TIRANË-Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar kreun e PS-së, Edi Rama për mashtrim me shifrat e papunësisë. Sipas tij, në deklaratën e Ramës për 1 milionë të papunë në Shqipëri ka thjesht “nostalgji për etërit nga bijtë e tyre dhe ka një mashtrim të madh, se BSH nuk e ka bërë kurrë këtë deklaratë”.
“Kjo deklaratë të kujton deklaratën përcmuese të Ramiz Alisë, kur tha se kombi përbëhej nga 3 milionë shqiptarë, nga të cilët 1 milionë të papunë, 1 milionë hajdutë dhe 1 milionë spiunë. Kjo ishte deklarata më përcmuese që një njeri mund të bënte për shqiptarët. Shqiptarët duhet ta dinë se këtë e bëri Ramiz Alia për t’i poshtëruar se hodhën poshtë regjimin, tani përdoret e njëjta statistikë, 1 milionë të papunë dhe mashtrimi se këtë e thotë Banka Qendore e vendit”- tha Berisha.
Ai i ka kujtuar Ramës se në vend ka 500 mijë pensionistë, 300 mijë fëmijë nga 0-6 vjec, 650 mijë nxënës dhe studentë dhe në fshat ka 320 mijë ferma. “Tani nëse llogarisim pa fshatin këto bëjnë 1 milionë e 500 mijë pensionistë, fëmijë parashkollore dhe shkollorë. Rama harron se janë me qindra që përzgjedhin njëri të mbajë biznesin e tjetri familjen. Të thërrasë një nga zotërinjtë që njeh problemin në partinë e tij dhe të pyesë si qëndron, kjo është qesharake, imagjinoni një njeriu ju që thotë se do marr pushtetin, si do e marrësh në këtë mënyrë me platformën e 20 viteve më parë të diktatorit të fundit. Ky është në stadin e ngjyrave”- tha Berisha.











