
Aleanca Kuq e Zi ka protestuar sot para ministrisë së Kulturës, ku ka akuzuar kryeministrin, Sali Berisha se po përdor për qëllime politike festimet për 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
Aleanca Kuq e Zi denoncon se nuk ka asnjë proces transparent në zërat e shpenzimeve buxhetore për këtë vit jubilar të 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar.
Duke kërkuar bërjen transparente të shpenzimeve buxhetore për këtë vit jubilar të 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar, AK ka shprehur indinjatë për atë që ajo e ka quajtur urrejtjen që po kultivon Sali Berisha, në veprimtaritë e 100 vjetorit të Pavarësisë, duke përjashtuar e selektuar pjesëmarrjen në këto veprimtari personalitete e akademikë të shquar si Prof. Dr Rexhep Qosen e shumë të tjerë.
AK-ja është shprehet kundër ndërhyrjeve brutale për interesa personale në ndryshimin e historisë, si dhe kundër sjelljes së këngëtarëve nga Kolumbia, apo ekipeve të futbollit që sipas saj vijnë thjesht për fushatë propagandistike.
“Alenaca Kuq e Zi deklaron se nuk do të lejojë kryeministrin Berisha që 28 Nëntorin e këtij viti ta kthejë në festë të PD, që 100 vjetorin e Pavarësisë ta shndërrojë në festë elektorale të PD, që të abuzojë me miliona euro për të përmirësuar imazhin e tij personal të rrënuar dhe do të pengojë festimet e tipave diktatoriale në Shqipërinë e shekullit XXl.”- thuhet në deklaratën e saj.
Për AK-në ky duhet të ishte viti i integrimit, por Berisha po mundohet që të mbulojë dështimin me spektakle dhe shfryrje të shtrenjta mediatike. Aleanca Kuq e Zi shprehet se do të mbledhë shqiptarët me shqiptarët në Shqipërinë e bashkuar për të festuar ndryshe 100 vjetorin e Pavarësisë.
© Panorama.al











