‘Topalli do ishte presidente e denje, por hoqa dore nga kandidatura politike. Lepuri fle te Fatos Nano’.
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka ftuar sërish sot opozitën të japë mbështetje për kandidaturën e maxhorancës dhe të dalë me një kandidaturë të sajën. Berisha ka deklaruar prerë se Jozefina Topalli do të ishte presidente e denjë për vendin, por hoqi dorë prej saj vetëm për të dalë jashtë një kandidature politike e për të siguruar një president konsensual.
Gjatë fjalës së tij në seancën e sotme të Kuvendit, Berisha ka informuar për ecurinë e deritanishme të negociatave për presidentin. Ai ka rikujtuar marrëveshjen me LSI e më tej negociatat që sollën emrin e Xhezair Zaganjorit, që ka marrë edhe votat e opozitës në Kuvend për në Gjykatën Kushtetuese, madje ka votuar kundër tre ‘betejave’ politike të qeverisë; ligjin për lustracionin, pronën dhe detin.
“Për mua Topalli do përfaqësonte këtë vend në mënyrën më dinjitoze, por Rama më conte publikisht ultimatume se ajo nuk do jetë kurrë. Nuk kam vënë asnjë ultimatum. U ngrita nga bindjet e mia se PD do kishte presidentin nga radhët e saj dhe propozuam bashkë me Metën një njeri që s’ka qenë në asnjë nga forcat tona politike. I tejkaluam dhe këto nuk kanë rëndësi, se udhëhiqeni nga një filozofi, sipas juash, e tëra ose asgjë, por kjo nuk është filozofi në demokraci”- tha ai.
Sipas Berishës, lepuri fle te Fatos Nano. “Nuk ka gjë me të mençur se një pyetje popullore që shtrojnë shqiptarët, ku fle lepuri, ai fle te Fatos Nano. Po si ka mundësi ju kaq gojëkycur, kaq që s’mund të nxirrni një kandidat, po kush e futi, e ftova vallë unë, unë e deklarova që ne nuk e votojmë dhe këtë i kam thënë në takimin që kam patur me të. Ju keni një problem madhor se e keni ende në korridore, kultin e armikut, po Nano cfarë u ka bërë ju ai? Ai bëri një gabim 74 ministra dhe kryeministra, cfarë patë ju prej tij, kush ua solli, e sollët vetë”- tha Berisha.
© Panorama.al












