Berisha pro Izraelit, mediat: Lajmi i mirë vjen nga Shqipëria

Aug 23, 2012 | 12:24
Berisha e Liberman

Kryeministri i Shqipërisë duket se është i vetmi lider ndërkombëtar që u është përgjigjur deklaratave të Presidentit iranian, Ahmadinexhad kundër Izraelit. Mbrojtja e Berishës për shtetin hebre nuk ka kaluar pa habi dhe mirënjohje në forumet mediatike botërore. “Lajmi i mirë vjen nga Shqipëria”, është titulli i një shkrimi të botuar në “Informazionecorretta.com”, një faqe mediatike italiane, e cila pasqyron shkrimet dhe lajmet botërore për Izraelin. Dhe “habia” më e madhe e autorit, përveç heshtjes ndërkombëtare të liderëve botërorë, të mësuar tashmë me gjuhën e Iranit, është fakti që i vetmi reagim i ashpër në mbrojtje të Izraelit vjen nga një vend me shumicë myslimane.
Shkrimi
Presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad, sërish ka bërë kërcënime kundër Izraelit, duke e akuzuar shtetin hebre se është një “tumor kancerogjen”. Asgjë e re, po e përsërit prej vitesh, se “vetë ekzistenca e regjimit sionist është një fyerje për njerëzimin dhe të gjitha kombet e botës”. E ka përsëritur edhe të premten e shkuar, mes mungesës së vëmendjes së pothuajse të gjitha gazetave, shumë të preokupuara për të fajësuar Izraelin, se të mbrohesh është një e drejtë për të gjitha shtetet, përveç njërit. “Të luftosh sionistët, -ka shtuar në të njëjtën ndërhyrje, -heq pengesat për të shpëtuar botën nga shfrytëzimi, shthurja dhe mjerimi”. Urimeve më të mira të Adolfit të ri iu shtua më pas edhe Supremi Ajatollah Ali Khamenei, duke profetizuar se në një të ardhme të afërt toka e Izraelit do të kthehet në duart e palestinezëve, sepse Izraeli do të reshtë së ekzistuari”. Dikush pret të lexojë analiza dhe komente indinjimi nga krerët e shteteve, kryeministrat, eksponentët fetarë, këta të fundit gjithnjë të gatshëm të bëjnë thirrje për paqe të njerëzve me vullnet të mirë…, përkundrazi, asgjë. Vullneti i kriminelëve supremë iranianë duket që është i mirë, nëse nuk ka kritika. Por ja lajmi i mirë, të paktën njëri ka ngritur zërin për të thirrur fort se Ahmadinexhad shpreh dhe ndan të njëjtën ideologji të Adolf Hitlerit, e përkufizon paranojak, dhe thotë se rruga e tij drejt nukleares duhet të frenohet menjëherë, sepse është një sfidë për stabilizimin e Lindjes së Mesme dhe një kërcënim për paqen botërore. Tha pikërisht “menjëherë”, jo pas gjashtë muajsh, nuk tha se duhet vazhduar me sanksionet, jo, tha se duhet ndaluar menjëherë, me çdo kusht. Ja, dikush mendon, më në fund Europa kristiane po ndërgjegjësohet për rrezikun që Irani përfaqëson për botën e lirë, dikush ndërhyri, ishte koha! Po kush është ky guximtar, që nuk ka frikë se mund të përkufizohet si luftënxitës; nëse nuk është hebre, do të jetë të paktën një mik i hebrenjve, një kategori e keqe, që nuk e gëzon vlerësimin e medias… Jo, nuk është as hebre, as kristian, është… një mysliman. Emri i tij është Sali Berisha, Kryeministri shqiptar, një vend më shumicë myslimane, të cilit duhet t’i jepet i gjithë nderi që meriton. Nëse do të gjejë imitues në atë botë islamike, të dominuar nga fanatizmi dhe frika, atëherë ka akoma ndonjë shpresë. Që mes Çërçillëve bashkëkohorë qëndron një mysliman, kjo na siguron një kënaqësi të madhe. Pas deklaratave të tij, Izraeli është më pak i vetmuar.
Angelo Pezzana
www.informazionecorretta.com

© Panorama.al

Te lidhura