Berisha: PS bën nacionalizime si Hugo Çavez

Jul 7, 2011 | 11:15

Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje në mbledhjen e qeverisë se ekonomia shqiptare ndodhet në rrugë të mbarë. Ai kritikoi zërat kundërshtues të opozitës, duke i cilësuar si keqdashëse. “Ata të cilët shprehen se do të bëjnë nacionalizime, u kujtoj Çavezin, sepse i vetmi i vetëshpallur socialist në botë është Hugo Çavez, që bën nacionalizime, sepse dhe socialistët europianë nuk kanë më atë program, kanë platformën e Toni Blerit. Toni Bler e quajti ‘rruga e ndërmjetme’. Në fakt, e ndërmjetme nuk është, por është përafërsisht qendra e djathë, por ai nuk mund të thoshte kështu. E mori nga Antoni Gidens, e elaboroi, por vendit të vet i bëri shërbime të mëdha me privatizimet që i vazhdoi. Mund të themi se në Europë nuk asnjë forcë politike të Partisë Socialiste Europiane që të ketë nacionalizimin, sepse të heqësh privatizimin do të thotë të fusësh nacionalizimin, praktika me të cilat Europa, socialdemokracia europiane është ndarë që nga fundi i viteve 70”, tha Berisha. Sipas kreut të qeverise, ekonomia shqiptare po reziston mirë dhe ka një rritje të mirë ekonomike. “Në qoftë se ekonomia shqiptare po reziston si Davidi me krizën, po reziston se është ekonomi private, nuk po reziston në sajë të ndërmarrjeve publike, se ne kemi shumë pak ndërmarrje publike. Po reziston se qeveria ka vendosur në themel të kësaj ekonomie parimin që bën të mundur dhe këtë rritje ekonomike prej 3.4% në tremujorin më të zymtë; normalisht, tremujori i parë është tremujor plogështie, nuk është shumë entuziast”, tha ai. Kreu i qeverisë tha më tej se vjet ndërtimi ka pasur një rënie, ndërsa në tremujorin e parë të vitit të kaluar ndërtimi ka qenë -17 për qind, këtë tremujor ndërtimi është +4.1 për qind, pra ka një rritje mbi 21 për qind. “Ajo që e pengon tregun nuk është aspak mungesa e parave, por babëzia, sepse më duhet të them që ka ndërtues që kërkon t’u shesë qytetarëve të këtij vendi, në periferi po flas dhe jo në qendër, pasi nuk është preokupimi i qeverisë ata që blejnë në qendër, pasi ata i kanë mundësitë, por në periferi është ekzakt 40-50% më i kushtueshëm se në periferinë e Berlinit, qytetit më të kamur të Europës”, tha Berisha.

© Panorama.al

Te lidhura