Berisha pret Çiçek: Të forcojmë marrëdhëniet

May 15, 2012 | 20:51

TIRANE- Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar sot një takim me Kryetarin e Asamblesë se Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri. Kryeministri Berisha theksoi vullnetin  e palëkundur të qeverisë shqiptare për t’i thelluar dhe konsoliduar gjithnjë e më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve, në veçanti në fushën e ekonomisë dhe shkëmbimeve tregtare, në dobi të interesit më të mirë të qytetarëve të dy vendeve.

Kryeministri tha se në të gjithë këto vite miqësie mes vendeve, Asambleja e Madhe Kombëtare e Turqisë ka votuar dhe ka marrë vendimet më miqësore dhe mbështetëse për shqiptarët.

Çiçek shprehu kënaqësinë që kjo vizitë zhvillohej në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.  Ai pohoi marrëdhëniet e  ngushta tradicionale të miqësisë mes Shqipërisë dhe Turqisë, me rrënjë të thella në histori, si dhe shprehu vullnetin dhe angazhimin për ti forcuar e zgjeruar ato në të ardhmen.

Gjatë takimit, të dy bashkëbiseduesit shprehën kënaqësinë që klima miqësore dhe vullneti i përbashkët ka bërë që investimet turke në Shqipëri të rriten me 9 herë.

Berisha u ndal edhe tek Kosova, ku  çmoi mbështetjen që Turqia i ka dhënë dhe vazhdon ti japë Kosovës në të gjitha përpjekjet e saj për zhvillim, ndërsa Çicek u shpreh se Turqia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën, jo vetëm në aspektin politik, por edhe në reformimin e institucioneve të saj, zhvillimin e reformave dhe atë ekonomik.

© Panorama.al

Te lidhura