
Kryeministri Sali Berisha ka shfrytëzuar dje sërish mbledhjen e qeverisë për të kërkuar konsensusin e opozitës për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, të cilat kanë të bëjnë me heqjen e imunitetit. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe diskutimesh, maxhoranca ka bërë lëshimet e saj në draftin që i është paraqitur Kuvendit, duke pranuar të gjitha propozimet e opozitës. “Ato që kërkove, t’u plotësuan. Pavarësisht se del dhe i zhvlerëson të deleguarit e tu, paçka se njëri ishte Kryeministër, i çove për t’u tallur me ta. Ne e marrim si proces shumë serioz dhe bëmë çdo lëshim që u kërkua. Edhe ne dinim të thoshim jo, por ishte muri që duhej shembur, në mënyrë që të hapej. Ne dërguam në Parlament një draft edhe më të thellë, por u pajtuam me propozimet tuaja sepse njëra palë duhet të lëshojë, dhe lëshuam ne, në mënyrë që muri i korrupsionit të mos zërë derën e statusit të integrimit të vendit. Datën 6 gusht nuk e caktuam ne, por e caktuam bashkërisht. Pandeli Majkon nuk e caktuam ne, por e caktove ti që të negocionte me zotin Paloka. Ne bëmë çdo lëshim që kërkove, në mënyrë që më 6 gusht muri të rrëzohet”, tha Berisha. Kryeministri deklaroi gjithashtu se PS-ja do të penalizohet në zgjedhjet e ardhshme për qëndrimin bllokues që po mban, duke e akuzuar edhe Ramën për pengimin e marrjes së statusit të vendit kandidat. “Zoti Rama, nëse mendon se duke mbajtur murin e imunitetit do të dëmtoje Sali Berishën e qeverinë e tij, bën një gabim shumë të rëndë, se pas zgjedhjeve të 8 majit ishe ti që u the shqiptarëve se kemi bërë gabim me bllokimin dhe se do të votojmë çdo reformë që kërkohet. Në rast se mendon se për inat të Sali Berishës, do t’i bllokoj Shqipërisë statusin në 100-vjetorin e saj, e vërteta është se çdo shqiptar ka 100 motive për të të dhënë ty në zgjedhje atë që ti meriton”, tha më tej Berisha.
DEKLARATA
“Si mund të mendohet në këtë mënyrë?! Kërkove ndryshime në projektin e përgatitur nga ndërkombëtarët, dhe ato t’u pranuan të gjitha, një nga një. Apo mos ndoshta i kërkove ato i bindur se nuk do të të pranoheshin?! Sërish thua se nuk do ta votosh draftin në datën 6 gusht. Kjo datë nuk u caktua nga ne, por nga Parlamenti shqiptar në konsensus të plotë. Ajo u caktua në përputhje me amendamentin që grupi socialist e ka sjellë në vitin 2008 për procesin e ndryshimeve të Kushtetutës”, u shpreh Kryeministri.
Luan Rama, LSI: Imuniteti të votohet më 6 gush
Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama, në një konferencë për shtyp kërkoi që politika të votojnë më 6 gusht heqjen e imunitetet për të kaluar një tjetër test që Shqipëria ka në rrugën e saj të integrimit, siç tha ai. “Është i pavend debati apo retorika që nuk fikson palët te konsensusi për votimin e ndryshimeve që kanë të bëjnë me heqjen e imunitetit. LSI do kontribuojë që të shkohet te përmbushja e këtij detyrimi. Heqja e imunitetit nuk është test i forcës së një partie ndaj një tjetre, është test për të kuptuar sa mund të kontribuojnë palët që të përmbushin detyrimet që kanë, në mënyrë që Shqipëria të meritojë ftesën e vendit kandidat”, tha ai. Për sekretarin e Përgjithshëm të LSI-së, edhe ndërkombëtarët presin që politika shqiptare të jetë në lartësinë e duhur më 6 gusht.











