Berisha: Rama bllokon reformat për statusin

Feb 28, 2012 | 10:30

Berisha në mbledhjen e Grupit të PD

Kryeministri deklaroi dje se kreu i PS trillon për reformën.

“Bën propozime qesharake, e di që s’bëhet Kryeministër”

Kryeministri Sali Berisha akuzoi dje kreun e opozitës, Edi Rama, se ka bllokuar qëllimisht reformën parlamentare dhe atë zgjedhore për të penguar marrjen e statusit të vendit kandidat. Deklarata e kreut të qeverisë vjen tri ditë para se në Bruksel, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian të mblidhen për të diskutuar mbi çështjen e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor dhe t’i japin statusin e vendit kandidat Serbisë. Duke folur në mbledhjen e radhës së Grupit Parlamentar të PD-së, Kryeministri tha: “Trillon dhe thotë se po bllokon reformën, se do ta lidhë me Presidentin! Por çfarë lidhje ka me Presidentin kjo? Presidenti ka një procedurë kushtetuese. Gjëja më absurde, i bllokon reformat, sepse ka frikë se mos merret një vlerësim pozitiv për statusin”, u shpreh Berisha. Lidhur me reformën parlamentare, ai e quajti antikushtetues propozimin e PS-së për kufizimin e kohës së Kryeministrit. “Zoti Rama, duke perceptuar qartë se shqiptarët nuk kanë ndër mend ta bëjnë ndonjëherë Kryeministër, atëherë mendon se zgjidhja është t’i shkurtojë kohën Kryeministrit. Kjo është qesharake. Ai nen i Kushtetutës është vendosur nga maxhoranca socialiste dhe nuk është prekur as në reformë”, tha Berisha. Ndërsa për reformën zgjedhore ai deklaroi: “Në mënyrën më absolute, as në komision, as në grup të ekspertëve, nuk kanë paraqitur qoftë edhe një amendament të vetëm që nuk është miratuar, shqyrtuar. Natyrisht, çfarë po bën! Gjer tani kanë propozime, vetëm dënime, dënime, dënime, dënime. Pa diskutim që duhet të ketë penalitete, por të mendosh ti të vësh dënime 7 e 8 vjet, nuk gjen gjykatës. Se dhe gjykatësi nuk dënon aty kur shikon se ligjvënësi shkruan marrëzira në ligj”.

Bashkëpunimi
“Jemi të gatshëm ta përshtatim Rregulloren e Parlamentit, me pikë dhe presje, çdo dallim që mund të ketë nga Rregullorja e Parlamentit Europian. Jemi të hapur të bashkëpunojmë brenda parimeve dhe ligjeve të këtij vendi me opozitën në interesin më të mirë. Koncepti i tyre, se i votuan ligjet për ne, koncepti i tyre, se këto i bëjnë për Sali Berishën, është koncept shumë i vjetër”, u shpreh kreu i qeverisë në mbledhjen e Grupit Parlamentar demokrat.

© Panorama.al

Te lidhura