Berisha: Presidenti do të zgjidhet sipas Kushtetutës

Jun 22, 2011 | 12:19

Kryeministria ka sqar-uar dje deklaratat e Berishës në Grupin Parlamentar të PD-së një ditë më parë.Zëdhënësja e Kryeministrit saktësoi dje se Berisha nuk ka deklaruar kurrë se do t’ia ofrojë postin e Presidentit opozitës. “Kjo deklaratë është kryekëput trillim i këtyre mediave që thjesht shënon një rekord dizinformimi mediatik. Kryeministri ka qenë dhe është i palëkundur në qëndrimin e tij për respektimin e Kushtetutës dhe shtetit ligjor. Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës do të zgjidhet vetëm në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit”, thuhet në sqarimin e Kryeministrisë. Sqarimi i referohet shkrimit të një dite më parë te “Panorama”, e cila i referohej deklaratës së Kryeministrit se do t’i ofronte opozitës postet e krerëve të institucioneve që zgjidhen me 3/5 në Parlament. Dhe të vetmit krerë institucionesh që zgjidhen me tre të pestat janë Avokati i Popullit dhe Presidenti i Republikës në tre raundet e para. Ndërsa kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Guvernatori i Bankës, të cilëve u mbaron mandati këtë vit zgjidhen me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi pas propozimit të Presidentit.
Deklarata
Të hënën në mesditë, kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar demok-rat ftoi opozitën që të luajë rolin e saj parlamentar, duke premtuar se do t’ia japë asaj ekskluzivisht të gjitha kandidaturat e institucioneve që në Parlament kërkojnë një shumicë të cilësuar me 3/5 e votave. “Uroj, dëshiroj dhe e ftoj opozitën që të marrë të gjithë rolin dhe peshën e saj në ushtrimin e pushtetit që i ka dhënë sovrani. Të gjitha kandidaturat me 3/5 do të jenë ekskluzivisht propozime të saj, pa një alternativë nga shumica. Në të gjitha ligjet me 3/5 do të ketë të drejtën të bëjë të gjitha amendamentet që mendon se përmirësojnë standardet e tyre dhe maxhoranca t’i votojë”, u shpreh kryeministri Berisha ditën e hënë, në mbledhjen e Grupit Parlamentar demok-rat. Nisur nga kjo deklaratë dhe duke iu referuar Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ne evidentuam votimet e drejtuesve të atyre institucioneve që kërkojnë një shumicë të cilësuar. Vetëm Avokati i Popullit dhe Presidenti i Republikës, sipas Kushtetutës së Shqipërisë kërkojnë një shumicë të cilësuar me 3/5 e votave. Neni 61 i Kushtetutës, në pikën 1 të tij përcakton qartë se “Avokati i Popullit zgjidhet nga tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit për një periudhë prej 5 vjetësh, me të drejtë rizgjedhjeje”. Po ashtu edhe Presidenti i Republikës, bazuar në nenin 87 pika 3 të Kushtetutës, zgjidhet me 3/5 e votave. “Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë, kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, thuhet në Kushtetutë.

Deklarata e Berishës

“Uroj, dëshiroj dhe e ftoj opozitën që të marrë të gjithë rolin dhe peshën e saj në ushtrimin e pushtetit që i ka dhënë sovrani. Të gjitha kandidaturat me 3/5 do të jenë ekskluzivisht propozime të saj, pa një alternativë nga shumica. Në të gjitha ligjet me 3/5 do të ketë të drejtën të bëjë të gjitha amendamentet që mendon se përmirësojnë standardet e tyre dhe maxhoranca t’i votojë”, u shpreh kryeministri Berisha të hënën, në mbledhjen e Grupit Parlamentar demokrat.

Kushtetuta e Shqipërisë

Neni 61
1. Avokati i Popullit zgjidhet nga tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit për një periudhë prej 5 vjetësh, me
të drejtë rizgjedhjeje.

Neni 87
2. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime.
3. Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë, kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

“Berisha i ofron Presidentin PS-së”

Kryeministri Sali Berisha vendos t’i ofrojë maksimumin opozitës, me qëllim dhënien fund të bojkotit ndaj Parlamentit. Kreu i maxhorancës tha dje në Grupin Parlamentar të PD-së se është i gatshëm t’i ofrojë opozitës të propozojë krerët e të gjitha institucioneve që duan tre të pestat e votave në Parlament si dhe çdo ndryshim të mundshëm për reformën zgjedhor. Pavarësisht ndryshimeve Kushtetuese, duket se në këtë propozim të kreut të qeverisë përfshihet edhe posti i Presidentit, i cili duhet të zgjidhet vitin tjetër.

 

© Panorama.al

Te lidhura