Berisha: PS, jo mur për në BE

Jul 19, 2012 | 13:41

Kryeministri Berisha

Kryeministri i kërkon kreut të PS të votojnë në seancën e 6 gushtit ndryshimet kushtetuese.

“S’shkon të thuash: Këtu është Europa, këtu kam Xhafën”

Kryeministri Sali Berisha ka shfrytëzuar dje sërish mbledhjen e qeverisë për t’i kërkuar opozitës të japë konsensusin me qëllim heqjen e imunitetit në seancën e fundit parlamentare. Duke folur para kabinetit qeveritar, kreu i maxhorancës tha se kjo do të ishte një ndihmesë e madhe në luftën kundër korrupsionit në vend. “Unë mendoj se është një mijë herë më mirë të dëgjosh zërin e një qytetari të papunë që sot nuk e di se çfarë do t’u japë fëmijëve të tij, se korrupsioni ua merr atyre kafshatën nga goja; të dëgjosh më mirë një nënë që ka humbur bashkëshortin dhe rrit dy fëmijë jetimë, sepse korrupsioni pengon që fëmijët e saj të kenë një trajtim më dinjitoz dhe më të mirë”, tha Berisha. Ai e lidhi votimin e parashikuar në seancën parlamentare të 6 gushtit me marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. “I bëj thirrje dhe një herë zotit Rama ta mendojë dhe ta rimendojë më mirë këtë gjë, se kjo që bën është tmerrësisht e rëndë dhe në kundërshtim me interesin jetik të çdo qytetari të këtij vendi. Në një rrafsh është një mur që ngrihet në procesin e integrimit dhe detyra jonë është të shembim mure, dhe jo të ngremë mure që pengojnë; por në rrafshin njerëzor, imuniteti është gjeneratori kryesor i korrupsionit, i dhunimit të lirive dhe të drejtave të qytetarëve, i pabarazisë së qytetarëve”, deklaroi më tej Berisha. Sipas tij, maxhoranca, me propozimin që ka bërë, ka ardhur në kërkesën e parashtruar kohë më parë nga opozita, sipas së cilës, heqja e imunitetit duhet bërë vetëm nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese. Kryeministri tha gjithashtu se edhe vetë kreu i PS-së është i fituar nëse në Parlament votohet nisja e propozuar nga maxhoranca. “Me heqjen e imunitetit fitojnë të gjithë, fiton çdo politikan, çdo gjykatës, çdo zyrtar, sepse në sytë e të gjithë qytetarëve nuk e ka mantelin që nuk duhet ta ketë, por është i barabartë me ta, është i barabartë para ligjit, fiton vendi, sepse bëhet më transparent, por fiton zoti Rama edhe në politikë, sepse nuk po shkojmë të votojmë variantin që paraqitëm ne, të dashur qytetarë, por po shkojmë të votojmë variantin që kërkoi zoti Rama”. Sipas Berishës, në Partinë Socialiste janë një grup deputetësh që e detyrojnë kryetarin e kësaj partie të mos pranojë propozimin e maxhorancës. Në fund të fjalës së tij, Berisha ironizoi edhe nënkryetarin socialist të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj. “Megjithatë, unë uroj që deri më datë 6 të arrihet të studiohen më me vëmendje ato ligje. Nuk shkon kjo që të thuash: këtu është Europa, këtu kam Xhafën unë. Dakord, e ke Xhafën, dhe ai është jurist, por edhe ne kemi juristët tanë. Nuk u ndryshua asgjë, i prumë siç i sollën. Edhe Xhafa dhe të gjithë juristët e Parlamentit kanë një detyrë t’i mbështesin ato”.

Imuniteti
“Në qoftë se ka një gjë që s’mund të ketë asnjë lloj kushti, është zhveshja pa kushte ndaj imunitetit. Asgjë nuk qëndron në analizën e tij. A nuk patën ata një Prokurori e cila botonte çdo ditë gjithçka nga dosjet për t’i ndihmuar ata? Kjo e pengoi për të hequr imunitetin? Jo, nuk e pengoi. Janë interesa të ngushta të një grupi, absolutisht ato të grupit të miliarderëve, i cili dikton gjithçka në atë parti”, deklaroi Kryeministri në mbledhjen e djeshme të qeverisë.

Arvizu
Ambasadori i SHBA, Arvizu, u kërkoi forcave politike që në seancën e 6 gushtit të votojnë ndryshimet kushtetuese. “Mendoj që janë duke qarkulluar versione, drafte të ndryshme. PD ka përgatitur një draft, po ashtu edhe LSI, kështu që qartazi të gjithë duan të bëjnë diçka për heqjen e imunitetit, ndaj mendoj se kjo është jetike dhe e rëndësishme, sepse ka gjyqtarë të mirë, ka parlamentarë të mirë, po gjithashtu ka edhe hajdutë mes tyre. Kështu që çështja e imuniteteve abuzohet në këtë vend”, u shpreh ambasadori.

Kreu i PS reagon në Twitter ndaj deklaratave të Kryeministrit
Rama: Berisha s’mund të na imponojë variantin e tij

Kreu i PS, Edi Rama

Pas deklaratave të Kryeministrit Sali Berisha, kryesocialisti Rama ka reaguar nga Twitter-i. Ai ka thënë se të majtët janë pro heqjes së imunitetit, por duan që ndryshimet kushtetuese të bëhen me një proces publik. “Po heqjes së imunitetit, jo arnimit qorrazi të Kushtetutës. Vota jonë në parim pro, po ndryshimi kushtetues të bëhet me një proces publik”. Në vijim të reagimit të tij, Rama shprehet se Kryeministri nuk mund t’i imponojë opozitës variantin e tij. “Nga ultësira e tij morale, Kryeministri nuk mund t’i imponojë opozitës as vizionin, as variantin e tij të ndryshimit të Kushtetutës. Kemi qëndrimin tonë”, shkruan Rama. Reagimi i Ramës erdhi pas deklaratave të Kryeministrit Berisha në mbledhjen e qeverisë.
Dy ditë më parë, kreu socialist, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar socialist, tha se kufizimi i imunitetit të zyrtarëve të lartë duhet bërë përmes një procesi publik dhe transparent. “Qëndrimi ynë është i qartë dhe i palëkundur: Jemi dakord me nevojën për kufizimin e imunitetit dhe do ta votojmë kufizimin e imunitetit pasi të jetë realizuar një proces publik, transparent, gjithëpërfshirës, për ndryshimin e Kushtetutës. Nga ana tjetër, ne nuk do bëhemi pjesë e asnjë goditjeje të përqendruar për një arnim të ngutur kushtetues dhe as do të lejojmë që kufizimi i imunitetit të bëhet shtysë për hapjen e një sezoni të ri gjuetie shtrigash në prag të zgjedhjeve të ardhshme”, u shpreh Rama para deputetëve të PS.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura