Berisha përuron autostradën Fier-Vlorë

Jul 27, 2012 | 12:13
Berisha dje në inaugurimin e autostradës

Pas një kalvari të nisur që në vitin 2004, dje zyrtarisht kreu i qeverisë ka përuruar përfundimin e autostradës Levan-Vlorë. Berisha ka theksuar se autostrada e re ka parametra të një rruge europiane. Sipas tij, gjatë viteve të fundit, qeveria ka investuar në dy qarqet e mëdha të Fierit e Vlorës, në total 1.2 miliardë euro. “Autostrada, në strukturën e saj mund të krahasohet me autostradat e metropoleve të vendeve më të zhvilluara të Europës e botës”, theksoi Berisha.
Projekti i rrugës është miratuar nga qeveria socialiste dhe është debatuar gjatë me financuesit europianë gjatë viteve 2005-2007, për të nisur punimet pak kohë para fushatës lokale të vitit 2007. Autostrada ka kushtuar rreth 60 milionë euro, është 24.5 kilometra dhe jep mundësi për shpejtësi lëvizjeje 120 km/h. Autostrada ka dy ura me gjatësi të përbashkët mbi 515 metra. Kostoja e saj është 2.45 milionë euro për kilometër, që është një ndër kostot më të leverdishme në rajon e më gjerë.
Kreu i qeverisë njoftoi edhe tri projekte të tjera rrugore për Vlorën. Unazën që e lidh me Orikumin, shëtitoren buzë detit dhe rrugën që do të kalojë të gjithë gadishullin e Karaburunit. “Ne do të ndërtojmë edhe shëtitoren buzë detit, dhe do ta bëjmë Vlorën me një nga lungomare-t më të bukura. Ne kemi përfunduar projektin e bypass-it të Vlorës, i cili do të kalohet mbrapa në luginën e lumit e do të dalë në Tragjas. Ne do të bëjmë edhe projektin e rrugës që do të qarkojë gadishullin e Karaburunit”, theksoi kreu i qeverisë. Si në të gjitha daljet e tij publike, Berisha nuk ka lënë pa përmendur edhe kreun e opozitës, Rama. “Çdo ditë, zoti Rama, njëlloj sikur të betohej në Kushtetutën e ’76-s, u thotë investitorëve të huaj se do t’jua marrë këtë koncesion apo se do t’ju anulojë atë marrëveshje. Kjo ndodh vetëm me këtë opozitë, e cila ka në mënyrë të padiskutueshme reminishenca të një mentaliteti të vjetër e të papranueshëm. Zërat që vijnë për anulim të investimeve, zërat që vijnë për anulim të marrëveshjeve janë arkaikë dhe anakronikë, dhe mund të varen vetën në gozhdën e asaj Kushtetute, e cila nuk do të kthehet kurrë më në Shqipëri”.

Rama: Rruga pa standardet e EU
Kreu i opozitës ka reaguar në Twitter pas përurimit të rrugës nga Berisha. “Levan-VL, si autostradat më të bukura të botës! Jo, fatkeqësi që me gjithë ato miliona ndërtohen rrugë pa standarde EU, që degradojnë përditë”. Më tej Rama ka shkruar edhe dy rreshta të tjerë si përgjigje ndaj akuzave të Berishës për investimet. “Kjo opozitë kërcënon lirinë e investimeve! Jo, transparenca s’është kërcënim dhe rendi ligjor mbi investimet e koncesionet është detyrim”.

© Panorama.al

Te lidhura