solli kjo? 140 mijë vota më pak në rang vendi, 10.999 vota më pak në Tiranë. Sepse, në fund të fundit, secili këtu, në një vend të lirë, ka vetëm një votë. Zoti Rama e ka të vështirë të nxjerrë mësime. A mund të më thoni se kush duhet të prevalojë, të mbizotërojë: flirtet, prapashpinëzat apo Kushtetuta? Sigurisht do të mbizotërojë Kushtetuta. Këta që pendohen bëjnë mirë që pendohen, por
kur të takon shumë herë të pendohesh, kthehesh në pendesë. Duhet ta kuptojmë këtë.
Që ta kuptojmë më qartë: Nuk ka vend për ndryshime kushtetuese?
Këtu u fol konkretisht për Presidentin e Republikës. Unë u përgjigja se Presidenti i Republikës do të zgjidhet tërësisht në përputhje me Kushtetutën. Dhe kjo nuk është absolutisht në interesin tim apo në interes të qeverisë, por është tërësisht në interesin e rendit kushtetues dhe të qytetarëve.
Të kërkosh ndryshime kushtetuese, sepse do ta fusësh presidentin gjysmë në
xhep, ndërkohë që e ke në xhep plotësisht dhe nuk të dha asgjë, më thoni ju lutem, sa racionale është kjo? Gjërat duhet të kenë thelbin e arsyes. Çfarë i dha atij Presidenti? 140 mijë vota më pak, me gjithë votën e
tij pro.
Fakti që zoti Basha ishte ndër më të votuarit në Kryesinë e re të PD-së, ka lënë hapësirë për zëra se ai mund të marrë detyrën e nënkryetarit të PD-së. Në një rast të tillë, a do të kishte ai mbështetjen tuaj?
Partia Demokratike është një parti e hapur dhe postet e saj, përfshi edhe postin e kryetarit, në Kongres, janë të hapura për të gjithë anëtarët e vet. Por, dua të jem i sinqertë me ju. Me sa po kuptoj unë, preokupimi më kryesor i kryetarit të Bashkisë janë qytetarët e Tiranës. Më thonë se ai dhe drekën e ha në zyrën e tij, pasi dëshiron që t’i përkushtohet tërësisht Tiranës. Por
ai i ka të hapura të gjitha opsionet.
ABDIU: TË RREGULLOHEN BALANCAT MES PUSHTETEVE
Ish-kreu i Kushtetueses, Fehmi Abdiu, tha pak ditë më parë në një prononcim
për gazetën “Panorama” se ndryshimet kushtetuese, të cilat kërkojnë një
konsensus të plotë parlamentar, duhet të rregullojnë balancat e prishura mes
pushteteve. “Nëse do të ndërhyhet në Kushtetutë, duhen rregulluar pikë së
pari balancat mes pushteteve, të cilat u cenuan në ndryshimet e vitit 2008”, u shpreh Abdiu. Në të njëjtën kohë, ai flet edhe për hartimin e ligjeve
organike për Parlamentin dhe Presidentin. “Kuvendi duhet të ketë
ligjin e tij organik të funksionimit, si një organ i rëndësishëm kushtetues në
vend, ligj ky, që për t’u ndryshuar, kërkon 3/5-tat e deputetëve të
Kuvendit, pra një shumicë të cilësuar. Ligji organik është një domosdoshmëri
që do t’i ndërpriste rrugën ndryshimit të shpejtë dhe për interesa të ditës të
rregullores së Kuvendit, ashtu siç po ndodh aktualisht”, u shpreh Abdiu.











