Kryeministri Sali Berisha i bën thirrje publike opozitës të vijë në Kuvend e të votojë për reformat ligjore, në përmbushje të 12 kritereve që BE i ka vënë Shqipërisë.Në mbledhjen e djeshme të Komitetit Ndërministror të Integrimin, Berisha u shpreh se detyrimet duhet të mbyllen sa më shpejt. “Uroj që opozita të përmbushë detyrimet e veta, uroj që të kuptojë se, jo bllokimi, por votimi, jo destruktiviteti, por konstruktiviteti është alternativa që duan qytetarët shqiptarë. Duhet të përmbushim sa më shpejt ato detyrime që kanë mbetur pa u përmbushur, për shkak të alternativës, e cila thotë se është më e rëndësishme duke bllokuar se duke votuar. Ndërkohë, ky plan do të kalojë në Bruksel”, tha Berisha. Në lidhje me zgjedhjet në Tiranë, kreu i qeverisë tha se ato janë një test për Drejtësinë. “Në Bashkinë e Tiranës u paraqit një rezultat i ngushtë. Kjo është e vërteta dhe nuk ka dyshim që rezultati i ngushtë është edhe testi më i madh për shtetin ligjor. Ne u pozicionuam për një zgjidhje të shtetit ligjor. Zgjidhja e shtetit ligjor po ecën. Ne nuk mund të konceptonim dhe nuk konceptojmë kurrë që të mos numërojmë çdo votë. Kjo duhet të jetë dhe është çështje ndërgjegjeje për çdo njeri që i beson lirisë dhe vlerave të saj. Për çdo forcë politike dhe politikan, në rast se qytetari shqiptar nuk ka të garantuar numërimin e çdo vote, pastaj çdo alternativë tjetër ogurzezë, është staliniste, ‘votoni ju, se numëroj unë dhe pastaj unë numëroj ashtu siç dua'”, tha Berisha. Sipas Kryeministrit, votat e hedhura në kutitë gabim është e vlefshme në çdo vend të botës. “Megjithatë, ky është qëndrim parimor politik, po ky qëndrim gjeti sanksionim të plotë në vendimin e Kolegjit Zgjedhor. “5 me 0″, gjykatësit shqiptarë, njëlloj si gjykatësit amerikanë, britanikë apo të çdo vendi tjetër, në nderim të Kushtetutës së tyre dhe të parimit universal të numërimit të çdo vote, deklaruan se nuk mund të përjashtohet nga numërimi as edhe një votë e vetme kur ligji nuk e përcakton atë. Ky është gjykimi. Unë nuk do të pranoj kurrë të përjashtoj nga numërimi votat e hedhura në një kuti gabim. Rasti u sanksionua sepse Tirana e çoi në gjykatë, ndërsa Berati nuk e çoi, atje u numëruan. Gjirokastra nuk e çoi, e numëroi, e të tjerë me radhë. Kurse këtu duhej dërguar për dënim me qëllim që të dënohej vota. Nuk mund të ndodhte kjo”, shtoi Berisha. Më tej ai i cilësoi të papranueshme akuzat ndaj Kolegjit Zgjedhor. “Nuk zgjidhet kurrë duke vendosur në epiqendër të një propagande një grup gjykatësish që në këtë moment, në detyrën që u ka besuar shteti dhe shoqëria, janë në vendimet më të rëndësishme. Nuk mund dhe nuk do të mundet kurrë dhe asgjë që të zëvendësojë funksionimin e shtetit ligjor, ta zëvendësojë me kompromise aprincipale, zgjidhje të momentit”, tha Kryeministri.
Liberalizimi i vizave
“Fakti është fakt. Nuk ka rritje të numrit të azilkërkuesve nga Republika e Shqipërisë pas vendosjes së regjimit të ri të heqjes së përkohshme të regjimit të vizave. Ky është një zhvillim shumë pozitiv, është dëshmi e qëndrimit të përgjegjshëm të qytetarëve shqiptarë ndaj një vendimi iluminist të qeverive të zonës ‘Shengen’. Vendim me të cilin ata kanë pranuar që qytetarët e vendeve tona të lëvizin lirshëm në territorin e kësaj zone”, tha Berisha.
ERALD KAPRI
© Panorama.al











