Kryeministri Berisha përshëndet rënien e Tripolit

Aug 22, 2011 | 17:20

TIRANE- Kryeministri Berisha përshëndet rënien e Tripolit, kryeqytetit të Libisë, nga sulmi i gjithanshëm i luftëtarëve të opozitës, duke shënuar kështu fundin e regjimit diktatorial, shtypës, gjysmë shekullor të Muhamer Gedafit dhe një fitore historike për popullin libian, NATO-n, vendet anëtare dhe miqtë e tjerë të lirisë së tij, në mbarë botën, thuhet në një deklaratë të zyrës së shtypit të kryeministrit.

Shqiptarët që kanë përjetuar për rreth gjysmë shekulli regjimin më barbar në Europën e pasluftës së Dytë Botërore të diktatorit gjakatar Enver Hoxhës ndajnë me popullin mik libian kënaqësinë e kësaj fitoreje të madhe që shënon për libianët daljen nga epoka e shtypjes dhe terrorit shtetëror dhe  hapjen e rrugës  për ndërtimin në liri të shtetit ligjor, të bazuar në respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të individit, barazinë para ligjit, epërsinë morale të pajtimit kombëtar si kushte për një të ardhme të ndritur që qytetarët libianë meritojnë.

Ndërkohë që kryengritësit në Libi kontrollojnë pjesën më të madhe të kryeqytetit Tripoli, në një kohë kur ikja e Muamar Gadafit është e pashmangshme, liderë botëror kanë përshëndetur aksionin e kryengritësve.

© Panorama.al

Te lidhura