
Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi dje ndryshime të tjera në Kodin Penal, për të mbrojtur privatësinë e të dhënave personale. Duke folur në mbledhjen e radhës së qeverisë, kreu i Ekzekutivit tha se “mbrojtja e të dhënave personale është një obligim madhor ligjor në shoqëritë e lira. Për fat të keq, në këtë vend dalin në pazar edhe dosjet më sekrete të atyre që janë në hetim apo gjykim, të cilat përbëjnë edhe një dëmtim të rëndë të procesit, dalin edhe dokumente të tjera. Konstatoj me keqardhje shumë të thellë se në mënyrë të veçantë abuzohet me jetën e artistëve, shkrimtarëve, e cila është objekt i një agresioni të pamëshirë mediatik”. Sipas tij, 80 për qind e këtyre lajmeve bazohen mbi scoop-in, dhe jo mbi atë që ndodh realisht. “Përdoret scoop-i mediatik për të gjetur hapësira më të mëdha tregu e për të lënduar në mënyrën më të papranueshme, kryesisht këngëtaret e artistet, më së fundi edhe meshkujt, e më pas edhe të tjerë. Qëmtohet e hulumtohet me një pasion patologjik mbi të dhënat personale private dhe jetën private të tjetrit. Unë gjykoj se në këtë drejtim ligji duhet të rreptësohet. Gjykoj se është e domosdoshme të ndërhyhet edhe në Kodin Penal, në interesin më maksimal të mbrojtjes së privatësisë”, theksoi më tej kreu i qeverisë. Sipas Berishës, duhet një mbrojtje ligjore për njerëzit e artit, pasi ata janë objekt i agresionit mediatik.











